Presidenti Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti Ilir Meta mbledh sot për të dytën herë Këshillin e Sigurisë lidhur me menaxhimin e krizës së Covid-19. Mbledhjen e lajmëroi një ditë më parë kryedemokrati, Lulzim Basha në emisionin “Tempora” në Rtv Ora teksa konfirmoi pjesëmarrjen.

Mbledhja që ka nisur prej orës 16:00, po zhvillohet online, dhe të pranishëm janë kryeministri Edi Rama, kreu i PD Lulzim Basha dhe Ministrat që janë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.

Mësohet se Rama dhe Ministrat do të raportojnë për masat e marra në përballimin e kësaj situate dhe për dy paktet ndihmëse të qeverisë.

Faza e dytë e riatdhesimeve por edhe kërkesa e opozitës për më shumë testime pritet të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve.

Basha këshillon Ramën: Energjinë fokusoje te Covid

Duke komentuar ftesën e kryeministrit Rama për të bashkërenduar forcat, Basha tha se prej fillimit ka qëndruar larg retorikës politike dhe do të vazhdojë ta bëjë.

Ekspertët e PD-së, tha ai, kanë qenë të gatshëm dhe do të vazhdojnë të jenë për të kontribuar me ekspertizën e tyre.

Basha: Nuk do të angazhohem në retorikë politike. Nuk është vendi dhe as koha. Atë që kam bërë prej 5 javësh do ta bëj derisa Shqipëria të çlirohet nga kjo e keqe, nuk do të angazhohem në retorikë politike.

Me mirësjellje i kam kërkuar kryeministrit të njëjtën gjë. Për fat të keq ndonëse fjalët e mbrëmshme ishin shpresëdhënëse, për fat të keq kryeministri vazhdon të harxhojë shumë kohë duke sulmuar pikërisht ekspertët që ka ftuar mbrëmë. Megjithatë ekspertët e PD kanë qenë dhe janë gati për të ofruar ekspertizën e tyre në çdo moment në shërbim të qytetarëve në fushën e ekonomisë, në fushën e shëndetësisë, në çdo fushë. Propozimet tona kanë qenë konkrete, publike, pavarësisht se janë sulmuar dhe pastaj janë adoptuar. 

Ne kemi vazhduar të bëjmë punën tonë pa u shkurajuar dhe do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë në shërbim të qytetarëve. Në këtë betejë kemi vetëm një prioritet: jetën, shëndetin dhe mirëqënienn  e qytetarëve. Ftesa ime ndaj kryeministrit është që gjithë vëmendjen dhe energjinë e tij ta fokusojë te puna jashtëzakonisht e rëndësishme që ka për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe ekonominë e shqiptarëve dhe këtu opozita do të vazhdojë të jetë konstruktive, propozuese dhe të ofrojë pa asnjë kufizim të gjithë ekspertizën sikurse e ka ofruar deri sot. 

Do të ndihmonte që propozimet që ekspertët tanë apo ne si opozitë kemi parashtruar do të shqyrtoheshin me seriozitet siç më është premtuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare para tre javësh. Presidenti sot më ka njoftuar që ka për qëllim të thërrasë nesër një tjetër mbledhje dhe i kam konfirmuar gatishmërinë time. E ka për detyrë të jetë dhe kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button