PDSH: Të anulohet matura shtetërore për këtë vit shkollor‬

Sot, në selinë e partisë, Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport mbajti konferencë për shtyp ku përsëritën qëndrimin e PDSH-së që provimet e Maturës Shtetërore të anulohen. Mirëpo, maturantët gjithsesi të pajisen me dokumentin për të cilin Ministria e Arsimit të formojë një ekip/trup ekspertësh e në konsultim me përfaqësues të të gjitha unioneve të nxënësve të shkollave të mesme, do të vendosë për kriteret e dhënies së Diplomës së Maturës (kritere për notat).

Më poshtë gjeni fjalën e nënkryetares Valbona Toska.

“Komisioni i Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit pranë Partisë Demokratike Shqiptare, më 28 mars të vitit 2020 doli me një propozim për anulim të tërësishëm të Maturës Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020.

Si subjekt që i pari e shtroi kërkesën për heqjen e Maturës Shtetërore për këtë vit shkollor, na lejoni që t’ia shpjegojmë opinionit të gjerë dhe, në mënyrë të veçantë, maturantëve, çfarë zgjidhje konkrete ofron PDSH-ja në lidhje me Maturën Shtetërore.

Edhe sikur situata me virusin Covid -19 të tejkalohet në kohën më të shkurtër të mundur, prapë se prapë të gjitha rrethanat që ndikojnë në procesin e realizimit të provimeve të Maturës Shtetërore, janë në disfavor të maturantëve të sivjetmë:

  • ata nuk ndjekin mësim të rregullt dhe mënyra e realizimit të procesit mësimor nuk përket me formën dhe cilësinë standarde;
  • kanë shkëputje nga mësimi pikërisht në kohën kur zakonisht intensifikohen aktivitetet dhe ushtrimet rreth Maturës Shtetërore;
  • janë në ankth për epilogun e provimeve të Maturës;
  • me të drejtë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e sigurimit  të masave mbrojtëse gjatë realizimit eventual të provimit (provimet e Maturës Shtetërore i japin rreth 15 000 nxënës, kurse parashikimet rreth pandemisë janë se distanca sociale do të vijojë për një kohë të gjatë), por janë të shqetësuar edhe për ardhmërinë e tyre në përgjithësi, gjë që i rëndon edhe në aspektin psikologjik.

Duke i marrë në konsideratë të gjitha këto, i rekomanduam Ministrisë së Arsimit ta anulojë tërësisht Maturën Shtetërore për vitin shkollor 2019/2020. Ne, propozojmë që me Diplomën e Maturës për vitin shkollor 2019/2020 të pajisen të gjithë maturantët, pa përjashtim. Gjithashtu propozojmë që Ministria e Arsimit të formojë një ekip/trup ekspertësh, i cili, në konsultim me përfaqësues të të gjitha unioneve të nxënësve të shkollave të mesme, do të vendosë për kriteret e dhënies së Diplomës së Maturës (kritere për notat).

Diploma e Maturës është një dokument shumë i rëndësishëm që vërteton në mënyrë zyrtare përfundimin e një cikli arsimor dhe njëkohësisht është dokument i domosdoshëm për regjistrim në nivelin pasues.

Rrethanat do të ndryshojnë, kurse mungesa eventuale e Diplomës së Maturës maturantët e kësaj gjenerate do t’i ndjekë përjetësisht. Kjo nuk guxon të ndodhë dhe prandaj, edhe një herë e ftojmë Ministrinë e Arsimit që të veprojë me kohë dhe të marrë vendim që nuk do t’i dëmtojë interesat arsimore të kësaj gjenerate”, tha Valbona Toska nga Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport – Partia Demokratike Shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button