DITA – “D”

Pas pandemisë, bota do t’i ngjasojë një gërmadhe pas një lufte shkatërruese botërore. Do të pasojë fazë dramatike për kapitalizmin global. Deri më tani krizat kanë qenë ose të ofertës ose të kërkesës, kurse kjo e tanishmja e të dyjave.

Paralel viktimave të virusit, me siguri se do t’i numërojmë edhe viktimat ekonomike. Kriza edhe një herë do t’u mëshojë ekonomive të vogla dhe të dobëta. Kapitali do të tërhiqet nga vendet në zhvillim dhe ato do gjunjëzohen. Kurse vendet e fuqishme do t’i subvencionojnë kompanitë e tyre për mijëra miliarda, duke përdorur pandeminë si mbulesë dhe duke shkelur rëndë mbi rregullat e tregut global. Tashmë është planifikuar të shtypen disa mijëra miliarda dollarë dhe askush nuk e vëren se si paratë gjinden në krizë. Gjithmonë ka mjaft para për armatime, për ushtrime ushtarake, për ndërhyrje brutale, por vështirë për nevoja sociale, shëndetësore dhe shkencore. Në të njëjtën kohë, vendet e pasura dhe FMN do të ofrojnë ndihmë e kredi, duke hedhur një kurth të ri për vendet që tashmë gjer në fyt janë në borxhe. Është e çuditshme se si në çdo krizë bankat e fuqishme nxjerrin nga bunkeri armën më ekstreme të politikës monetare!

Tani në Kinë shiten vetëm rreth 40% e numrit të zakonshëm të makinave që shiten. Kjo do të godasë direkt prodhuesit evropianë. Analistët e një banke të njohur zvicerane thonë se prodhimi i këtyre kompanive gjithashtu do të zvogëlohet për rreth 20 përqind për shkak të problemeve me furnizimin material dhe uljes së kërkesës. “Adidas” i Gjermanisë thotë se është në rrugën për të humbur mbi një miliard euro nga ngecja e shitjes në Kinë, Hong Kong, Makao dhe Tajvan.

Goditje më të madhe pëson turizmi, trafiku dhe shërbimet. Sektori i shërbimeve ka pësuar goditje që mund të ndodhë vetëm gjatë një lufte shkatërrimtare. Kompanitë ajrore janë rrezikuar me ulje të të ardhurave prej rreth 113 miliardë dollarë, thotë Shoqata Ndërkombëtare e Transportit. Aksionet e kompanive më të mëdha në këtë sektor kanë rënë më shumë se 40 përqind në bursat amerikane. Operatori rajonal britanik “Flybe” tashmë ka deklaruar falimentimin. Sipas UNCTAD, 42 nga 100 kompani të mëdha multinacionale në botë thonë se  përballen me joprofitabilitet. Kjo do të ndikojë në investimet dhe operimet e bankave dhe segmenteve tjera të ekonomisë. Instituti i Kërkimeve Ekonomike në Londër (IHS Markit) vlerëson se rritja ekonomike globale do të jetë rreth 1.7 përqind këtë vit, pra shumë më poshtë se sa parashikimet optimiste prej 2.5 përqind në shkurt.

Situata do tejkalojë rënien e “Murit të Berlinit” ose të “Wall Street”. Kjo pandemi do të tronditë botën me pasoja që mund vetëm t’i imagjinojmë. “E vetmja gjë që është e sigurt është se sëmundja do të nxjerrë në dritë aftësinë e qeverive, duke sjellë ndryshime të mëdha në sferën politike dhe ekonomike”, shkruan e njohura “Foreign Policy”. Kriza financiare dhe ekonomike dukshëm do të kapërcejë recesionin e viteve 2008-2009. “Secila krizë është një tronditje sizmike që ndryshon përgjithmonë sistemin ndërkombëtar dhe ekuilibrin e fuqive” – tha Nicholas Burns, një profesor i Harvardit.

Kriza globale në vitin 2008 qe shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e bankierëve dhe u zgjidh nga dy faktorë kryesorë – masave të politikës monetare dhe Rezervave Federale. Kjo mundësoiqasje relativisht të lehtë në para “të freskëta” e të lira, por jo për të gjithë pjesëmarrësit e tregut. Paratë u shtypën në triliona dollarë dhe u futën në flukset ekonomike me një normë simbolike interesi prej rreth 0.3 përqind. Me rëndësi është të theksohet fakti që korporatat e mëdha ishin përfituesit më të mëdhenj të parave të lira, megjithëqë likuiditetin evident të tyre. Një stabilizim i tillë i tregut global të kapitalit, përfshirë këtu edhe institucionet financiare dhe korporatat e mëdha, është tejet i dëmshëm për zhvillimin real dhe të qëndrueshëm, pasi që le pas dore interesat jetike të shoqërisë: arsimin, punësimin, shëndetin, mbrojtjen e resurseve natyrore, etj. Kjo nga ana tjetër të pasurit i bën akoma më të pasur, kurse të varfërit akoma më të varfër. Fundi i krizës ka çuar në një situatë ku 50% e popullsisë botërore me standard më të ulët ka humbur 900 miliardë dollarë, të cilët kanë kaluar në xhepin e të pasurve! Dhe tani vetëm 1% e popullsisë së botës zotëron pasuri në vlerë prej 21 trilion dollarë! Sipas revistës “Forbs”, 20 persona në botë zotërojnë kapital prej 1,31 trilion dollarë. Në SHBA, vetëm 3.75 përqind e njerëzve kanë pasuri prej 1.3 trilionë dollarë. Me fjalë të tjera, 20 njerëzit më të pasur në botë kanë të njëjtën pasuri sa gjysma e popullsisë së përgjithshme në botë.

Kriza e pandemisë po ndikon gjithashtu edhe në energjetikë. Rënia drastike e çmimeve të naftës dhe gazit po prek seriozisht prodhuesit. Prodhimi në shumë vende është zvogëluar ose pezulluar. Vizionet pesimiste lidhur me pandeminë shkojnë në drejtim të minimit të aktivitetit ekonomik botëror dhe rritjes së tensioneve midis vendeve. Do të ketë zhvendosje të mëdha të njerëzve nga vendet në zhvillim që do të rezultojë me degradim të mëtejmë të punëtorëve të shkallës me kualifikim të ulët. Të gjithë këta parametra mund të prodhojnë tensione, konflikte dhe në masë të madhe vetë-izolim ekonomik të shteteve. Do të krijohet një botë që është më pak e hapur, më pak e prosperuar, më pak e lirë dhe më shumë konfliktuoze. Të gjitha krizat kryesore ekonomike, nga triumfi i neoliberalizmit në vitin 1980 e gjer më sot, kanë pasur të njëjtat pasoja – rritjen enorme të borxhit të qytetarëve, të shteteve dhe të ekonomive të dobëta. Në gjysmën e dytë të vitit 2019, borxhi global arriti nivel prej 350,000 miliardë dollarë dhe tejkaloi 320 përqindshin e PBB-së globale.

Vite me radhë njerëzit sikur tepër dhunuan natyrën në emër të lakmisë, prestigjit dhe mos ngopjes. Tani ajo na kthehet me gjithë fuqinë që ka. ILO parasheh  mbi 50 milion vende pune të humbura. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera të forta do të izolohen në vete, kurse UE dukshëm do të dobësohet. Bota nuk jep 500 miliardë dollarë aq sa duhen për standardet elementare të mjedisit jetësor, kurse më pas jep dhjetë herë më shumë në një vit. Ata janë bujarë për Hollywoodin luksoz, por kopracë për spitalet, respiratorët, ilaçet, maskat.

Në afat të shkurtër, kjo situatë do t’u konvenojë nacionalistëve dhe anti-globalistëve për të ofruar zgjidhjet e tyre të shpejta për kolapsin e krijuar. Kjo situatë do të jetë ushqim i shkëlqyeshëm për ta. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lajen tha se tani Evropa është ndoshta në krizën më të rëndë në historinë e saj. “Për momentin është e rëndësishme që krizën ekonomike Evropa të mbijetojë pa u shkatërruar,” pat thënë ajo. Ditë më parë Mateo Salvini hodhi fjalë të rënda ofenduese ndaj UE-së duke njoftuar se Italia do të dilte nga kjo. Por, në planin afatgjatë, demokracitë do të duhet të dalin nga guaskat e tyre për të gjetur një formë të re tëinternacionalizmit pragmatik dhe të mbrojtur. Për ndryshe është fare lehtë që në vend të Evropës pa kufij të ballafaqohemi me kufij pa Evropë.

Të gjitha sistemet do të kërkojnë rregullim egoist të fatit të tyre, por së shpejti do të përballen me probleme të përgjithshme planetare. India ka nisur tashmë një iniciativë për të organizuar një video-konferencë të të gjithë liderëve të Azisë Jugore për të dalë me një përgjigje të përbashkët rajonale ndaj kërcënimit. Nëse pandemia na bëri të njohim vlerat tona të vërteta lokale e globale, atëherë do të thonim se virusi ishte edhe i dobishëm. Ne gjithashtu do të duhet të trajtojmë ndryshimet klimatike, sepse pa ekologji globale, do të kemi edhe shumë mutacione të viruseve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button