Çfarë ndodhi në festën brenda hotelit në Itali, tregoi infermieri shqiptar

Ditën e djeshme bëri bujë në media lajmi se një grup mjekësh dhe infermierësh që ishin dërguar nga Shqipëria për të ndihmuar Italinë me situatën e vështirë të koronavirusit, ishin denoncuar dhe gjobitur me 500 euro. Sipas mediave italiane, shkak për këtë ishte bërë një festë që ata kishin bërë në një dhomë në hotelin ku po qëndronin, në një kohë kur grumbullimet nuk lejohen. Po ashtu, thuhej se ata po festonin me muzikë të lartë, alkool dhe pa maska e doreza.

Një prej infermierëve shqiptarë që u dërgua me grupin e parë, Korab Gjana ka folur për ABC News dhe ka thënë se janë ekzagjerime të mediave. Sipas tij, mjekët dhe infermierët kanë marrë vërejtje për zhurmën, por s’kanë marrë asnjë gjobë, transmeton Class.

“Reagimi i gazetave ishte shumë i ekzagjeruar, sepse nuk ka qenë ashtu situata, edhe pse s’kam qenë pjesë personalisht në ato momente. Momentet e gëzimit nga marrja e përgjigjeve negative të tamponeve Covid-19 ishin indicie për gëzim, si dhe kthimi në Shqipëri, pranë familjeve tona.

Kur vajtëm atje u publikua se mjekët dhe infermieret s’kanë dokumente. Ky informacion nuk ishte i vërtetë, sepse të nesërmen ne vazhduam punë. Këto publikime nuk janë të këndshme.

Por nuk e hedhin dot poshtë punën tonë dhe përfaqësimin e vendit, që bëri bujë sesi Shqipëria aq e vogël dhe e varfër arriti t’u ishte pranë italianëve në këto ditë të vështira. Në dijeninë time kanë pasur vërejtje për zhurmën, por jo që janë gjobitur apo paguar gjobë”, -ka thënë Gjana.

Pas kthimit nga Italia, grupi i mjekëve dhe infermierëve do të qëndrojnë të karantinuar në shtëpi për 14 ditë, para se t’i rikthehen punës në Qendrën Spitalore Nënë Tereza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button