Kurti me kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 1 maj, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut, lidhur me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

“Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision”, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Kjo është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre, transmeton REL.

Më 30 prill, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button