Bota mund të mësojë nga qasja e Vietnamit në luftën kundër koronavirusit

Pa vdekje dhe rreth 200 të infektuar, qasja e Vietnamit ndaj koronavirusit është lavdëruar nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe vendet të cilat po luftojnë për të vënë në kontroll shpërthimin e epidemisë mund të nxjerrin mësime prej tij, shkruan MIA.

Edhe pse Kina dhe Vietnami ndajnë një kufi të përbashkët, Vietnami, në kombinim me veprime të hershme vendimtare, testime të gjera, karantinë të fuqishme dhe unitet shoqëror, deri më tani ka arritur të shmangë shkatërrimin që është pare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Statistikat tregojnë se më shumë se 75,000 njerëz aktualisht janë në karantinë ose izolim. Vietnami ka bërë më shumë se 121,000 testime deri më tani, nga të cilat vetëm 260 kanë qenë pozitive.

Nuk ka pasur vdekje nga virusi dhe shkalla e infeksionit mbetet dukshëm më e ulët sesa në Korenë e Jugut, Singapor dhe madje edhe në Tajvan.

Kidong Park, përfaqësuesi i OBSH-së në Vietnam, beson se gjëja më e rëndësishme ishte veprimi i hershëm i vendit lidhur me këtë krizë.

“Vietnami veproi herët dhe në mënyrë proaktive. “Ushtrimi i parë për vlerësimin e rrezikut u krye në janar, pasi u raportuan rastet e para në Kinë.”

Vendi shpejt ngriti një Komitet Drejtues Kombëtar për Kovid-19 për të parandaluar dhe kontrolluar koronavirusin nën kujdesin e nënkryeministrit, i cili menjëherë zbatoi një plan kombëtar për përgjigje, shtoi Park.

Edhe përkundër numrit të vogël të rasteve të konfirmuara, Vietnami vendosi karantinë të plotë më 1 prill, një qasje shumë më e shpejtë dhe më vendimtare sesa Britania e Madhe apo Italia, ku numri i rasteve pozitive arriti me mijëra, përpara se jeta sociale të ndalonte.

Ndërsa qeveritë kanë zbatuar karantina për t’u ballafaquar me epideminë aktuale, Vietnami e ka bërë këtë për të shmangur një krizë kombëtare.

Pjesa më e madhe e suksesit të Vietnamit është për shkak të unitetit të tij shoqëror. Kryeministri Nguen Ksaun Fuk i përshkroi përpjekjet e Vietnamit si një “ofensivë të përgjithshme pranverore për vitin 2020”, duke përmendur ofensivën kryesore të vitit 1968, ofensifën Tet të kryer nga Viet Kong gjatë Luftës së Vietnamit.

Shkollat vietnameze janë mbyllur që nga janari dhe karantina masive filloi më 16 mars. Që atëherë, dhjetëra mijëra njerëz që hyjnë në vend nga vendet më tepër të goditura janë detyruar të qëndrojnë në karantinë në kampe të mëdha ushtarake. Deri më 25 mars, fluturimet ndërkombëtare ishin pezulluar plotësisht.

Këto kufizime nuk janë ulur akoma. Pjesa më e madhe e fluturimeve, trenave dhe autobusëve të brendshëm janë mbyllur dhe kushdo që largohet nga Hanoi – epiqendra e shpërthimit të Vietnamit – është karantinuar pas mbërritjes në ndonjë provincë tjetër.

Sidoqoftë, megjithëse këto masa të rrepta janë shndërruar deri më tani në një rezultat relativisht të suksesshëm, mbetet të shihet nëse Vietnami apo kombet e tjera me përgjigje të ngjashme mund të ruajnë përhapjen e virusit për një periudhë më të gjatë kohore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button