fbpx

ANALIZË: Çfarë do të ndodhë me çmimet në RMV – inflacioni “lartë” ose “poshtë”!

Në “kulmin e konsumit në mars” janë regjistruar “simptomat” e para të rritjes së shpenzimeve të jetesës për disa produkte ushqimore, si p.sh. vaji, sheqeri, ëmbëlsirat, qumështi, vezët. Konsumi i shtuar vazhdoi edhe në muajin prill, e stimuluar në mënyrë shtesë nga ditët e festave, por edhe nga ora e zgjatur policore, deri të martën, në orën pesë të mëngjesit. Qytetarët përsëri i mbushën torbat dhe qeset e tyre nëpër dyqane dhe tregje. Ekonomistët janë duke zhvilluar dy skenarë për lëvizjen e çmimeve. Në eurozonë është regjistruar rënie e inflacionit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Çmimet e ushqimit po rriten, ndërsa çmimet e karburanteve po bien… 

Një kilogram mish qengji është 320 den, ndërsa një kilogram mish viçi 310 denarë. Para fillimit të orës më të gjatë policore, nga e premtja deri të martën, vërehej një përsëritje e “histerisë konsumatore” nga fillimi i krizës së koronavirusit, tani e intensifikuar edhe më shumë për shkak të festës së krishterë të Pashkëve.

Tregu i Gjelbër, produkte, analiza ekonomike

Disa nga çmimet e produkteve ushqimore bazë nuk kanë ndryshuar, por çmimet e disa perimeve dhe pemëve, sipas qytetarëve, janë rritur.

“Ja, çmimi për një kilogram qepë është 50 denarë. Domatet shiten për më shumë se 110 denarë. Shtrenjtë është.” – thotë një shkupjane që e takuam në njërin nga tregjet e gjelbra të qytetit.

Një kilogram tranguj të freskët, para festës, u shitën për 80 denarë, ndërsa çmimi i lakrës ishte 39 denarë për kilogram.

Rritja e çmimeve të produkteve industriale-ushqimore është regjistruar edhe nga Enti i Statistikave, me ç’rast çmimet në mars të këtij viti janë rritur për 3.5% në krahasim me marsin e vitit të kaluar. Në muajin e tretë, pati një rritje prej 1.3% të çmimeve të produkteve industriale, si dhe një rritje të vogël të çmimeve të produkteve industriale jo ushqimore, të duhanit, të shërbimeve.

Tregu i Gjelbër, produkte, analiza ekonomike

Një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të jetesës është regjistruar për disa nga produktet ushqimore në muajin në të cilin edhe zyrtarisht filluan masat kufizuese për t’u përballë me krizën e Covid-19. Konkretisht, vetëm te çmimet e vajrave dhe të yndyrnave shpenzimet e jetesës janë rritur për12.6%, por rritje ka edhe te buka, sheqeri, ëmbëlsirat.

Dy skenarë për lëvizjet e çmimeve…

Inflacioni në vend do ta ruajë nivelin “mesatar”, dhe nuk do të kalojë 2% këtë vit. Ky është vlerësimi i ekonomistëve, i shprehur në Anketën e re mbi pritjet për PBB-në dhe inflacionin, që e publikoi Banka Popullore.

“Pritjet mesatare për vitin 2020 dhe 2021 në esencë mbeten të pandryshuara në krahasim me anketën e mëparshme dhe tregojnë për një përqindje mesatare prej 1.6% në vitin 2020, gjegjësisht 2% për vitin 2021, ndërsa inflacion prej rreth 2.0% pritet edhe në vitin 2022” – thuhet në Anketë.

Tregu i Gjelbër, produkte, analiza ekonomike
Tregu i Gjelbër

Megjithatë, ekonomistët përmendin dy skenarë, të dyja si rezultat i krizës së Covid-19. Në skenarin e parë, inflacioni do të ulet si rezultat i uljes së çmimit të derivateve të naftës në tregjet botërore dhe i kërkesës së zvogëluar, mirëpo në skenarin e dytë – kanalet e ndërprera tregtare mund të shkaktojnë rritje të çmimeve.

“Të anketuarit e citojnë pasigurinë dhe rreziqet në rënie të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, rënien e çmimeve të naftës në bursat botërore dhe kërkesën e zvogëluar të brendshme si faktorë që do të kontribuonin për uljen e përqindjes së inflacionit.” “Nga ana tjetër, pritjet e tyre për presionet për inflacion më të lartë ata i mbështesin me tronditjet e shkaktuara nga kërkesa dhe oferta, si dhe kanalet e ndërprera të tregtisë”- shkruan në hulumtim.

Në suaza evropiane, në mars tashmë është regjistruar rënie e inflacionit, kryesisht si rezultat i rënies së çmimeve të energjisë. Kështu, në nivelin e eurozonës, përqindja vjetore e inflacionit ra në 0.7%, ndërsa rënie më të madhe të inflacionit kishte në Francë dhe Gjermani.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close