Spanja i publikoi datat e lirimit nga kufizimi

Në Spanjë u shënua të dielën numri më i ulët i vdekjeve ditore nga koronavirusi në këto katër javë, por qeveria është e vendosur të shtyjë me 15 ditë të tjera masat e izolimit për banorët me shpresën se do të stabilizohet edhe numri i rasteve të reja, transmeton OraNews.

Spanja parashikon të zgjatë deri në javën e dytë të majit masat për mospërhapjen e koronavirusit, teksa mbi 20 mijë persona kanë gjetur vdekjen prej tij.

Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi se pas 27 prillit do të nisë lehtësimi i regjimit të lëvizjes për fëmijët ndërsa gjendja e jashtëzakonshme do të lehtësohet gradualisht për qytetarët e tjerë pas 11 majit.

Kërkesa për këtë do i drejtohet parlamentit, ku Sánchez i nevojiten edhe votat e opozitës, e cila më parë ka kundërshtuar një pakt mbipartiak për rindërtimin social dhe ekonomik të vendit pas krizës.

“Po mendojmë për një marshim të ngadaltë drejt normalitetit. Pjesën më të vështirë e kemi arritur por arritjet janë ende të pamjaftueshme dhe mbi të gjitha të brishta për zgjidhjet e parakoshme,” deklaroi kryeministri spanjoll.

Sipas kreut të qeverisë, situata me pandeminë Covid-19 në vend po përmirësohet.

Një ditë më parë u vendos edhe mbyllja e sallës private të konferencave që prej datës 20 mars u shërbente mbi 3 mijë pacientëve me koronavirus.

Të dielën, Spanja shënoi numrin më të ulët prej katër javësh të vdekjeve ditore, 410 të tilla, numri i të shëruarve u ngjit mbi 77 mijë ndërkohë që infeksionit që prej fillimit ka prekur 195 mijë veta.

Gati gjysma e rasteve janë konfirmuar në rajonet turistike të Madridit dhe Katalonjës.

Spanja, Italia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe janë përkatësisht pesë vendet europiane më të prekura nga Covid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button