Kafshët shtëpiake nuk e transmetojnë virusin Covid-19, nuk ka prova që ta dëshmojnë të kundërtën

Një tjetër dezinformatë lidhur me koronavirusin që po qarkullon ditëve të fundit është se kafshët shtëpiake mund të transmetojnë virusin. Edhe në Kosovë u raportua se “kafshët shtëpiake mund të preken nga koronavirusi e madje edhe të infektojnë pronarët e tyre” derisa një tjetër informacion që u shpërnda ishte ai se qentë endacakë mund të jenë ata që kanë përhapur koronavirusin nga lakuriqët tek njerëzit.

Në nivel global, vetëm dy qen dhe dy mace kanë testuar pozitive për virusin, sipas Shoqatës Amerikane të Mjekësisë Veterinare (AVMA). Rasti i parë ishte shënuar në Hong Kong, në fund të muajit shkurt dhe ekspertët e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve kishin konkluduar se virusi ishte transmetuar nga një person i prekur me virus te qeni i tij. Edhe dy raste të tjera ishin në Hong Kong ndërkaq edhe në Belgjikë ishte prekur një mace nga virusi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri më tani, nuk ka asnjë provë që një qen, mace ose ndonjë kafshë mund të transmetojë virusin, Covid-19. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se nuk ka asnjë provë që kafshët shtëpiake mund të përhapin Covid-19 te njerëzit.

Sipas një studimi të botuar në New England Journal of Medicine, koronavirusi mund të mbijetojë në plastikë për 72 orë, në çelik për 48 orë, në karton për 24 orë dhe në bakër për 4 orë. Lidhur me mundësitë e mbijetimit të virusit në gëzofin e kafshëve shtëpiake ende nuk është ndërmarrë ndonjë test.

Autor: Dren Gërguri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button