Aksionet kreative, momentalisht arma e vetme në “luftën” kundër virusit korona (FOTO)

Bankat, shitoret dhe bukëpjekësit ditëve të fundit janë kontribuuesit më të mëdhenj të shpërndarjes së virusit korona në vend, pasi që në këto vende grumbullohen shumë njerëz. E aktivistët tetovar nuk qëndruan duarkryq ndaj këtij fakti, ata kanë ndërmarrë një aksion “Mbrohu dhe mbroj të tjerët”, ku edhe kanë vendosur tabela me mesazhe të ndryshme sensibilizuese para bankave, njofton Portalb.mk.

Në shtetet të cilat në luftën kundër virusit korona kanë rezultate të mira, kryesisht nuk është praktikuar politika e orës policore apo e kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Ndërkaq, në këto shtete respektohet në maksimum distanca mes njerëzve, që rekomandohet të jetë 2 metra.

Një gjë e tillë nuk duket se po praktikohet në qytetin e Tetovës, pasi shumë fotografi kanë arritur deri te redaksia e Portalb.mk ku vërehen grumbuj njerëzish para bankave, kështu duke mos e respektuar distancën prej dy metrash.

Tabelat e vendosura nga aktivistët tetovarë.
Tabelat e vendosura nga aktivistët tetovarë.

“Mos dilni nga shtëpia pa nevojë. Megjithatë, në qoftë se nuk keni çare tjetër, të paktën respektojeni distancën e ne do të ju ndihmojmë ta bëni këtë” tha një nga aktivistët e këtij aksioni për Portalb.mk.

Përveç mungesës së vetëdijes qytetare, para bankave dhe shitoreve mungojnë edhe tabela të cilat do të mbanin rend me distancë të përshtatshme mes qytetarëve, e kjo ju ka ra në sy aktivistëve nga Tetova, të cilët vendosën tabela para bankave.

“Për shkak të masave të reja për kufizim të lëvizjes, në rajonin e Pollogut krijohen radhë të gjata përpara bankave. Numri i njerëzve që presin radhën pa respektuar distancën sociale arrin edhe në pesëdhjetë. Për të shmangur shtytjen dhe grupimin e njerëzve, aksioni artistik “Mbrohu dhe mbroj të tjerët!” të bërë nga një grup artistësh dhe aktivistësh, u bën thirrje qytetarëve që të vizitojnë bankat vetëm kur është e nevojshme dhe në të njëjtën kohë t’i kushtojnë vëmendje kohës dhe kufizimevetë lëvizjes” theksuan aktivistët nga Tetova.

Këto tabela nuk do të shërbejnë vetëm për të siguruar distancën mes njerëzve që presin radhë para bankave, mirëpo edhe si “mjete” përmes të cilave synohet ngritja e vetëdijes deri te qytetarët në lidhje me rëndësinë e respektimit të masave kundër përhapjes së virusit korona, për shkak se në të njëjtat ka mesazhe sensibilizuese.

“Në bashkëpunim me bankat po kërkojmë zgjidhje për të kapërcyer problemet me të cilat përballen këto ditë, ku radhët e qytetarëve që presin pagesën e pensioneve dhe ndihmës sociale janë të shumta. Tabelat gjithashtu përmbajnë mesazhe “Mbaj maskë medicinale”, “Lani duart!”, “Qëndroni në distancë 2 metra!” dhe të njëjtat kanë për qëllim të ngrenë vetëdijen deri te qytetarët në lidhje me rëndësinë e respektimit të masave qeveritare” thanë aktivistët nga Tetova.

Tabelat e vendosura nga aktivistët tetovarë.
Tabelat e vendosura nga aktivistët tetovarë.

Ndryshe, këta aktivistë informojnë se aksioni është ndërmarrë pa kontakt direkt të anëtarëve të grupit, respektivisht është përgatitur me etapa nga ana e më tepër anëtarëve ndërsa i njëjti është financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button