Francë, numri i vdekjeve nga COVID-19 arrin në 674

Numri i personave që kanë humbur jetën në Francë nga koronavirusi i ri (COVID-19) u rrit në 674, në kohën kur vendi ende është duke luftuar sëmundjen në ditën e gjashtë të një bllokimi mbarëkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në 24 orët e fundit, numri i vdekjeve është rritur për 154, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara është 16.018.

Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Tranzicionit Ekologjik dhe Solidaritetit në Francë, Emmanuelle Wargon, dje përmes rrjeteve sociale njoftoi se ka rezultuar pozitive në testin për virusin.

Wargon është anëtarja e tretë e parlamentit që u infektua me COVID-19. Ajo tha se ka vetëm simptoma të buta dhe se po qëndron e mbyllur dhe në pushim.

Ndërkohë, në Francë është regjistruar edhe rasti i parë i vdekjes së një mjeku nga sëmundja. Bëhet fjalë për Jean-Jacques Razafindranazy, 67 vjeç, një mjek i dhomave të urgjencës në Spitalin Compiegne në Oise, një nga rajonet veriore të vendit që është goditur rëndë nga virusi. Razafindranazy ndërroi jetë të shtunën në Spitalin Universitar në Lille, ku ai ishte transferuar.

Ministri i Shëndetësisë së Francës, Olivier Veran, njoftoi vdekjen e mjekut gjatë një konference për media të mbajtur dje.

“Mbrëmë mësova për vdekjen e mjekut. Dua të ndaj dhimbjen me stafin mjekësor. Ata paguajnë një çmim shumë të rëndë”, tha Veran.

Razafindranazy ishte ortoped që kishte dalë në pension, por ishte aktivizuar për të ndihmuar nga shkaku i epidemisë. Në nder të tij, një minutë heshtje do të mbahet nesër në mesditë në Spitalin Compiegne.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, ai është shpërndarë në më shumë se 169 shtete dhe rajone.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen pandemi botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button