“Fundi i Perëndimit”

Gjatë javëve të fundit në mediat botërore ka pasur komente të ndryshme, analiza, ese, e të tjera se sa do të zgjasë pandemia, çfarë pasojash do të ketë në të ardhmen dhe si do të jetë e ardhmja pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit. Sipas shumë ekspertëve, studjuesve, epidemiologëve, pandemiologëve egzistojnë disa skenarë. Skenari më i kobshëm dhe ekstrem mund të jetë se në të ardhmen mund të infektohen nga një pandemi gjysma e njerëzimit në gjithë rruzullin tokësor dhe do të ketë qindra miliona të vdekur. “Zbulimi i vaksinës mund të zgjasë 12-18 muaj dhe periudha e prodhimit dhe shpërndarjes mund të zgjasë edhe një vit më shumë”, shkruan “Wall Street Journal”. Kjo që po ndodh tani mund të bëjë që njerëzimi të përjetojë një apokalips, kataklizëm, recesion ekonomik, kolaps, uri dhe shumë vuajtje e dhimbje në mbarë njerëzimin.

Ka pasur përhapje të viruseve dhe pandemi edhe në periudhën para globalizmit, ndonëse komunikimi, takimet e udhëtimet ishin më të rralla. Pas mbarimit tëe Luftës së Parë Botërore, më 1919 shpërtheu në Europë gripi apo virusi i quajtur “gripi spanjoll”. Më se gjysëm miliard njerëz u infektuan dhe 100 milionë njerëz vdiqën nga kjo pandemi. Kjo ‘murtajë’ e tmerrshme shkaktoi më shumë viktima se Lufta e Dytë Botërore.

X

Përhapja e pandemisë së koronavirusit në shtetet më të zhvilluara dhe më të industrializuara si SH.B.A. dhe B.E. i gjeti ato të befasuara dhe të papërgatitura. Të vetmet shtete që e frenuan virusin dhe e kaluan me një minimum pasojash e viktimash ishin Kina, Koreja e Jugut dhe Hong Kongu falë masave të rrepta në kohën e duhur, koordinimit, mobilizimit dhe disiplinës. Pas një periudhe dymujore Kina e luftoi dhe e eleminoi përhapjen e pandemisë në vend derisa dhe qyteti Wuhan prej më shumë se 11 milion banorësh, i cili ishte epiqendra e shpërthimit të koronavirusit, e hoqi karantinën. Pas fitores mbi pandeminë Kina është treguar më shumë solidare, humane e bashkëvepruese. Jo se ajo ishte protagoniste, shkaktare e këtij virusi vdekjeprurës, por ky shtet kolosal po synon që në të ardhmen të jetë pasardhës i lidershipit botëror, të zëvendësojë SHBA. Kina tashti është duke ndihmuar më se gjysmën e botës, duke ofruar mjekë, pajisje mbrojtëse, mjete dhe ndihma humanitare. Megjithatë, edhe kjo nuk do të jetë e mjaftueshme po të vazhdojë pandemia të përhapet më tej.

X

Presidenti amerikan Donald Trump fajsoi shtetin komunist e despotik – Kinën për përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Trump-i akuzon elitën politike kineze se e ka mbajtur secret virusin, sikurse ish-Bashkimi Sovjetik që u përpoq ta mbante të fshehtë shpërthimin e reaktorit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986. Administrata Republikane e SHBA e akuzoi Kinën. Trump-i ka apeluar që firmat amerikane të largohen nga Kina. Sipas gazetës “New York Times”, Presidenti Trump, në vend që të përgatitej e të mobilizohej për të filluar luftën për parandalimin e pandemisë, merrej me hipoteza, paragjykime e gafa letargjike duke injoruar e gënjyer kombin se qeveria e kishte situatën nën kontroll. Tani nga të gjithë shtetet në botë janë më shumë se 1.5 milionë të infektuar me koronavirus, kurse në SHBA ka mbi 485 mijë të infektuar dhe mbi 16 mijë viktima dhe gjendja vazhdon të përkeqësohet dita-ditës. Vendi industrial më i pasur dhe lidershipi botëror – SHBA – mund të përballet me një recesion e kolaps total, me anarki e kaos pas pandemisë. Deri para mandatit presidencial të Donald Trampit Shtete e Bashkuara kanë qenë mbrojtës të rendit botëror, liberalë, me tradita demokratike dhe solidarë. Në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore qindra mijë ushtarë amerikanë kanë rënë në fushat e betejës në Europë duke mbrojtur rendin e ri botëror dhe idealin e lirisë e të demokracisë. Pas Luftës së Dytë Botërore SHBA kontriboi me mjete e ndihma humanitare thuajse për të gjithë shtetet e botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Europa doli e shkatërruar dhe e falimentuar nga lufta, SHBA i ndihmoi shtetet e Europës për t’u rimëkëmbur, posaçërisht me Planin Marshall. Sot administrata e Donald Trump-it me koncepte gjeocentriste, fetishizim dhe dehumanizim po tregohet indiferente, inferiore dhe shumë pak e angazhuar ndaj botës. Ajo është duke u tërhequr, duke e ndryshuar kursin e politikës së jashtme, kundër establishmentit dhe rolit si lidership i rendit botëror.

Diplomati dhe politikani amerikano-polak Zbigniew Brzezinski (1928-2017), ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA, në librin e tij “Vizioni strategjik:  Amerika dhe kriza e Fuqisë Globale”, botuar në vitin 2012, shkruante se Amerika i ngjan një dinosauri me infrastrukturë të vjetruar, me aeroporte të vjetër, qytete me infrastrukturë të pariparuar dhe me sistem shëndetsor si shtetet e bananeve, etj. Kurse Kina, një gjigand ekonomik me mega-metropole, aeroporte gjigande, hekurudha dhe autostrada moderne, infrastrukturë të sofistikuar, i ngjan SHBA-s së viteve ’50-60 dhe është hedhur në ekspansion me investime në tërë Azinë dhe Afrikën.

“Bota pas pandemisë”

          Sipas tre ekspertëve më kompetentë të Universitetit të Harvardit dhe Universitetit të Kolumbias, pas pandemisë bota nuk do të jetë si më parë. Sipas tyre, recesioni dhe kriza ekonomike e viteve 2008-2009 ishte më e lehtë se ajo që mund të ndodhë tani. Sipas parashikimeve të këtyre ekspertëve, pas pandemisë Amerika do t’i rikthehet vetvetes, do të largohet nga NATO-ja, do të pakësojë buxhetin në kuadrin e OKB, do të largojë trupat dhe anijet ushtarake nga shumë shtete dhe në fund të fundit do të pushojë së qëni lider dhe mbrojtës i rendit botëror.

Skenari i dytë është po qe se Donald Trump-i del si hero dhe triumfues dhe administrata e Trump-it tregohet koherente, pragmatike, inovative dhe do ta kapërcejë me sukses krizën. Në këtë rast Trump-i do të fitojë reputacion dhe kredibilitet tek elektorati dhe më 8 nëntor do t’i fitojë zgjedhjet. Atëherë, gjatë mandatit të dytë Donald Trump-i do të vazhdojë me një tempo largimin e SHBA nga obligimet në NATO, tërheqjen e forcave ushtarake, mosfinancimin në institucionet ndërkombëtare, tërheqjen nga rindërtimet ekonomike globale.

Me largimin e SHBA pas pandemisë, donatorët që do të ndihmojnë për një rindërtim ekonomik global të shteteve të shkatërruara e të falimentuara do të jenë Kina dhe Bashkimi Europjan. Kështu shkruajnë analistët dhe ekspertët.

“Mungesa e lidershipit botëror”

          Zbigniew Brzezinski që në shekullin e kaluar e ka parashikuar fundin dhe largimin e SHBA si superfuqi dhe lidership botëror pas luftës së ftohtë. Fuqia kryesore dhe lidershipi i ardhshëm mund të jetë Europa, B.E. së bashku me dy ish-shtetet perandorake Turqia dhe Rusia. Sipas konceptit dhe ideve në kontekst, pas shembjes së komunizmit Rusia do të vazhdojë europjanizimin, rrugën e Pjetrit të Madh, i cili donte që populli rus t’i bashkohet familjes europjane. Po ashtu, edhe Turqia do të demokratizohet dhe do të antarësohet në të ardhmen në Unionin Europjan.

X

Sipas studjuesit e analistit të njohur amerikan Robert D. Kaplan, me largimin e SHBA nga aleanca perëndimore nocioni ‘Perëndim’ do të pushojë së ekzistuari. Sipas pozitës gjeografike, termi ‘Perëndim’ përfshin Europën Perëndimore, me Transatllantikun, SHBA dhe Kanadanë.

Pas përfundimit si superfuqi të SHBA, a do të dalë një lidership i ri si pasardhës dhe kush do të jetë?

Sigurisht që pas pandemisë do të fillojë rendi i ri botëror, ashtu sikurse pas Luftës së Dytë Botërore që doli SHBA si mbrojtëse e rendit të ri botëror në skenën globale.

Është paraparë që si rival dhe pasardhës i SHBA do të jetë Kina kontinentale. Henri Kizingeri ka potencuar se si lidership i ri Kina është larg të qënit një lider i rendit botëror liberal dhe demokratik. Kizingeri thotë se duhet një periudhë tranzitore transformimi. Kina sot është një shtet i centralizuar, autoritar, kapitalist, prandaj shikohet sidomos nga Perëndimi me shumë skepticizëm si lider i ardhshëm botëror. Pa një lidership nuk do të jetë fundi i botës. Sidomos që bota do të ndryshojë pas pandemisë. Pa një superfuqi që do ta mbrojë rendin botëror, bota do të jetë më pak paqësore dhe me shumë rivalë. Pa një lidership në të ardhmen do të kemi një botë të pasigurtë, kaotike, konfuze dhe me luftra e anarki.

“Unioni mbinacional”

          Në veprën e famëshme epokale të filozofit gjerman Immanuel Kant “Kritika e arsyes së kulluar” (botuar më 1781) shpjegohet se e ardhmja e njerëzimit është unioni mbinacional. Ndryshe nga utopizmi marksist (konspiracioni i Marksit që premtonte parajsën në tokë sipas sllloganit “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”), doktrina kantiane parashikon unionin mbinacional që është bashkimi i të gjithë popujve nen obrellën e një fuqie universale shumëkombëshe, bipolare dhe kozmopolite. Kjo doktrinë parashikon një lidership të barabartë  për të mbrojtur të gjithë popujt pa dallim etnie, feje, gjuhe, kombësie e race. Kjo fuqi do të mbrojë rendin botëror liberal e demokratik. Nuk do të ketë hegjemoni të njëanëshme, as monopolizëm, as segregacion, as diskriminim, as proteksionizëm. Të gjithë kombet do të jenë të lirë e të barabartë. Doktrina kantiane tani tingëllon si imagjinare dhe utopike, por në të ardhmen njerëzimi do të ketë një lidership botëror të përbashkët për të gjithë popujt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button