RMV, Eko-aktivistët: Duhet patjetër të ndryshojmë shprehitë tona të të jetuarit

Eko-aktivistët janë të prerë në qëndrimet e tyre se masat për parandalimin e koronavirusit kanë treguar shkallën në të cilën sjellja njerëzore dhe mënyra e jetesës ndikojnë mbi mjedisin. Karantina, izolimi, ndërprerja e trafikut ajror janë disa nga aktivitetet që i lejuan Tokën të “marrë pak frymë”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e fundit nga një lëshim i Agjencisë Evropiane të Kërkimit Hapësinor (ESA) tregojnë një rënie të konsiderueshme të dyoksidit të azotit, një gaz i dëmshëm që emetohet nga fabrikat, makinat dhe termocentralet në veri të Italisë. Ulje e ngjashme e ndotjes u regjistrua në Kinë, pasi qeveria urdhëroi karantinë të gjerë atje për të parandaluar përhapjen e covid-19.

“Me uljen e aktivitetit njerëzor, zvogëlohet edhe ndikimi ynë në mjedis. Unë mendoj se kur të përfundojë kjo krizë, duhet të rivlerësojmë ekuilibrin tonë me natyrën dhe si do të vazhdojmë ta ruajmë atë, “thotë Gorjan Jovanovski nga “Ajri im”.

Elena Nikollovska nga” Eko vetëdija” (“Eko svest”), sikurse Jovanovski, besojnë se kufizimi i aktiviteteve rezulton me ulje dramatike të emetimeve të gazrave serë në të gjithë botën.

“Ne mund të mësojmë shumë dhe të kthehemi kah një mënyrë e të jetuarit që nuk do të dëmtojë mjedisin jetësor, sepse pikërisht kur lëvizja është e kufizuar ne bëhemi të varur nga shëndeti i mjedisit dhe ushqimi i prodhuar në nivel lokal. Të gjitha provat shkencore sugjerojnë që zhvillimi i përshpejtuar, masiv dhe i paqëndrueshëm do të çojë në një rritje të sëmundjeve që sulmojnë njerëzit”, shton Nikollovska.

Nevena Georgievska nga Iniciativa O2 i ndan mendimet e saj me Nikolovska dhe Jovanovski. Beson që futja e masave të rrepta për qarkullim, karantinë, ndërprerja e punës së shumë kapaciteteve industriale, reduktimi i komunikacionit dhe në veçanti i atij ajror, ka kontribuar në uljen e dukshme të ndotjes.

“Kjo nuk do të thotë që virusi është diçka e mirë, por thjeshtë që pas gjithë kësaj për çka jemi të detyruar tani, duhet ta kuptojmë thelbin që njeriu duhet të jetojë në harmoni me natyrën dhe se nuk duhet të sillemi sikur gjithçka përreth nesh të ekzistojë vetëm për të përmbushur nevojat tona të cilat jo gjithmonë janë të domosdoshme për jetë normale. Natyra mund të mbijetojë pa njeriun, jo e kundërta”- siguron Georgievska.

Eko-aktivistët pajtohen që blerja e tepruar dhe e panevojshme përveç që do ta ngarkojë tregun, do ta dëmtojë edhe mjedisin. Ata pa ndërprerë apelojnë të mos blihet më tepër se sa është e nevojshme për dy javë në izolim.

“Me rritjen e kërkesës për produkte janë fajtorë për vëllim të zmadhuar pune të njerëzve të cilët punojnë në marketet, megjithatë edhe për rritjen e nevojës për transport dhe ambalazhe që në fund nuk riciklohen dhe përfundojnë në Drislla. Ne e dimë se ulja e mbeturinave është gjëja e fundit për të cilën mendoni në këtë moment, por të paktën përpiquni të ndani mbeturinat ushqimore nga mbeturinat e tjera” thotë Elena Nikollovska.

Jovanovski tregtinë me rezerva e komenton si plotësisht të panevojshme, por që ai i kupton qytetarët.

“Në momente të tilla, më e rëndësishme është t’i dëgjojmë rekomandimet e OBSH-së dhe të autoriteteve dhe të veprojmë me ndërgjegje dhe disiplinë. Mbani mend, ka shumë familje që nuk do të jenë në gjendje të blejnë produkte nëse blini dhe grumbulloni produkte, sepse një rritje e tillë nuk parashikohet në blerje me rrjedhë normale. Një pjese të madhe të asaj që do ta blini, do t’i skadon afati dhe do të duhet të hidhet në vend që të përdoret nga një familje që ka nevojë për atë. Rrini të qetë por edhe të logjikshëm” thotë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button