Lëvizja BESA – Tearcë: Isen Asani ende nuk e sheh të arsyeshme për t’i dezinfektuar rrugët e Komunës së Tearcës

Lëvizja BESA – Tearcë përmes një kumtese ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Tearcës, për siç thonë, mos-dezinfektimin e rrugëve në këtë rajon, transmeton Portalb.mk.

“Pandemia e “Covid-19” është shqetësim i çdo qytetari në Maqedoninë e Veriut por edhe shqetësim në gjithë botën. Masat mbrojtëse që kanë ndërmarrë komunat e tjera për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, janë për t’u përshëndetur ndërsa mos përgjegjësia e Komunës së Tearcës është për t’u kritikuar për mos marrjen e masave. I bëjmë thirrje kryetarit Isen Asani të vetëdijësohet dhe përgjegjësohet që të merr masa dhe t’i dezinfektojë rrugët e fshatrave të Tearcës, si preventivë për parandalimin e përhapjes së virusit.” thuhet në kumtesë.

Nga kjo parti thonë se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, andaj marrja e masave mund të ndihmojë dhe kontribuojë që kjo pandemi të mos përhapet.

“Kërkojmë urgjentisht që bëhet dezinfektimi i rrugëve, sepse në shtet tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa Komuna e Tearcës ende nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
Kërkojmë urgjentisht edhe formimin e shtabit të krizës apo emergjencës, e cila do të njoftonte qytetarët për “Covid-19” dhe informimi i qytetarëve në kohë për mbrojtje nga pandemia.” thuhet në kumtesë.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga data 18 mars 2020 dhe do të zgjatë 30 ditë. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 48 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button