“Dora e Artë” – Çair, blini një produkt për vete dhe një tjetër vendoseni në raftin ku do të shërbehen nevojtarët

Disa qytetarë nga Komuna e Çairit kanë marrë iniciativë që gjatë kohës së jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19, por me këtë rast edhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, t’u ndihmojnë skamnorëve të kësaj komune. Motoja e aksionit është “Dora e Artë” dhe karakteristikë e kësaj iniciative janë raftet bamirëse. Në këto rafte të posaçme secili ka mundësi që të kontribuojë si sadaka, për shembull e blen një produkt për vete dhe mundësisht e paguan edhe një produkt tjetër i cili më pas vendoset në raftin ku do të mund të shërbehen nevojtarët.

Redaksia Portalb.mk, ka bërë intervistë me aktivistët, të cilët për shkaqe modeste, dëshiruan që intervista të mos bëhej në emër të një anëtari, por në emër të iniciativës.

Portalb: Kush është “Dora e Artë”, kur e keni filluar iniciativën?

“Dora e Artë”: “Dora e Artë”, jam unë, je ti dhe cilido qoftë nga qytetarët që janë të interesuar të kontribuojnë në çfarëdolloj mënyre për t’ia rikthyer buzëqeshjen dhe krenarinë familjeve me gjendje të rënduar sociale. Ndryshe, “Dora e Artë” është motoja e aksionit humnitar të disa aktivistëve qytetar dhe vullnetmirë për skamnorët. Ndodhitë e fundit lidhur me situatën e pandemisë, gjegjësisht virusin Covid-19, e kanë tronditur thuajse tërë botën, e rrjedhimisht, edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e këtij virusi autoritetet qeveritare kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, gjë që ka shkaktuar goditje të rëndë për ekonominë vendore. Në këtë mot të vështirësisë, aq më tepër kur ndodhemi në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, ne si grup qytetarësh nga komuna e Çairit kemi vendosur të solidarizohemi me atë grup qytetarësh që e kanë ndje më së shumti krizën e pandemisë, prandaj morëm iniciativën për të bashkëvepruar në një aktivitet kaq të nevojshëm në këto kohëra të vështira.

Portalb: Sa aktivistë keni, ku e keni selinë, apo a keni pika të grumbullimit të ndihmave humanitare ?

“Dora e Artë”: Ne tashmë i kemi ngritur shtabet e bamirësisë, duke i caktuar disa pika për tubimin e ushqimeve dhe pajisjeve të tjera, ndërsa paralelisht me këtë janë caktuar edhe disa aktivistë vullnetarë (mbi 20 persona) që po vizitojnë të gjitha lagjet e Çairit për t’i regjistruar rastet në nevojë, gjegjësisht, për t’i kontaktuar familjet me status të mirë financiar që me dorën e tyre të artë mund ta dëshmojnë bamirësinë ndaj fqinjëve të tyre. Ne nuk jemi organizatë e regjistruar me seli, por një dashamirë ka shfaqur dëshirën që t’na huazon pa kundërshpërblim lokalin e tij në dy kate për tubimin dhe përgatitjen e pakove ushqimore që gjendet në Serovë, afër spitalit gjinekologjik.

Portalb: Në çfarë vendi operoni dhe a keni plane që ta zgjeroni aktivitetin tuaj?

“Dora e Artë”: Iniciativa jonë për aksionin humanitar i dedikohet vetëm banorëve të cilët gravitojnë në hapësirat territoriale të komunës së Çairit, ndryshe thënë çairasit për çairasit, mirëpo pasi që çdo parim ka edhe përjashtim, edhe ne ndodh që të operojmë në raste të caktuara edhe jashtë kufijve të komunës sonë.

Portalb: Sa aksione humanitare keni realizuar deri më tani dhe me çka më së tepërmi i ndihmoni nevojtarët?

“Dora e Artë”: Aktiviteti jonë humanitar ka filluar që në ditën e parë të ramazanit me një buxhet simbolik të aktivistëve dhe që në vazhdim të shtohet bereqeti për të bërë aktivitete të ndryshme në ndihmë të skamnorëve. Fillimisht, dhe ajo që është risi për të cilën po shquhemi si aksion humanitar janë raftet bamirëse nëpër dyqanet ushqimore dhe marketet e mëdha. Këto rafte janë mirëpritur nga dhjetëra dyqane (markete), dhe janë funksionale në çdo zonë të Çairit. Pra në këto rafte të posaçme kanë mundësi që të kontribuojnë si sadaka jo vetëm të pasurit por çdokush sipas mundësive të veta (si psh. blen një produkt për vete dhe mundësisht paguan edhe një produkt tjetër që të lësh në raftin bamirës, e me këto produkte të raftit mund të shërbehet çdo nevojtar).  Poashtu që në javën e parë të Ramazanit kemi shpërndarë 87 pako ushqimore për 87 familje nevojtare. Gjithashtu me ndihmën e aktivistëve të cilët posedojnë leje qarkullimi, kemi realizuar aktivitet bamirës edhe gjatë orës policore, duke dërguar qumësht dhe gjëra tjera të nevojshme për familjet me fëmijë të vegjël.

Ndërsa kur jemi te produktet ushqimore, mundohemi që nevojtarët në sofrat e tyre të kenë produktet e njëjta që shtrojmë ne në sofrat tona. Përveç produkteve ushqimore ndihmojmë edhe me produkte higjienike dhe veshmbathje.

Portalb: Si i përzgjidhni familjet, apo personat të cilët i ndihmoni?

“Dora e Artë”:  Me të filluar iniciativën tonë, ne kemi hapur faqe dhe grup në rrjetin social facebook “Dora e Artë” në Çair ku kemi lënë edhe kontakt telefonin. Ky numër i kontaktit që nga dita e parë nuk ndalon së cingëruari, dhe kjo sa na “shqetëson” duke parë numrin e madh të nevojtarëve që kërkojnë ndihmë, aq më shumë na inkurajon që mos të ndalojmë së vepruari duke qenë në shërbim të tyre.  Kështu, ne i kontaktojmë familjet, ua marrim adresat dhe ju sigurojmë ndihmën e nevojshme. Ne veçmë kemi databazë të familjeve në nevojë, pasi që siç e potencova më lartë aktivistët tanë janë në terren për çdo ditë.

Portalb: A bashkëpunoni me iniciativa apo shoqata tjera humanitare?

Sigurisht që ne jemi të hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi si me njerëz vullnetmirë, ashtu edhe me shoqata humanitare, por që më duhet të potencoj se aksioni jonë vlen vetëm për Ramazan dhe vetëm për shkak të pandemisë, dhe si i tillë nuk bie ndesh me aksionet e rregullta të shoqatave bamirëse për të cilat kemi konsideratë dhe mirënjohje.

Portalb: Cilat janë synimet e juaja dhe çfarë planifikoni për në të ardhmen?

“Dora e Artë”: Synimet tona janë që të zbusim sadopak varfërinë në komunën e Çairit dhe të solidarizohemi me ata sidomos në muajin e bekuar të Ramazanit, pasi që çdo vepër bamirëse në këtë muaj ka vlerën dhe shpërblimin e dyfishtë. Në kuadër të aksionit tonë humanitar janë paraparë edhe një sërë aktivitetesh tjera përveç atyre të lartpërmendura. Shpresojmë që në vazhdim të dërgojmë disa pako ushqimore edhe për të burgosurit, që edhe ata si ne të kenë shtruar sofrat me përplot bereqet, e me këtë rast sipas nevojës do ti dërgojmë edhe disa batanije dhe libra të dhuruara nga donatorë të ndryshëm në adresë të Dorës së Artë. E krejt në fund të ramazanit planifikojmë që të sigurojmë veshmbathje të reja nga donatorët(tregtarë) për fëmijët e vegjël të familjeve nevojtare, në mënyrë që edhe ata ti gëzohen rrobave të reja si të gjithë fëmijët tanë për festën e Bajramit.

Portalb: A është kjo iniciativë vetëm për muajin e Ramazanit, apo do të vazhdoni edhe më tej?

“Dora e Artë”: Po, në parim qëllimi jonë është të operojmë vetëm gjatë muajit të bekuar të Ramazanit dhe krizën e pandemisë, dhe urojmë që së bashku me virusin Covid-19 të kalon edhe kriza tek qytetarët.

Portalb: Çka preferohet më shumë të ndihmojnë bamirësit dhe si mund ta bëjnë atë?

“Dora e Artë”: Ne në fillim të iniciativës kemi realizuar një video-incizim me deklaratë lidhur me mënyrën dhe formën e donacionit. Pra të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të jenë Dora e Artë për skamnorët, atë mund ta bëjnë qoftë në mjete financiare me të cilat përgatiten pako ushqimore, qoftë në përgatitjen dhe shpërndarjen e tyre. Njëjtë, si formë donacioni mund të jenë edhe veshmbathjet dhe gjëra tjera të nevojshme për nevojtarët, por kuptohet të jenë të përdorueshme (të reja). Të gjithë të interesuarit për kontribut le t’na kontaktojnë në numrat e telefonit: 072779454 dhe 070773427.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button