Njeriu në shërbim të lumturisë njerëzore – Lazim Destani

Lazim Destani njihet me të drejtë si Njeriu në shërbim të lumturisë njerëzore. Ai lindi në fshatin Bozofcë të Malësisë së Sharrit, më 1954. Herët emigroi në Gjermani, ku, krahas punës, vijoi dhe shkollimin. Përkushtimi ndaj punës dhe zgjuarsia e natyrshme ia mundësoi themelimin e Agjencisë Sharr Turist (1987), të cilën e drejtoi me shumë sukses. Që atëherë nisi të ndihmojë si askush tjetër njerëzit e kulturës e të artit shqiptar, që e pushuan gati tërësisht aktivitetin e tyre shkaku i rrethanave të vështira në të cilat u gjend Shqipëria, Kosova dhe tërë viset tona gjate viteve të 90-ta. Krahas tyre ndihmoi edhe veprimtarët e çështjes kombëtare, të cilët ia prezantonin Evropës situatën e rëndë të kombit shqiptar. Natyrisht, ndihmoi në vazhdimësi dhe skamnorët e shumtë, pa dallim nga ishin e kush ishin. Kjo i dha imazhin e humanistit e filantropit, që do të forcohet në veçanti kur familja Destani  themeloi disa biznese ndërkombëtare nga fusha e Industrisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës, Energjetikës dhe Teknologjisë… Ndër këto kompani u dallua Ecolog International, që, brenda disa vitesh, rriti numrin e të punësuarve nga vende e etni të ndryshme në disa mijëra, arriti të shtrihet në 36 shtete të fuqishme të rruzullit tokësor dhe realizoi mijëra projekte.

Në sajë të punës titanike dhe sakrificave që kërkon një biznes me përmasa ndërkombëtare, Lazim Destani dhe kompanitë e familjes së tij e përmirësuan dukshëm imazhin e shqiptarëve, fillimisht në Evropë e pastaj edhe gjetiu. Dëshmi për këtë është autoriteti që gëzon nga kancelaritë e shteteve të fuqishme të globit  presidenti i kompanisë ECOLOG z. Lazim Destani dhe takimet e shpeshta që ka me burrështetasit më të mëdhenj të së sotmes. Kjo e bën atë ambasador të shqiptarëve në botë, diplomat meritash të veçanta, personalitet që përfaqëson virtytet e kombit shqiptar, njeri që në vend të llafeve bën punë konkrete e të ndershme, biznesmen që e ka ndarë dhe vazhdon ta ndaje me njerëzit në nevojë një pjesë të konsiderueshme të fitimeve, duke nisur që nga bashkësia e tij e tutje – gjithandej ku ka mundësi ta japë me shpirt atë që ia thotë shpirti prej altruisti e bëmirësi. Ky është çelësi me të cilin ai hap pa trokitur dyert e kancelarive të botës, e cila më shumë se diplomatët e dekretuar me vendime qeverishë, respekton diplomatët që përfaqësojnë zërin dhe interesin popullor, zërin e njerëzve të thjeshtë të etnive të tyre, zërin e biznesmenëve që nuk ia kanë shitur shpirtin parasë, po e investojnë atë në fushat e interesit të pergjithshëm.

Në vijim të këtij shkrimi modest, që as përafërsisht nuk ka mundësi të përmendë gjithë atë që ka bërë e bën ky njeri për shqiptarët, për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, po sjell vetëm disa dëshmi që flasin për përmasat e shpirtit të tij univers. Kështu, vetëm me rastin e tërmetit katastrofal që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019, kompania Ecolog International e familjes së z. Lazim Destani i dhuroi shtetit Shqiptar:

  • 3 milion euro;
  • 200 shtëpiza-kontenierë për strehimin e familjeve më të prekura nga tërmeti në zonat rurale, të pajisura me shtretër, rrymë elektrike, ujë, banjo, kondicionerë dhe
  • 12 ton ndihma në veshmbathje e ushqime…

Dhe gjithë këtë e bëri në heshtje të plotë, pa bujë e tam-tame shurdhuese që, para humanizmit, nxjerrin në syprinë famën personale të dhuruesve.

Tetë vitë më parë, më 28 Nëntor 2012 – me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Lazim Destani i dhuroi popullit shqiptar shqiponjën gjigante prej bronzi me peshë prej 16 tonësh dhe me lartësi prej 6 metrash. Në prani të krerëve të Shqipërisë së asaj kohe, ajo u vendos në mënyrë solemne në “Rrethrrotullimin e Doganës” me mbishkrimin domethënës: “Një Shqiponjë për të gjithë Shqiptarët”. Fatkeqësisht, në nëntor të vitit 2018, pikërisht në muajin e Flamurit dhe të pavarësisë së vendit, kryeministri tekanjoz Edi Rama, me pretekstin qesharak se Shqiponja qenka një vulgaritet në piedestal, e shkuli atë pa pikë respekti, për t’mos e vendosur më askund tjetër.

Se asgjë nuk është e rastit kur është në pyetje shpirti human i filamtropit tetovar, dëshmon edhe aktiviteti i para pak ditëve, kur ai, në bashkëpunim me Këshillin e Diasporës, drejtues i të cilit është vetë, vendosi që të shkurtojë vuajtjet disaditore të njerëzve të mbetur pa asnjë përkujdesje në kufirin shqiptaro-grek, të cilëve, për paradoks, nuk denjoi t’u ndihmojë kreu i qeverisë shqiptare – burrështetasi arrogant që, dy vite më pare, përdhosi simbolin e kombit të tij. Këtu duhet thënë se, përveç shpenzimeve të transportit, z. Lazim Destani mori mbi vete të heqë edhe shmenzimet e plota të vendosjes 14 ditore të fatkëqinjëve në një hotel të Korçës (aq sa do të zgjasë qëndrimi tyre në karantin).

Natyrisht, frytet e veprimtarisë së gjithanshme dhe bëmirësitë e  përhershme të z. Lazim, para së gjithash i kanë gëzuar dhe i gëzojnë bashkëvendësit dhe Tetova e tij e dashur, për të cilët ka bërë punë të mëdha. Po i rikujtojmë me këtë rast disa prej tyre:

  • Riparimin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”, që ka numrin më të madh të nxënësve në qytet;
  • Ndërtimin e xhamisë në lagjen Çeshma e Kadisë”;
  • Ndërtimin e murit rrethues të varrezës së qytetit, që ishte në gjendje të mjerueshme…;
  • Donacionet për shumë aktivitete kulturore e sportive;
  • Investimet në ifrastrukturën rrugore;
  • Dhurimin e mjeteve bashkekohore për mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit;
  • Ndihmat e rregullta për njerëzit në nevojë;
  • Punësimet e mijëra të rinjëve në kompaninë Ecolog etj., etj.

Një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe në mëkëmbjen dhe sukseset e klubit të parë futbollistik të shqiparëve në Maqedoni – “Shkëndijës” së Tetovës, e cila ka fituar disa herë kampionatin e vendit dhe Kupën e republikës dhe ka arritur të jetë pjesë e garave të rëndësishme të Ligës Evropiane. Projekti tjetër që pritet ta realizojë për “Shkëndijën” e adhuruar në gjithë botën shqiptare, është ndërtimi i satadiumit modern me standard evropian.

Në fund fare dua ta theksoj kontributin e jashtëzakonshëm të z. Lazim për themelimin e Universitetit të Tetovës – institucionit të parë të arsimit të lartë shqip, mbajtjen e tij në jetë gjatë periudhës dhjetëvjeçare, kur funkcionoi si i palegalizuar nga shteti dhe ndihmën e përhershme për rritën dhe shndërrimin e Universitetit në qendër të mirëfilltë arsimore e shkencore. Për meritën e madhe dhënë arsimit sipëror në Gjuhën shqipe ka folur publikisht edhe themeluesi dhe Rektori i parë i Universitetit të Tetovës – Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Vazhdimësinë e përkrahjes së UT-së, z. Lazim e dëshmoi edhe me rastin e 25 vjetorit të themelimit të tij, kur i dhuroi  këtij tempulli të dijes shtatoren e themeluesit dhe rektorit historik Prof. dr. Fadil Sulejmanit, bashkë me “Flakadani i kujtesës”, kushtuar pishtarëve të arsimit dhe të rënëve për liri e barazi. Me këtë rast, me propozimin e z. Lazim dhe me vendim të Senatit u bë dhe ripagëzimi i këtij intitucioni me emrin: Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”.

Për punët e vyeshme dhe meritat e padiskutueshme në fushën e ekonomisë dhe filantropisë, z. Lazi Destani është nderuar, brenda dhe jashtë botës shqiptare, me mirënjohje, çmime, dekorata  e tituj të ndryshëm, prej te cilëve vlen të theksohen disa:

  • Më 27 dhjetor 2012, në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetje të iniciativave me karakter kombëtar dhe krijimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në botë”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e nderoi me Urdhrin “NDERI I KOMBIT”.
  • Më 21.11.2016, Kryetari i Republikës së Kosovës e dekorori me Medaljen Presidenciale të Meritave”.
  • Më 2 mars 2019, në Samitin e dytë të Diasporës të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë,  për historinë e suksesit si sipërmarrës në diasporë dhe për kontributin si humanist dhe filantrop i shquar…, Lazim Destani u dekorua me çmimin “Shqiponja e Artë e Diasporës”.
  • Më 5 dhjetor 2017, me rastin e përvjetorit të 23 të Universitetit të Tetovës, në një solemnitet tejet të veçantë dhe në prezencë të personaliteteve të shquara të jetës shoqërore e kulturore të mbarë trojeve shqiptare, për kontributin e veçante filantropik në fushën e arsimit, artit dhe sportit…, Lazim Destanit iu nda titulli Doctor Honoris Causa i UT-së.
  • Më 3 mars 2011, në Ditën e qytetit të Tetovës, Lazim Destani u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi”.

Të veçanta dhe të rëndësishme jo vetëm për laureatin e çmimeve dhe dekoratave Lazim Destanin, janë ato që i ndahen nga shtetet e jashtme. I tillë është respekti që iu bë më 5 korrik 2018, kur kongresisti i mirënjohur Eliot Engel ia dorëzoi Flamurin amerikan, që një ditë më parë (Ditën e Pavarësisë së SHBA-së), u valëvit në Capitol Hill. Flamuri iu dorëzua për meritat e mëdha në fushë të biznesit dhe të veprimtarisë filantropike. Përndryshe, flamujt e këtillë përdoren vetëm ditën e festës së madhe amerikane, për t’iu dhuruar një ditë më pas personaliteteve të shquara të fushave të ndryshme. Në disa raste, kur flamujt u dorëzohen njerëzve të veçantë, si puna e z. Lazim, dihet paraprakisht se për nder të kujt do të valojë një ditë para se t’i dorëzohet. Prej shhqiptarëve ky respekt, iu bë para disa vitesh edhe shkrimtarit me autoritet ndërkombëtar Ismail Kadaresë.

Ky është me pak fjalë Njeriu në shërbim të lumturisë njerëzore – Lazim Destani, NJERIU që fatmirësisht është pinjoll i etnisë sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button