RMV, do të dënohen ata që shpërndajnë të dhënat personale të të sëmurëve me korona, duke filluar nga Kumanova

Një fotografi me listën e të dhënave personale të të infektuarve nga Kumanova me COVID-19 po qarkullon ditëve të fundit rrjetet sociale. Sipas informatave të Portalb, fotografia është nga një dokument me të dhënat, siç janë numri amë, mosha, adresa, e të sëmurëve. Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmerr masa dhe po e heton rastin, thanë për Portalb.mk.

Nga Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale thanë se do të ndërmarrin masa në lidhje me këtë rast.

“Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa për zbulimin e autorit të këtij rasti dhe për të njëjtin do të njoftohet Prokuroria Themelore Publike kompetente”, thanë nga kjo ministri.

Udhëheqësja e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin dhe eksperte për privatësi në Fondaiconin Metamotofozis, Elena Stojanovska, thotë se në lidhje me këtë fotografi ka shumë çështje diskutabile, nuk ka të dhëna të cilat qartë sugjerojnë cili është bartësi primar i atyre të dhënave, veçanërisht nga cila bazë janë marrë këto të dhëna. Me këtë, sipas saj, edhe autenticiteti i të dhënave është i diskutueshëm.

Nga ana tjetër, nëse supozohet që këto janë të dhëna të vërteta, atëherë lehtë mund të konstatohet, siç theksoi Stojanovska, që ka shkelje e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale me vetë publikimin e të dhënave jashtë suazave të institucioneve të cilat janë kompetente për ato.

“Në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat që kanë të bëjnë me shëndetin, duke i përfshirë të dhënat për mbrojtjen e fituar shëndetësore janë kategori e veçantë e të dhënave ose të dhënave të ndjeshme. Me këtë, ndalohet përpunimi i kategorive të të dhënave personale përveç me përjashtime, përkatësisht nëse përpunimi është i domosdoshëm për qëllime të interesit publik në fushën e shëndetësisë publike, siç janë mbrojtja prej rreziqeve ndërkufitare për shëndetin ose sigurim të standardeve të larta për cilësi dhe siguri të mbrojtjes shëndetësore. Ky përjashtim ka të bëjë me vëllimin e të dhënave personale që grumbullohen pa pëlqim të qytetarëve në kohë të krizës siç është ballafaqimi me Kovid 19, ndarja e tyre ndërmjet institucioneve, mapimi dhe ngjashëm. Ky përjashtim NUK vlen për publikim publik të të dhënave personale për persona të infektuar apo persona në vetëizolim”, tha Stojanovska.

Ajo shtoi se, edhe Kodi penal në nenin 149 parasheh dënim me burg për personin zyrtar i cili do të futet në sistem informativ kompjuterik të të dhënave personale me qëllim që t’i përdor për vete apo për person tjetër për të realizuar ndonjë fitim apo për t’i shkaktuar dëm ndonjë personi tjetër.

Stojanovska bëri thirrje që në lidhje me këtë, të njoftohen organet kompetente dhe të reagohet urgjentisht.

Ndryshe, situata me virusin korona është përkeqësuar ditëve të fundit në Kumanovë, ku deri më tani ka 114 të infektuar.

Sa për ilustrim, fotografia duket kështu, Portalb ka hijezuar të dhënat për të mbrojtur personat në fjalë.

Lista

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button