12 ventilatorët e parë mekanik për frymëmarrje nga BE-ja iu dorëzuan Ministrisë së Shëndetësisë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Samuel Zhbogar dorëzoi 12 ventilatorë mekanik Ministrit për Punë të Jashtme, Nikola Dimitrov dhe Zëvendës Ministrit të Shëndetësisë, Armend Arsllani për të përforcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor në luftën kundër COVID-19. BE-ja gjithashtu siguroi 5,000 maska mbrojtëse. Kjo dërgesë fillestare është pjesë e përkrahjes së paralajmëruar financiare nga BE-ja në vlerë prej 4 milionë eurove Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për sigurim urgjent të pajisjes dhe materialeve të domosdoshme mjekësore.

“Kjo është dërgesa e parë nga ndihma e solidaritetit e BE-së për Maqedoninë e Veriut për të luftuar COVID-19.  Edhe më shumë do arrijë në javët që vijnë. Ne e kemi mbështetur dhe do vazhdojmë ta mbështesim vendin dhe popullin e saj për tu ballafaquar me këtë sfidë të përbashkët,” deklaroi Ambasadori Zhbogar.

Në përputhje me prioritetet qeveritare, mbështetja nga BE-ja do të përdoret për të siguruar 20 aparate për frymëmarrje mekanike, 20 monitorë për përkujdesje intensive, 626 komplete për 31,300 teste dhe afër 40.000 njësi të pajisjes së ndryshme mjekësore si maska oksigjeni, filterë, kateterë dhe materiale tjera për sistemin e shëndetësisë. Fondet e disponueshme gjithashtu po shfrytëzohen për sigurimin e pajisjes shumë të nevojshme mbrojtëse për stafin mjekësor si 30,000 maska, 100,000 maska kirurgjike, 750,000 dorëza, 20,000 syze mbrojtëse dhe materiale tjera thelbësore personale mbrojtëse. Kjo përbën ndihmën më domethënëse ndërkombëtare të cilën e ka pranuar vendi në luftën kundër pasojave që i ka shkaktuar epidemia e virusit të ri korona.

“Në këto kohëra veçanërisht të pasigurta për tërë botën, ndihma konkrete dhe në veçanti e dukshme nga Bashkimi Evropian si padyshim donatori më i madh në këtë krizë të shkaktuar nga pandemia jep ndjenjën e bashkimit, solidaritetit dhe sigurisë, se së bashku do t’ia dalim nga kjo fatkeqësi.

Se trajtohemi pothuajse si vend anëtar i Unionit, në kuptim të përfshirjes tonë në mekanizma dhe fonde për trajtim të pandemisë nga virusi COVID-19 dhe pasojat nga kjo, flet jo vetëm donacioni i  sotshëm domethënës që vjen në momentin e duhur –  12 ventilatorë plotësisht të rinj, si dhe 5000 maska mbrojtëse FFP2 për stafin mjekësor por edhe ndihma e tërësishme e planifikuar e tyre deri tash. Dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë Bashkimit Evropian që i njohu dhe i mbështeti përpjekjet tona për të dale në krye me këtë sfidë globale dhe falënderim të veçantë që na dhatë ndjenjën e përkatësisë në skuadrin Evropa,” deklaroi Ministri i jashtëm Dimitrov.

Sigurimi i pajisjes dhe materialeve prioritare realizohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbime projektuese (UNOPS), e cila ne nivel global ka filluar procedura për furnizim emergjent për t’i ndihmuar vendet në trajtimin e krizës së shkaktuar nga pandemia. E tërë sasia e pajisjes mjekësore dhe materialet pritet të sigurohen kah fillimi i muajit qershor, 2020.

Në fazën e parë të projektit, Ministria e Shëndetësisë pranoi 12 ventilatorë plotësisht të rinj që do të jenë në dispozicion për trajtimin e rasteve më të ndërlikuara në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe gjendje fibrile si dhe në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “8 shtatori” në Shkup, si dhe 5,000 FFP2 maska mbrojtëse që janë pjesë e pajisjes personale mbrojtëse për stafin mjekësor,” tha Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Arsllani

Përveç përkrahjes që iu është dhënë Maqedonisë së Veriut për t’iu përgjigjur krizës së pandemisë, Bashkimi Evropian ka siguruar përkrahje prej 66 milionë eurove vendit për të zbutur ndikimin e COVID-19 dhe është në proces të sigurimit të 160 milionë eurove plotësuese në formë të huave për të trajtuar sfidat fiskale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button