Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (4)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, dimë se jeni një ndër poetët e tillë, poezitë e të cilit janë përzgjedhur të përfshihen edhe në antologji evropiane e të përkthehen edhe në gjuhë tjera. Vëllimet tuaja me poezi shprehin një poet me shpirt rebel, të mbushur me dashuri e të ushqyer me vepra letrare. Nga këto të fundit cilat i keni në dorë këtë kohë karantine dhe i sugjeroni të bëhen shoqërues edhe për lexuesit tjerë?

Prof. dr. Salajdin SALIHU: Gjatë kësaj kohe vetëveçimi kam lexuar disa libra eseistikë dhe historikë. Kjo kohë, përpos mbylljes, ka sjellë mjaft hapësirë për t’u marrë me shkrime e me studime varësisht nga natyra e tyre. Veprat të cilat më shoqërojnë në këtë kohë janë:

  1. “Murtaja – Albert Camus – I jam rikthyer kësaj vepre, ngase është gjeniale. Ajo flet për epideminë, karantinën, frikën nga vdekja, solidaritetin njerëzor, por edhe për përfitimet meskine në kohë të vështira. Është kjo një vepër, në të cilën ndonëse gjithçka është e sajuar, duket sikur gjithçka është më reale se realiteti. Ja, kjo është letërsia e mirë, universale, e përjetshme!!!
  2. Poezi” – Adam Zagajewski – Kam lexuar me nge një përzgjedhje poetike të Adam Zagajevskit. Më pëlqen ky evropian i mirë, që dëshiron të jetë aty ku është miqësia dhe solidariteti njerëzor. Është ky intelektuali që nuk dëshiron një Evropë të përgjumur mbuluar me batanije kufijsh dhe me urrejtjet e moçme. Krijon poezi në dukje shumë të thjeshta, por tepër të thella. Si puna e aisbergut.

3.“Historia e arbëreshëve të Zarës”- Mijo Çurkoviqi – Sapo përfundova së lexuari këtë libërth të botuar në vitin 1922.  Autor është Çurkoviqi nga Arbanasi i Zarës. Këtë vepër autori ua kushtonte vendësve të tij. Aty flet për historinë e vendësve dhe përmend shumë personalitete me origjinë arbëreshe. Don M. Çurkoviq ishte kompozitor. Kishte studiuar për teologji dhe muzikë. Si intelektual punoi për ngritjen e vetëdijes kombëtare të arbëreshëve të Zarës. Vepra ka gjëra mjaft interesante, të cilat besoj se do i hyjnë në punë edhe lexuesit.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja shohim se vështrimin kryesor e keni te figura e gruas në veprat e Spasses, Migjenit dhe Floberit. Kjo përzgjedhje juaja sjell diçka të pathënë më parë për këtë figurë. Pse pikërisht kjo dhe a ju ka gjetur edhe koha e karantinimit me vepra që në qendër kanë gruan e të tillat i sugjeroni edhe për lexuesin e sotëm?

Prof. dr. Zejnepe ALILI-REXHEPI: Të them të drejtën përzgjedhja e temave me figurën e gruas në qendër, gjithmonë ka qenë në interes timin, duke e njohur psikologjinë dhe shpirtin e saj, por edhe duke dashur ta nxjerrë atë para figurës së mashkullit, që trajtohej më shumë se ajo. Por temat e tilla në studimet e mia kanë ardhur edhe si nxitje nga mentorët e mi, profesor A. Vinca dhe profesor A. Mustafa. Veprat që i kam tani në duar ua sugjeroj edhe lexuesve të tjerë:

  1. “Kohë e pamjaftueshme” (kujtime)Helena Kadare – Një vepër memoar, e mbështetur në kujtesën e një “gruaje”. Vepër e pasur me fragmente jetësore situatash të (pa)zakonshme, për ngjarje krejtësisht të zakonshme. Shënimet e një shkrimtareje (H. Kadare), të ruajtura nga një kohë e pakohë, kur vetvetiu jeta shndërrohej në refleks, duke e humbur vërtetësinë e duhur. Kujtimet shpalosin mendime, përjetime, shprehje…, gjithmonë me të bukurën e sinqeritetit dhe modestisë, që narratoren (autoren) e lartëson për shkathtësinë rrëfimore, teksa vepra del më shumë se përjetim, në fakt, një kryevepër.
  2. “Portreti i gruas”Henry JamesSubjekt që në qendërzim të rrëfimit ka “përballjen me fatin”, nëpër vijimin e jetës së kryeprotagonistes, ku nganjëherë bëhen zgjedhjet e gabuara. Shpesh, shoqëritë njerëzore e pasqyrojnë dramën e tyre, madje sa e sa herë mbi histori individuale, ku lindin personazhe “të fuqishëm”, që guxojnë më shumë seç u lejohet. Njësoj si në këtë roman, lexuesi ka njohur edhe protagonistet, si: Ema Bovari (“Zonja Bovari”), Ana Karenina, Tereza Deskoire etj… E më pas, një sërë temash mbi fatalitete të tilla, ngrenë parabola e studime shembullore për fatet njerëzore.
  3. “Emri i trëndafilit”Umberto EcoNjë kryevepër botërore, që të tërheq brenda një leximi të dyfishtë, si një double coding, me sensin e përzgjedhjes së lexuesit me njohje ndërtekstuale, pra atij me përvojë leximore mbi një shumësi kuptimesh. Midis këtyre, gjithmonë të mbërthen dilema, nëse mund t’i quash bestseller cilësorë apo vepra shkencore-letrare. Shija ime leximore mbetet midis të dyjave!

VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button