Osmani: Kosova është projekt i paprekshëm në aspektin territorial

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin territorial, andaj Bashkimi Evropian duhet të ofrojë udhëzime dhe vlera që bazohen në parime mbi të cilat funksionon ky bllok, dhe jo të shërbejë vetëm si forum kur është në pyetje dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, njofton REL.

Osmani po ashtu ka theksuar se “komuniteti ndërkombëtar duhet t’i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve, sepse në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon”.

“Mbi të gjitha, zgjidhje të tilla nuk do të përkraheshin nga qytetarët tanë e rrjedhimisht do të mbeteshin të pazbatueshme. Historia na mëson se zgjidhjet e idetë pa mbështetje qytetare përfundojnë me dështim”, ka thënë Osmani përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Aty ajo ka treguar edhe rolin e Parlamentit në përmbylljen e ndonjë marrëveshjeje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është Republikë parlamentare. Kuvendi ka rol vendimtar në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, Politikës së Jashtme dhe atë të Sigurisë. Rrjedhimisht, do të ketë rol të rëndësishëm në përmbylljen e një marrëveshjeje të tillë eventuale. Andaj, çdo përpjekje dhe angazhim për marrëveshje përfundimtare duhet të afirmojë edhe jetësimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, është shprehur mes tjerash ajo.

Ideja që Serbia mund të marrë një pjesë të veriut të Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, është shpërfaqur fillimisht në vitin 2018.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve nëse pajtohen të dyja palët, derisa brenda vendeve të BE-së, kjo ide ka nxitur reagime pro dhe kundër.

Dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zëvendësuar këtë masë me reciprocitet për mallrat serbe, por jo edhe për ato të Bosnjës.

Përndryshe, ky proces i dialogut, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button