RMV, INVI IDEA: Përmes produkteve multimediale do ta rritim vetëdijen për dëmet që i shkakton korrupsoni

“Korrupsioni vret” – është titulli i projektit të zbatuar nga Shoqata për Promovimin e Arteve Multimediale INVI IDEA me qendër në Gostivar. Përmes video-porosive dhe dokumentarit hulumtues, ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht rajonit të Pollogut, për pasojat fatale të korrupsionit.

Sipas kryetarit të shoqatës, Burim Bilalli, qëllimi i projektit është të arrihet një vetëdije dhe perceptim më i avancuar i qytetarëve për praninë e korrupsionit dhe nevojën për të dënuar rastet dhe praktikat e korrupsionit.

“Ne synojmë ta arrijmë këtë përmes produkteve multimediale, pasi këto produkte konsumohen nga një audiencë më e gjerë. Përmbajtjet multimediale do të transmetohet në mediat kombëtare dhe lokale. Projekti përfshin një dokumentar dhe të paktën 10 video sensibilizuese të shkurtra për të rritur ndërgjegjësimin për dëmin që shkakton ky fenomen negativ në një shoqëri dhe në një shtet “, thotë ai.

Një tjetër synim i projektit, sipas Bilallit, është të trajnojë gazetarët se si të raportojnë për korrupsionin, ndërsa në të njëjtën kohë t’i trajnojë ata se si të përdorin sa më mirë gazetarinë si një mjet për të luftuar korrupsionin.

“Në këtë drejtim, ne do t’i ofrojmë të gjitha teknikat dhe mjetet e nevojshme se si ta hulumtojmë korrupsionin ose keqadministrimin në institucione, si të përdorim Ligjin për qasje të lirë te informacioni publik në Maqedoninë Veriore, bazat e të dhënave të hapura, Regjistrin Qendror për kompanitë, etj.” thotë Bilalli.

Sipas tij,  është shumë e nevojshëm të fillohet me aksion për të ndryshuar perceptimin e njerëzve për korrupsionin si një fenomen negativ dhe për të krijuar vetëdije më të madhe te qytetarët dhe nëpunësit shtetëror për të raportuar rastet e korrupsionit në institucionet përkatëse, OJQ apo media.

“Kështu, ne do t’i inkurajojmë fishkëlluesit që më me guxim ta raportojnë për korrupsionin në institucione ose kompani ku janë të punësuar,” thekson Bilalli.

Ky projekt zbatohet në kuadër të projektit “Së bashku kundër korrupsionit”, i implementuar nga Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedoni, Qendra e Zhvillimit të Mediave MEDIUM dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut, ndërsa  financohet nga Bashkimi Evropian (BE).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button