Pastrimi i deponisë së vogël me lindan toksik do të zgjasë më shumë sesa ishte planifikuar

Afati i fundit për pastrimin e deponisë së vogël të lindanit toksik në oborrin e OHIS-it skadon në fund të vitit të ardhshëm. Punët në terren nuk kanë filluar ende, sepse, për shkak të pandemisë së koronavirusit është vonuar përzgjedhja e kompanisë që do të duhet të mbledhë dhe transportojë kimikatin e rrezikshëm. Trajtimi i deponisë së vogël mund të zgjasë deri në 18 muaj, që do të thotë se është e sigurt që afatet do të tejkalohen, njofton Portalb.mk.

Nga Ministria e mjedisit jetësor thonë se kufijtë e mbyllur dhe lëvizja e kufizuar, që është pasojë e përhapjes së Kovid 19, janë arsye objektive që nuk mund të shmangen dhe ato duhet të pranohen nga donatori i projektit. Ndërkohë, komisioni i tenderit, i përbërë nga ekspertë të Agjencisë së Kombeve të bashkuara për zhvillimin industrial, UNIDO dhe Ministria jonë, ka përfunduar tenderin dhe po punon për vlerësimin financiar të ofertave.

“Nga gjithsej pesë oferta të paraqitura, janë përzgjedhur dy që ofrojnë zgjidhjen më të pranueshme. Mbetet të zgjedhim njërin prej tyre, e kjo do të ndodhë pas negociatave të fundit me dy ofertuesit më të mirë. Atyre u kërkohet të rregullojnë çmimet e disa prej shërbimeve të ofruara, për fazat e dhëna të procesit të pastrimit. Shpresojmë që së shpejti të arrihet një marrëveshje dhe më në fund do të dihet se kush është ofertuesi i zgjedhur ”, njoftoi Ministria e Mjedisit.

Nga atje ata thonë se procedura nuk ishte ndalur në asnjë moment, por vlerësimi u zhvillua me një ritëm të ngadalësuar në dy muajt e fundit, për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme me pandeminë.

“Presim që donatori do të marrë parasysh që pandemia është pengesë objektive për përfundim më të shpejtë të procesit të përzgjedhjes, prandaj në përputhje me rrethanat do të tregojë fleksibilitet nëse ka nevojë për të zgjatur afatin për përfundimin e projektit”, thonë nga ministria.

Deponitë me lindan janë një nga pikat ekologjike më të nxehta në vend. Mbetjet e rrezikshme nga e kaluara, pasojë e funksionimit të ish-gjigantit kimik OHIS, për dekada të tëra e kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Shkupit. Në oborrin e OHIS-it gjenden një deponi e vogël dhe e madhe, në të cilat besohet se ka më shumë se 13.000 ton Lindan, i mbuluar me 20.000 ton tokë, e cila deri më tani është kontaminuar plotësisht dhe është një mbeturinë e rrezikshme. Supozohet se në OHIS ekziston edhe deponia e tretë, ndërsa sipas informacioneve nga ish-punonjës lindan ka të gropuar edhe në rrethin e lokalitetit “Pelenica” afër Draçevës.

Profesori i Institutit të Kimisë në Fakultetin e shkencave natyrore dhe matematikës në Shkup, Trajçe Stafillov, pas hulumtimeve të shumta në terren në OHIS, paralajmëron se mbeturinat e depozituara në mënyrë jo të duhur ndikojnë drejtpërdrejt dhe e ndotin tokën, ujërat nëntokësore dhe ajrin. Lindan është një insekticid me spektër të gjerë që përdoret për të trajtuar tokën dhe pemët në të kaluarën si mbrojtje ndaj parazitëve, derisa para më shumë se 40 vjet u ndalua për shkak të toksicitetit të tij.

“Ndikimi i substancave toksike që janë të pranishme në OHIS për dekada të tëra është jashtëzakonisht e madhe dhe rrezikon seriozisht shëndetin e njerëzve. Kjo është arsyeja për të cilën pastrimi i këtyre deponive me mbeturina nga e kaluara duhet të vazhdojë derisa të mënjanohet edhe kimikati i fundit. Jo vetëm lindani, por edhe zhiva (merkuri) nga reparti i elektrolizës. Këto janë projekte në shkallë të gjerë dhe të shtrenjta, të cilat më pas do të duhet të vazhdojnë me dekontaminimin e gjithë zonës së ish-OHIS, si të tokës ashtu edhe të ujërave nëntokësore”, thotë Stafilov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button