Xhamia e Pashës në Tetovë më e bukura se gjitha xhamitë e Stambollit

Kasabaja e Tetovës (Kalkandelen), sipas disa burimeve, ka rënë nën administrimin osman nga viti 1392. -Nga trashëgimia osmane kanë mbetur në këtë qytet 7 xhami dhe godina të tjera të kohës. -Xhamia më e vjetër konsiderohet ajo e Gamgamit, e cila para disa vitesh u rindërtua. -Abdurrahman Pasha, si administrator, rindërtoi Xhaminë e Pashës (1833) dhe ndërtoi disa objekte të tjera funksionale e strategjike. -Vlerat e Xhamisë së Pashës janë të mbrojtura nga UNESCO-ja. -Kush e dëmtoi këtë xhami në prill të vitit 2001?

Ismail Arsllani
Shkruan: Ismail Arsllani

PROLOG: Një anekdotë pak e dëgjuar për bukuritë mahnitëse të Xhamisë së Pashës, që flitej nëpër odat e burrave në kasabanë e Tetovës, një kohë e shumë vite më parë, m’u kthjell në kujtesë, sikur m’u hoq për një çast veli i imazhit të bisedave pasdarkeve tetovare (pa TV e smart-telefona), nën  tingëllimën e lugëve alla-turka të çajit dhe qërimit të patateve të vrugëta në pjata prej porcelani. Muhabet pas muhabeti, fjala eci fushë e kodër, pa një çik goje për politikë dhe, hop, u ndal të Xhamia e Pashës, ku, sikur sharra hasi në gozhdë. Fjalë koti: “filan-fistek” pashai e kishte ndërtuar xhaminë…tjetri, jo, dy motra të pa martuara e kishin ndërtuar…e kështu u tjerr një kohë, derisa një plak i ulur në shilte, në krye të vendit, u kollit disa herë, për të heshtur të gjithë. Ishte ky një plak që kishte bërë shtatë vjet kurbet në Stamboll, në fillim të shekullit XX: “Kam ecur, me vite, nëpër çdo sokak të Stambollit, për punë tregtie…jam lutur, të thuash, në çdo xhami të këtij qyteti perandorak, por xhami më të bukur se kjo e pashës që e kemi ne dy hapa afër, s’pashë dot kurrë…!”, ishte kategorik plaku me mustaqe të kuqërremtë. Ç’thonë, por, ekspertët, historianët e artit?

Xhamia

Qyteti i Tetovës (Kallkandelen shehiri), sipas disa burimeve arkivore, është pushtuar nga osmanët, pas rënies së Shkupit në vitin 1390-92. Sikundër edhe në qytetet e tjera të pushtuara, edhe në këtë qytet, osmanët, me ardhjen në këto troje, kanë filluar me ndërtimin e xhamive, të cilat, si godina qendrore arkitekturale të qyteteve, kanë qenë në qendër të jetës së përditshme fetare të myslimanëve.

Në qytetin e Tetovës, pas largimit të osmanëve nga këto territore, në fillim të shekullit XX, kanë mbetur në trashëgim 7 xhami, që kishin karakteristika të theksuara orientale islame, nga të cilat shumica janë riparuar ose janë rindërtuar nga themeli. Sipas rëndësisë që kanë, përmenden: Xhamia e Larme /e Pashës/, që është ndërtuar në shekullin XVI, Xhamia Eski /e Vjetër/, e ndërtuar nga fundi i shekullit XV, sikundër edhe Xhamia e Sahatit, si dhe Xhamia e Gamgamit, e cila, sipas disa të dhënave, është një nga më të vjetrat në qytet, kurse objekti i ruajtur është riparuar nga shekulli XVI. Pastaj është edhe Xhamia Qypri /e Urës/, e riparuar në vitin 1847, Xhamia e Tabhanës, e ndërtuar në themelet e një të vjetre, e cila ka qenë e ngjashme me Xhaminë e Sahatit, si dhe Xhamia e Muharemçes, një godinë e vogël e vjetër nga shekulli XIX, mbi të cilën është bërë riparimi themelor.

Administratori i Perandorisë osmane në Tetovë, Abdurrahman Pasha, sikundër edhe i ati i tij, Koxha Rexhep Pasha, gjatë kohës së pushtetit të tyre në rajonin më të gjerë të Tetovës, ishin angazhuar për ngritjen e godinave kulturore e strategjike, si dhe për meremetimin e atyre ekzistuese.

Si më të njohura nga godinat e ndërtuara në Tetovë janë: Xhamia e Larme, ose e Pashës, e cila është ndërtuar në vitin 1495 nga motrat Hyrshide dhe Mensure Hatuni, që kanë qenë oborrtare në Oborrin perandorak, ndërkohë që ajo është  meremetuar në gjysmën e parë të shekullit XIX (1833), nga ana e Abdurrahman Pashës. Kjo xhami, që gjendet në pjesën qendrore të qytetit, edhe sot funksionon dhe është në shërbim të besimtarëve islamë.

Sipas historianit të artit, Behixhudin Shehapi nga Tetova, Xhamia e Larme (apo e Pashës) në Tetovë është  ndërtuar më 1495, kurse është riparuar më 1833. Të dhënat për ndërtimin e kësaj xhamie i mësojmë nga mbishkrimi i ruajtur, i gdhendur në pllakën e mermerit, të vendosur mbi derën e hyrjes së xhamisë.

“Xhamia e Pashës është e vogël, por është mjaft e rëndësishme për nga pamja e saj arkitekturale, dekorimet orientale, me arabeska dhe ornamente të vlerës së lartë artistike, që vlerësohen shumë nga ekspertë të artit pamor dhe për këtë shkak tërë kompleksi është nën mbrojtjen e shtetit. Ajo ka një tremë (sofë) me shtylla, minare të hollë e punuar nga guri, kurse vetë objekti është i mbuluar me tjegulla. Atë që e bën tërheqëse dhe interesante këtë xhami për vizitorët është dekorimi i saj shumë i pasur në sipërfaqet e mureve. Në enterier dhe në muret e eksterierit, me këtë dekorim të jashtëzakonshëm janë paraqitur motivet gjeometrike dhe elementet nga flora, si dhe improvizime të tjera dekorative. Oborri i Xhamisë së Pashës, ku gjenden tyrbja dhe shatërvani, është i rrethuar me mure të trasha nga guri, me një varg dritaresh me parmakë druri. Këto mure, me iniciativë të BFI-së, ishin riparuar në vitin 1991. Xhamia e Pashës, si monument i kulturës të kategorisë së parë, me vlera të jashtëzakonshme arkitektonike dhe artistike, është në regjistrin e objekteve nën mbrojtjen e UNESCO-s”, thotë Behixhudin Shehapi.

Gjatë konfliktit të armatosur, në prill të vitit 2001, Xhamia e Pashës për herë të parë ishte e dëmtuar nga pjesëtarët e forcave të sigurisë, të cilët duke shtënë me armë automatike nga një autoblindë në drejtim të murit ballor, dëmtuan objektin. Janë bërë nja dhjetë vrima në mur dhe janë shkaktuar dëmtime në “tranzetat” e dritareve.

Pas këtij dëmtimi të parë mbi integritetin e kësaj xhamie, është bërë atak edhe tri herë të tjera, me ç’rast janë shkaktuar dëmtime më të vogla, madje është vjedhur edhe pllaka e bronzit nga fasada e saj, që e karakterizonte këtë monument të kulturës.

Xhamia e Pashës është simbol i qytetit dhe ajo ka një vend të veçantë në fizionominë e tij. Në harmoninë hapësinore të kësaj pjese të qytetit, ku theksohen vlerat e ambientit natyror, spikatet pikërisht xhamia. Me dëmtimin e Xhamisë së Pashës, në fakt bëhet dëmtimi i “zemrës” së qytetit, ndaj dhe habit mospërkujdesja e institucioneve kompetente shtetërore për mbrojtjen e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button