KKK (kuvendi i Kosovës, korona)

I mbyllur në shtëpi ti rri me të dashurit, me fëmijët. E vetmja lidhje me botën të mbeten dritarja, televizori dhe kompjuteri. I respekton udhëzimet e pushtetit, rregullat. S’ka zgjidhje tjetër, sepse armiku është i padukshëm dhe i rrezikshëm, korona virusi. Po nuk veprove si kërkohet prej mjekëve korona nuk të rrezikon vetëm ty, por edhe më të dashurit e tu, e godit edhe ekonominë, kulturën, godit gjithçka, godit të ardhmen e të gjithëve. Ti, kuptohet, ke shqetësim. Do të informohesh se çfarë po ndodh. Lëshojeni TV-në, thua. Po fëmijët duan ta kalojnë fëmijërinë e tyre. Ata i josh loja, atyre iu duhet loja, jo lajmet. Prandaj lajmet do të mbeten kur të flenë fëmijët. Ty të mbetet dritarja. Shikon si bie borë jashtë në fund të marsit. I shikon fjollat e borës si vallëzojnë para dritares.  Era e ftohtë  mundohet të futet te plasat që i ka bërë vjetërsia në kornizat e dritareve. Çohesh e vesh një xhemper. E mbron veten nga të ftohtët. Po fëmijët? Kthehesh e i shikon fëmijët. Po ata? mendon. Po bashkëshortja jote është kujdesur për to. I zënë me punë, nuk ke pasur rast t’i shohësh fëmijët kur ditën janë bashkë në shtëpi. Uh, sa zhurmë bëkan! Dhe, sa shpejt po rriten! habitesh. S’ke pasur kohë shumë t’u përkushtohesh. Tash je me ta, deshe s’deshe, ngase nga puna të kanë pushuar për shkak të pandemisë. Edhe bashkëshorten tënde, po ashtu.

I shikon si luajnë fëmijët, si bërtasin, si i imitojnë të rriturit, mësuesen e tyre, nënën, ty. Pastaj fëmijët e nuhasin brengën tënde e përpiqen të jenë më të qetë, se të respektojnë, si ti që i ke respektuar prindërit. Ta kujtojnë fëmijërinë tënde, që ka qenë një luftë e pasherr për t’u rritur sa më shpejt. Fëmijët e kalojnë po atë shteg. Si për ty dikur, edhe për ta dita s’ka fund. Po ty të duhet të kalojë më shpejt kjo rrëmujë e fëmijëve. E kur, bie nata e fëmijët flenë, e lëshon televizorin në qetësi… Do të informohesh për situatën me pandeminë dhe atë politike. Kanalet e ndryshme televizive kësaj dite i japin përparësi kuvendit të Kosovës.  Thonë se do të mbahet mbledhja e kuvendit të Kosovës (kuvendi i shkruar me k të vogël është i qëllimshëm) për ta shqyrtuar mocionin e LDK-së për rrezimin e qeverisë. Ti e luan kokën në shenjë habie. Të vjen turp. A janë në vete këta njerëz? e pyet veten. Ku e gjetën këtë moment të merren me këtë mocion? A s’patën pak durim ta shtyjnë për ndonjë muaj luftën për pushtet?! Ndërkohë del bashkëshortja e cila i ka vënë në gjumë fëmijët dhe kthehet të marrë vesh se çfarë po ndodh. Në sytë e saj shihet frika dhe shpresa. Frika nga korona që vjen me katër kalorësit e apokalipsës dhe shpresa se mos po mbushen në mend deputetët e Kosovës që të mos bëhen shpërndarës të virusit në popullin e shkretë. Njëqind e njëzet deputetë, i shumëzon ajo me katër anëtarët e familjeve të tyre – katërqind e tetëdhjetë dhe ky numër me kontaktet që do t’i ketë me një numër të madh njerëzish jashtë kuvendit dhe e sheh vendin në rrezik! “Tutem”, të thotë ajo, “tutem për fëmijët”… Dhe, të pyet: çka bëjnë këta deputetë?! Vonë është, grua, i përgjigjesh shkurt dhe  kërkon të flesh. Në të vërtetë ti e kursen gruan e shqetësuar nga informacioni vrastar.

Dita tjetër fillon me TV. Dhe me stres: vallë çfarë do të ndodhë në mbledhjen e kuvendit?

I ngul sytë në ekran. As nuk i dëgjon fëmijët të cilët janë zgjuar që moti dhe kërkojnë të hanë. Bashkëshortja e shtron sofrën. Ti ia lëshon zërin edhe pak televizorit, i lan duart e ulesh në tryezë. E dëgjon mbledhjen. Fjalim pas fjalimi. E ndjen boshësinë e retorikës. E ndjen thellë se këta njerëz janë të gatshëm ta sakrifikojnë popullin për një post presidenti, për mbrojtjen e kapitalit të grumbulluar, për interesa të ngushta e meskine në mënyra të cilën e dinë vetëm ata se si. Ty të pritet buka. Çohesh. Shkon i lanë duart pas buke dhe shikon kah dritarja. S’lëviz njeri në rrugë. Të gjithë sigurisht janë mbledhur para TV-së.

Kështu kalojnë orët. Një ditë e pambarim.

Në çastin kur thua: hë e mori të mbarën puna dhe se këta deputetë e kanë kuptuar se kështu rrezikojnë të bëhen bartës e shpërndarës të kovidit, atëherë t’ia fut ndonjë sharlatan diçka që e ndez flakën retorike. Pasojnë fyerje, argumente që s’janë argumente, dalin “mbrojtës” të miqësisë me SHBA-në, taksa e vënë për mallrat e Serbisë e ku ta di se çka. Populli, interesat vitale të popullit, askund s’janë.

Në çastin kur të duket se gjithçka është ndalur, se as koha nuk ecën, se jemi në një qorrsokak historik, se asgjë e mirë nuk do të ndodhë, se nuk do të dilet nga kjo situatë, kur të rëndon marria e tetëdhjetë deputetëve që e gjetën mu tash  momentin për mocion, një moment kur virusi kovid e ka mbuluar globin, kur Serbia po armatoset dhe lidh miqësi me shtete që janë kundërshtarë të perëndimit, atëherë i sheh fëmijët si shpikin lojëra të reja e luajnë qetas që të mos të pengojnë ty, pikërisht atëherë e sheh se jeta i ngjan një seriali televiziv në kuptimin se ka vazhdim. Se është një premtim se do të ketë ditë të nesërme. Nëse epizodi i sotëm i turpshëm që e luajti politika, nesër mund të vijë një ditë më e mirë, të cilës do t’i prijë një forcë e re politike, me emra të rinj që këble s’e kanë paranë dhe egonë e tyre, po përparimin e vendit.

Se fëmijët rriten më shpejt se sa që mund ta marrin me mend ata që vrapojnë pas pushtetit e parasë. E një ditë këta do t’i venë pikën karrierës politike të filluar nga koha e Rrahmanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button