PDK: Qeveria Kurti uzurpoi pushtetin dhe shkeli rendin kushtetues duke kufizuar lirinë e lëvizjes

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve në kuadër të masave për të luftuar koronavirusin.

PDK-ja, në një reagim dërguar mediave, thotë se e dënon “ashpër” përpjekjen e “Qeverisë në largim për të cenuar rendin demokratik e kushtetues nëpërmjet vendimeve të saja”.

“Vendimi i sapo marrë nga Qeveria në largim e Kosovës, është një akt i paligjshëm sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Liria e lëvizjes dhe liritë tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova”, ka thënë kjo parti, duke cituar nenin 56 i Kushtetutës së Kosovës për Të Drejtat dhe Liritë Themelore e shpreh qartë e pa ekuivok, “se shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Pra, qartazi kjo qeveri ka tejkaluar kompetencat e saja, përderisa ende nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme”, ka thënë PDK-ja.

“Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur tashmë se Qeveria e Kosovës është treguar e vonuar, e mangët dhe neglizhente për sa i përket masave të marra për t’u përballur me pandeminë dhe ka propozuar shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme, si hapin e duhur për t’u përballur siç duhet me kërcënimin e pandemisë. Por, kurrsesi nuk do të lejojë që kryeministri në largim, Kurti, të shfrytëzojë situatën për të shkelur shtetin e së drejtës, për ti dhënë vetes kompetenca që nuk i takojnë duke shkelur Kushtetutën. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërheqë këtë vendim anti-kushtetues dhe të mbështesë vendosjen sa më shpejt të Gjendjes së Jashtëzakonshme që do të mundësojë që masat anti-pandemi të ndërmerren në mënyrën ligjore”, u shpreh kjo parti.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00 si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button