RMV, Ministrja e Financave prezantoi planin për ballafaqim me krizën

Ministrja e Financave të Maqedonisë së Veriut, Nina Angellovska, në konferencën e sotme për media, prezantoi planin e ministrisë për ballafaqim me krizën e shkaktuar nga virusi korona, njofton Portalb.mk.

Ajo deklaroi se, ndërmarrja e masave për mbrojtje nga virusi korona dhe vënia e shëndetit të qytetarëve në vend të parë, ka ndikuar në uljen e aktivitetit tatimor, që ka reflektuar ndaj mbushjes së kasës së buxhetit. Duke filluar nga 20 marsi, është shënuar rënie e ashpër e të ardhurave tatimore prej rreth 25% në nivel ditor, apo për rënie të të ardhurave tatimore për muajin mars prej 11% në krahasim me vitin e kaluar. Angellovska prezantoi skenarët që kanë përgatitur në ministri për ballafaqim me krizën:

“Në periudhën e kaluar në Ministrinë e Financave u përgatitën disa skenarë për ballafaqim me krizën. Kryesisht, kemi tre skenarë që i quajmë skenar i volitshëm, i pavolitshëm dhe më i pavolitshëm. Te të gjitha skenarët, rënie më e madhe e tatimeve pritet në kuartalin e dytë edhe atë me 40 deri rreth 60% në krahasim me vitin e kaluar. Sa do të jetë e ashtuquajtura vrimë, varet prej asaj se sa saktësisht do të rriten nevojat për financim dhe cili nga këto skenarë do të jetë realitet. Plani për vitin 2020 ishte parashikuar që deficiti të përmbajë rreth 300 milionë euro. Por, tani se sa do të jetë më i madh deficiti do të varet prej asaj se sa do të zvogëlohen të ardhurat”, tha ministrja Angellovska.

Ajo ka sqaruar edhe projektimet për tre skenarët:

“Skenari i parë parasheh gjithsej rënie prej rreth 20% të të ardhurave të përgjithshme të buxhetit në raport me planin. Apo ulje të të ardhurave për rreth 700 milionë euro, apo për aq do të rritej deficiti. Ai ishte projektuar në 300 milionë euro dhe për këto 700 milionë euro në mënyrë shtesë. Në skenarin e dytë, nëse rënia përmban 30% nevojat do të rriteshin për 1 miliard euro. Dhe te skenari i tretë, skenari më i pavolitshëm, nëse të ardhurat shënojnë rënie për 40%, nevojat plotësues do të ishin për 1,3 miliardë euro”, theksoi ministrja.

Sipas saj, realizimi i buxhetit ka filluar mirë këtë vit, aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje dhe dy muajt e parë ka pasur realizim të shkëlqyer në përputhje me planin. Ajo tha se, buxheti nuk është një grumbull parash që shteti i ka në fillim të vitit dhe pastaj i harxhon, por buxheti është projektim i asaj se si do të mbushet arka e shtetit dhe si do të zbrazet, përkatësisht si do t’i realizojnë shpenzimet. Angellovska shtoi se, likuiditeti është i shkëlqyeshëm dhe buxheti është në kondicion të mirë. Ashtu ishte edhe në fillim të muajit mars. Pagesa në janar ishte rritur për 4.6% dhe në shkurt për 4% për dallim nga viti i kaluar.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme, miratoi pakon e dytë të masave për përballje me pasojat e shkaktuara koronavirusi.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button