Osmani: Lufta kundër KOVID-19 i ka përforcuar edhe më shumë marrëdhëniet RMV-BE

Intervistë ekskluzive me Bujar Osmanin, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

  • Nga Delvina Kërluku

Portalb: Maqedonia e Veriut si shtet që pretendon t’i bashkohet Bashkimit Evropian është përkrahur në këtë kohë pandemie, nga shtetet anëtare të saj dhe jo vetëm nga ato shtete?

Osmani: Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të tij të ndryshëm tregoi mbështetje të fuqishme ndaj Maqedonisë së Veriut në luftën kundër COVID 19. Me kërkesë time të adresuar Euro-komisionarit Varheji, menjëherë sapo u shpall pandemia, u ri-alokuan 50 milionë euro për ballafaqim me pasojat ekonomike nga pandemia. U sigurua ndihmë urgjente prej 4 milion euro, me të cilat furnizuam 20 repsiratorë dhe pajisje të tjera medicinale; 9 milion euro u parashikuan për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; u propozua ndihmë prej 160 milion euro në formë kredie me kushte shumë të volitshme për të ndihmuar vendin në stabilizimin e gjendjes makroekonomike dhe zbutjen e pasojave socio-ekonomike të krizës. Na u mundësua pjesëmarrje në Prokurimin e përbashkët të BE-së dhe në Fondin Solidar Evropian në mënyrë të barabartë ashtu si dhe vendet anëtare të BE-së.

Ventilatorë për frymëmarrje
Ventilatorë për frymëmarrje, donacion nga BE

Krahas kësaj ndihme që erdhi nga Bashkimi Evropian si union, shumë vende anëtare të Unionit me të cilat vazhdimisht kemi pas marrëdhënie të mira bilaterale, kanë dëshmuar miqësinë e tyre të sinqertë duke dërguar edhe ndihmë të drejtpërdrejtë për vendin tonë, siç janë Gjermania, Sllovenia, Çekia, Austria, Hungaria, Holanda etj,

Ndihmë e konsiderueshme dhe mirë e targetuar ka arritur edhe nga vende të tjera siç janë SHBA-të, Norvegjia, Zvicra, Kina, Turqia etj, për çka jemi shumë mirënjohës sepse kështu kemi mbuluar kërkesa të shumë institucioneve në vend, të cilat po qëndrojnë heroikisht në rreshtin e parë të luftës kundër COVID-19.

Portalb: Deri më tani sa ndihma ka pranuar Sekretariati për Çështje Evropiane, si institucion kompetent për koordinim të ndihmës së huaj në vend?

Osmani: Krahas komunikimit parcial që kam pas gjatë kësaj periudhe me përfaqësuesit e huaj në vend, kam organizuar po ashtu edhe dy takime të mëdha donatorësh, në të cilat kam informuar për gjendjen në vend dhe për vështirësitë me të cilat po ballafaqohemi, dhe shumë nga ndihmat e vendeve të lartpërmendura, ju përgjigjën kësaj thirrje për ta ndihmuar vendin tonë në këtë luftë pa precedent.

Dua të nënvizoj se Sekretariati për Çështje Evropiane krahas asaj që është institucion kompetent për koordinim të ndihmës së huaj, po ashtu koordinon edhe me grupin teknik të punës në të cilin akumulohen të gjitha informacionet lidhur me nevojat dhe kërkesat e institucioneve.

Ky grup teknik bën mbledhjen dhe prioritizimin e këtyre kërkesave dhe në vazhdimësi qëndron në komunikim të ngushtë me të gjitha ambasadat, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare për t’ua përditësuar atyre informacionet lidhur me nevojat e adresuara dhe nevojat që mbeten për t’i adresuar, me qëllim që të gjinden mjete dhe pajisje medicinale në kohë për ballafaqim me sfidën e pandemisë.

Bujar Osmani
Bujar Osmani

Portalb: Ndihmat që vijnë nga jashtë, çfarë lehtësime sjellin për shtetin, respektivisht për institucionet tona dhe qytetarët?

Osmani: Duke pas parasysh se parësore në luftën kundër COVID-19 është higjiena dhe pajisjet mbrojtëse, ndihmat që kemi pranuar kanë mbuluar një pjesë të madhe të kërkesave të institucioneve që janë në rreshtin e parë të luftës, siç janë shëndetësia, armata, policia, ekipet për kujdes social të familjeve vulnerable etj, të cilëve ju ndanë dezinfektues, doreza mbrojtëse, maska mbrojtëse, skafandër etj. Përveç pajisjeve mbrojtëse, kishim edhe donacione të testeve COVID-19 të cilat, siç e dini, në këtë periudhë nuk mund të gjinden mjaftueshëm në treg dhe kanë ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme Ministrinë e Shëndetësisë për t’u ballafaquar me numrin në rritje të pacientëve dhe testimin adekuat të tyre .

Donacionet e pajisjeve të tjera të domosdoshme, siç janë tenda, batanije, dyshekë, gjilpëra, infuzione, pompa dezinfektimi, makina etj, janë ndarë në mënyrë përkatëse sipas kompetencave të institucioneve, ndërsa disa prej tyre qëndrojnë në dipsozicion në qoftë se numri i pacientëve i tejkalon kapacitetet e spitaleve për trajtimin e tyre.

Portalb: Bashkëpunimi me përfaqësuesit e BE-së, në këtë kohë “lufte”, nënkupton forcim i marrëdhënieve më të mira, për integrim të shtetit në BE?

Osmani: Është fakt që kriza dhe dhimbja i bashkon njerëzit, ndërsa kjo pandemi globale, arriti të bashkojë popuj, shtete dhe kontinente, në një kohë kur e gjithë bota po ballafaqohet me një armik të padukshëm i cili po na merr jetë, e ndaj të cilit vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

Kështu të solidarizuar në këtë front të përbashkët që kemi, po i përforcojmë edhe marrëdhëniet e mira ekzistuese me BE-në. Tani jemi në pritje të Kornizës Negociuese, e cila, presim që të prezantohet nga Komisioni Evropian më 3 qershor të këtij viti.

Bashkimi Evropian - Maqedonia e Veriut, eurointegrime, bisedime, negociata, BE, RMV, Arbnora
Bashkimi Evropian – Maqedonia e Veriut

Pas harmonizimit të kësaj Kornize Negociuese, ku saktë do të përcaktohen qëndrimet e KE-së dhe të vendit dhe në bazë të së cilave më tej do të zhvillohen negociatat, do të organizohet Konferenca e parë ndër-qeveritare, me çka edhe zyrtarisht hapen negociatat dhe fillon skriningu bilateral.

Personalisht jam shumë entuziast që pas 16 vitesh, që kur kemi aplikuar për anëtarësim, përfundimisht po e bëjmë këtë hap historik i cili në vete ngërthen sakrifica të numërta dhe përkushtim të fuqishëm në reforma, ndaj nuk duhet lejuar që kjo pandemi ta zbeh suksesin e vendit tonë.

Përforcimi i marrëdhënieve të vendit me BE-në nuk duhet shikuar si çështje më vete por si pjesë komplementare e unifikimit, përkushtimit dhe vullnetit tonë të brendshëm, për t’i lënë me një anë interesat e ngushta politike dhe partiake dhe së bashku, të njëzëshëm të qëndrojmë para kërkesave, reformave të nevojshme, sfidave etj. Vetëm kjo qasje do të na sjell progres të shpejtë dhe sukses në arritjen e përcaktimit tonë strategjik që është anëtarësimi në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button