Mbrojtja e Sharrit me ligj, çfarë do të thotë kjo për natyrën? flet biologu Besnik Rexhepi

Vetëm disa ditë më herët Qeveria e RMV-së pranoi propozimin e Ministrisë së Ambientit Jetësor për nevojën e shpalljes së Malit Sharr si zonë e mbrojtur. Sa e nevojshme është kjo për natyrën në këtë mal, folëm me biologun Besnik Rexhepi, sipas të cilit Sharri posedon një pasuri të madhe e cila shumë shpejt do të mbrohet edhe me ligj, shkruan Portalb.mk.

Nga momenti kur malit i jepet epiteti i Parkut Kombëtar, vlera e këtij të fundit ritet dhe këto parqe mund të shfrytëzohen në shumë aspekte, edhe atë nga shkencore deri në aspektin estetik, kështu ritheksoi biologu Rexhepi rëndësinë e shpalljes së Sharrit si zonë e mbrojtur.

Parqet kombëtare kanë vlerë të shumëfishtë, sepse mund të shfrytëzohen në shumë aspekte siç janë ato: shkencore, arsimore, rekreative-shëndetësore, edukative, ekologjike, estetike, turistike dhe ekonomike. Konkretisht, Parqet Kombëtare përfaqësojnë zona natyrore të gjëra që mbrohen e menaxhohen për të ruajtur e mos ndryshuar ekosistemet, pra janë zona me mjedis të pastër jetësor, me lloje bimore e shtazore endemike, endemorelikte, të rralla e interesante si dhe me bashkësi bimore e shtazore të ndërtuara prej llojeve të tilla” tha për Portalb.mk Besnik Rexhepi, biolog dhe profesor në Universitetin e Tetovës (UT).

Ai foli për të se si zhvillohet jeta në malin Sharr, edhe atë për një spektër që sipas tij është i mahnitshëm të ngjyrave, formave dhe madhësive, e kjo llojllojshmëri e botës të gjallë në këtë mal, quhet biodiversitet.

“Që nga majat më të larta deri te thellësitë e brazave më të poshtëm jeta në Malin Sharr zhvillohet me një spektër të mahnitshëm të ngjyrave, formave, dhe madhësive. Kjo llojllojshmëri e kësaj bote të gjallë quhet biodiversitet. Ky term nuk i referohet vetëm llojeve por edhe ekosistemeve si dhe dallimeve në gjene brenda llojeve të njëjta. Sidoqoftë, të gjitha këto ’’gjallesa’’ jetojnë së bashku dhe janë të varura nga veprimet e njëra-tjetrës. Veç kësaj, secila gjallesë e këtij masivi malor, përfshirë këtu edhe njeriun, është e kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në këtë rrjetë të ndërlikuar marrëdhëniesh që zhvillohen në te” shtoi Besnik Rexhepi.

Mali Sharr, foto: Ramadan Abdiu.
Mali Sharr, foto: Ramadan Abdiu.

Ndërkaq, për historikun e malit Sharr sipas Rexhepit  ky raport njeri-natyrë në këtë masiv malor, ka qenë i qëndrueshëm deri në kohën e rritjes së popullsisë, zgjerimin e dy qyteteve më të mëdha si Tetova e Gostivari, kalimin nga një sistem politik në tjetrin, etj. Me këto ritme dhe presione me kalimin e kohës ka ardhur deri te ndotja e sferave kryesore të jetës (atmosferës, hidrosferës dhe pedosferës). Prandaj, nga këtu edhe u shfaq nevoja për të mbrojtur këtë aset të domosdoshme për ‘’jetën’’ në vitin 1997. Ky proces me kalimin e viteve u bë fokus i më tepër organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve (UNEP, GEF, DBU, EURONATUR, GIZ, etj). Në kuadër të këtyre nismave në vitin 2012 u zhvilluan edhe takime trelaterale të ministrave të mjedisit jetësor (Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri). Sidoqoftë në këto tri vitet e fundit në raport me futjen e Malit Sharr në kuadër të Sistemit të Zonave të Mbrojtura fokusi ishte vënë në hartimin e studimit të pasurive natyrore duke mos lënë anash edhe aspektet socio-ekonomike. Në këtë drejtim një grup ekspertësh nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti ‘’Shën Kirili dhe Metodi’’ në vitin 2019 përfunduan këtë studim dhe të njëjtin e dorëzuan deri te autoritetet qeveritare për shqyrtim, tha ai.

Mali Sharr është një nga pasuritë e rralla natyrore të cilat i posedon Maqedonia e Veriut, në të cilën ka gjithsej 37 liqene akullnajore, ku 25 janë nga ana e Maqedonisë kurse pjesa tjetër në anën e Kosovës. Rëndësi të madhe ka edhe biodiversiteti mbresëlënës ku ka rreth 200 lloje bimësh endemike, 167 lloje fluturash, 12 nga gjithsej 15 specie amfibe, 18 lloje zvarranikësh si dhe 130 lloje zogjsh.

Ndryshe, shumë protesta janë zhvilluar nga eko aktivistët të cilët kërkonin shpalljen e Sharrit si zonë të mbrojtur, një hap më afër kësaj erdhëm para dy ditësh ku Qeveria e RMV-së zyrtarisht filloi procedurat për shpalljen e këtij mali si Park Kombëtar. Se kur do të përfundoje kjo procedurë, ministri i ambientit jetësor Nuredini na tha se pritet të përfundoje në muajin shtator të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button