Virusi korona, punonjësit e shitoreve ndjehen të rrezikuar për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me njerëz

Virusi korona që është përhapur edhe në Maqedoninë e Veriut, ka futur në karantinë pothuajse të gjithë të punësuarit. Biznese të shumta janë mbyllur përkohësisht, institucionet punojnë me numër të reduktuar të punëtorëve, ndërsa shumica kanë filluar që punët t’i kryejnë prej në shtëpi. Por, kjo masë e organeve kompetente nuk i përfshin edhe profesionet të cilët janë në shërbim të qytetarëve dhe duhet t’i plotësojnë nevojat e tyre, pavarësisht situatës në të cilën gjendet shteti. Në kategorinë e atyre që nuk kanë ndalur punën e tyre, janë edhe shitoret të cilët furnizojnë qytetarët me ushqime e gjëra të tjera të përditshmërisë. Ato jo vetëm që nuk janë mbyllur, por puna e tyre është rritur dukshëm, njofton Portalb.mk.

Burim Buçi

Burim Buçi, menaxher i një shitoreje në lagjen Hasanbeg të Shkupit, deklaroi për Portalb, se kushtet e tyre të punës tash janë vështirësuar, pasi kontakti me njerëz është rritur, dhe me këtë është rritur edhe rreziku i tyre sa i përket infektimit të tyre të mundshëm me virusin korona. Ai tha se, të paktën janë blerësit që respektojnë rekomandimet e qeverisë, në aspektin e masave mbrojtëse.

“Ndjehemi të rrezikuar qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet Ministrisë së Shëndetësisë. Siç mund të shihni këtu askush nuk mban as maska dhe as doreza. Gjithkush hyn dhe del. Ne mund të jemi personat e parë që infektohemi nga virusi dhe ta shpërndajmë atë te të tjerët. Ne respektojmë masat e Qeverisë dhe u rekomandojmë të tjerëve që të mbajnë të paktën doreza, pasi siç është konstatuar nga organet kompetente, një nga mënyrat e transmetimit të virusit është nëpërmjet duarve”, theksoi menaxheri Burim Buçi.

Por, edhe pse nuk janë përballur më herët me një situatë të tillë, ai tha se, arrijnë të menaxhojnë punën e tyre dhe do ta vazhdojnë ta bëjnë këtë, për të përmbushur nevojat e konsumatorëve.

“Puna është rritur sidomos ditën e fundit, pasi ka panik te njerëzit. Vazhdimisht furnizojmë, ashtu siç harxhohet menjëherë e furnizojmë, tani kemi më shumë mallra se zakonisht. Nuk kemi problem, distributorët sjellin vazhdimisht, por edhe magazinat te të cilët marrim nuk kanë probleme me mallin, deklaroi ai.

Erduan Ramani

Ndërkohë, Erduan Ramani, kasier në shitore, po ashtu, tha se për shkak të panikut që është krijuar te qytetarët puna është rritur si asnjëherë më parë, duke e shtuar në këtë mënyrë edhe kontaktin me njerëz.

“Ndjehemi të rrezikuar, kemi kontakt me njerëz vazhdimisht, tani kemi vendosur edhe maska dhe dorëza sipas rekomandimeve të Qeverisë. Për shkak se kemi vazhdimisht kontakt me njerëz duhet të shkurtohet orari i punës. Puna është rritur jashtë normales, mallrat vazhdimisht harxhohen dhe nuk mund ta furnizojmë shitoren ashtu siç duhet”, theksoi Ramani.

Ai shtoi se, është hasin shumë vështirësi në përballimin e vëllimit të punës me të cilin po ballafaqohen momentalisht dhe për këtë, kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.

“Miell nuk kemi tashmë dy ditë. Edhe mullinjtë nuk mund të furnizojnë. Për 24 orë janë shitur gati 8 ton miell. Përpos miellit, gjërat që shiten më shumë janë ato të gatshme dhe jo gjërat që duhet të përgatiten. E kemi rritur numrin e personave pasi që nuk mund të përballohet vëllimi i punës. Brenda dy jave kemi marrë dy persona shtesë”, deklaroi Ramani, kasier në shitore.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit korona, e cila u shpall pandemi globale nga ana e OBSh-së javën e kaluar, Qeveria solli vendim që të mbyllen shkollat, restorantet, lokalet, qendrat e mbyllura tregtare etj, ndërsa ka përjashtuar nga kjo masë shitoret, barnatoret dhe spitalet.

LEXO: “Korona”, mentalisht dhe fizikisht, sa t’sigurtë janë punonjësit e shitoreve, flet Shenolli

LEXO: Koronavirusi, gripi, alergjia apo ftohja? Përgjigjuni disa pyetjeve dhe zbuloni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button