Kreu i OKB-së paralajmëroi për “epidemi” të dezinformimit në lidhje me COVID-19

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka paralajmëruar për një “epidemi të rrezikshme të dezinformimit” që përcjell koronavirusin e ri (COVID-19) ndërsa bota vazhdon të luftojë për kontrollimin e përhapjes së sëmundjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Rreth botës, njerëzit janë të frikësuar. Ata dëshirojnë të dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe kujt t’i drejtohen për këshillë”, tha Guterres në një video-porosi.

“Kjo është një kohë e shkencës dhe solidaritetit. Megjithatë, ‘dezinfo-demia’ globale po përhapet. Këshillat e dëmshme shëndetësore dhe produktet pa ndikim të vërtetë shëndetësor po shumëfishohen. Falsifikimet po zënë vend. Teoritë e çmendura të konspiracionit po infektojnë internetin. Urrejtja po bëhet virale duke stigmatizuar dhe shpifur për njerëz dhe grupe. Bota patjetër të bashkohet edhe kundër kësaj sëmundjeje”, theksoi ai.

Guterres falënderoi gazetarët për kontrollimin e fakteve të historive të dyshimta dhe postimet në rrjetet sociale dhe u bëri thirrje kompanive të rrjeteve sociale që “të bëjnë më shumë për të çrrënjosur urrejtjen dhe pohimet e dëmshme në lidhje me COVID-19”.

“Me kauzë të përbashkët për mendimin praktik dhe faktet, ne mund të mposhtim COVID-19 dhe të ndërtojmë një botë më të shëndetshme, më të drejtë dhe më të aftë për të rimarrë veten”, tha ai.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i personave të infektuar nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 1.9 milionë, me rreth 121 mijë të vdekur dhe rreth 465 mijë të shëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button