“Tregu i Gjelbër” në Tetovë, tregtarët: Do të ngelim në rrugë, nuk ka punë (FOTO)

Përveç bizneseve të mëdha të cilët tashmë kanë filluar të lëshojnë disa punëtorë nga puna, ekonomikisht pandemia e virusit korona ka dëmtuar edhe bizneset e vogla, sidomos tregjet, aty ku shiten pemë e perime. Disa nga tregtarët e Komunës së Tetovës na thanë se në qoftë se kështu vazhdon, të njëjtit do të mbyllin tezgat e tyre kështu duke ngelur pa asnjë të ardhur, njofton Portalb.mk.

Tregu i Gjelbër, Tetovë.
Tregu i Gjelbër, Tetovë.

Tregu i Gjelbër në qytetin e Tetovës sot kishte një pamje krejtësisht tjetër, edhe pse shumëllojshmëria e ngjyrave të pemëve nuk mungonte, njerëzit kishin vendosur të braktisin këtë treg. Një qytetar na tha se tashmë pemët dhe perimet i blen në shitore, për shkak se aty nuk ka grumbull njerëzish dhe ndjehet më i sigurt.

Një nga tregtarët na tha se është çështje ditësh kur ai do ta mbyll biznesit, për shkak se siç u shpreh ai prej kohës kur ka filluar përhapja e virusit korona, më shumë po humb se sa fiton.

“Nuk kam vullnet as të vij të punoj më, puna ka rënë tërësisht dhe të vetmit që blejnë janë disa të moshuar që vijnë në mëngjes kurse pas orës 14:00 nuk lëviz askush këndej. Nuk e di si do ja bëjmë me pagesën në fund të muajit, shpresojmë që shteti të na ndihmoje, përndryshe të gjithë ne do të përfundojmë në rrugë, pa asnjë të ardhur tjetër” tha njëri nga tregtarët.

Në kohën kur qytetarët më shumë se kurrë janë turrur ushqimeve me shumicë, kishte ankesa nga qytetarë se bizneset që ofrojnë produkte ushqimore kanë rritur çmimet e tyre kështu duke përfituar nga kjo situatë pandemie.

I pyetur nga Portalb.mk njëri nga tregtarët për këtë, ai e mohoi tërësisht duke u shprehur se të gjitha këto janë spekulime kurse rritje të çmimeve siç tha ai, mund të kenë bë shitoret por jo tregu i gjelbërt.

“Janë spekulime, çmimet nuk janë rritur madje disa edhe kanë rënë. Nuk e di pse dolën këto fjalë, ndoshta në shitore janë rritur çmimet por në treg jo sepse nuk ia vlen” tha një nga tregtarët.

Ndryshe, përveç mungesës së njerëzve në këtë treg vëreheshe edhe mungesa e mjeteve mbrojtëse nga ana e shitësve, disa nga ata nuk e konsideronin si të rëndësishme që të mbrohen nga ky virus duke përdorur mjete mbrojtëse.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në kumtesën e orës 12:30  të ditës së martë informoi se në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shënuar edhe 12 raste të reja të virusit korona, me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 148. Deri më tani janë shënuar dy viktima nga ky virus, një grua 57-vjeçare nga Kumanova dhe një burrë 63-veçar nga Dibra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button