Kosovë, Vitia: Pas 4 majit mund të dyfishohet ora e lëvizjes dhe disa biznese do të fillojnë punën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes dhe t’i përmbahen udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasi nëse do të ketë rritje të menjëhershme të të infektuarve, kolapsimin e sistemit shëndetësor do ta shohim brenda ditësh, jo brenda javësh e muajsh.

Vitia duke përmendur hapjen e disa bizneseve pas 4 majit, tha se heqja e masave do të varet nga situata epidemiologjike.

“Ka disa ditë që kurba është duke lëvizur teposhtë dhe përqindja ditore ka shënuar rënie. Por, pavarësisht kësaj, është vështirë të thuhet se është koha që ka filluar përmirësimi. Shpresoj që do të vazhdojë kjo ulje dhe më 4 maj do të fillojmë me zbutjen e masave të vendosura. Edhe lirimin e masave jemi detyruar ta bëjmë në disa etapa. Në fillim edhe liria e lëvizjes e qytetarëve, pra koha kur do të dalin nuk do të jetë shumë më e gjerë ngase është tani. Ne mund të dyfishojmë orën e lëvizjes nga 1 orë e 30 minuta sa është tani. Kjo është duke u diskutuar dhe mendojmë që ta bëjmë dy herë nga 90 minuta dhe njëra të bëhet nga ora 10 deri më 16 për shërbimet e nevojshme. Do të kenë mundësitë të dalin dy herë në ditë, ku njëra nga herët do të jetë në këtë orar dhe për këtë arsye nuk do të ketë rotacion”, u shpreh Vitia.

Vitia në Rubikon tha se gjatë periudhës së fazës së parë që është nga 4 maj deri më 18 maj krahas lehtësimit të masave janë edhe protokollet, veçanërisht për bizneset që do të hapen, transmeton Telegrafi.

“Disa biznese që ndikojnë drejtëpërdrejt te jeta e qytetarëve siç është ndërtimtaria, por edhe aty do të ketë shumë protokolle që tashmë janë hartuar”, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë.

Vitia tha se qytetarët në masë të madhe kanë respektuar masat, prandaj edhe ka sukses në trajtimin e pandemisë.

Ai ka thënë se Kosova është më mirë se sa vendet e rajonit sa i përket gjendjes me pandeminë por fatmirësisht edhe në rajon situata ka nisur të përmirësohet dhe në koordinim me këto vende do të diskutohet se kur do të hapen kufijtë me shtetet.

Sipas tij, deri tani më shumë ka të panjohura lidhur me virusin Covid-19, se sa që ka të njohura dhe beson se do të kalojë kohë derisa të marrin përgjigje.

“Ne na mbetet të shpresojmë që do të gjendet vaksina kundër këtij virusi dhe të kemi kujdes sepse nëse do të ketë numër të madh, kolapsimin e sistemit shëndetësor do ta shohim brenda ditësh, jo brenda javësh apo muajsh”, tha ai.

Dentistët dhe fizoterapeutët do të kenë mundësi të punojnë në fazën e dytë, pas 18 majit. Kurse, aktivitet sportive do të hapen në fazën e tretë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button