Pas një postimi në Instagram, ekipi turk i shkëputi kontratën Obi Mikelit

Klubi i Superligës së Turqisë në futboll, Trabzonspor, ka njoftuar të martën se ka shkëputur kontratën me ish-kapitenin e Nigerisë, John Obi Mikel.

Sipas njoftimit, kontrata është shkëputur me marrëveshje të dyanshme, raporton Koha.net.

Mikel kaloi te Trabzonspori verën e kaluar si lojtar i lirë, ndërsa firmosi për dy vjet. 32-vjeçari ka luajtur rol kyç te Trabzonspori në pjesën e deritashme të edicionit.

Nuk është dhënë ndonjë arsye për shkëputjen e kontratës, por media të ndryshme kanë raportuar se kjo është bërë për shkak të kritikave publike të futbollistit. Të shtunën Mikel kishte kritikuar autoritetet e futbollit në Turqi që nuk po e suspendojnë kampionatin, përkundër përhapjes së madhe të koronavirusit.

Ai kishte shkruar se nuk po ndjehet komod që të luajë më dhe kërkoj që kampionati në Turqi të pezullohet, njëjtë si në vendet tjera.

Mikel nuk luajti në ndeshjen e së dielës ndaj Bashakshehirit. Ai pritet që të kthehet në Angli së bashku me familjen.

Mikel është i njohur për periudhën e gjatë të kaluar te Chelsea. Mesfushori defanziv më pas ka luajtur për Tianjin Teda në Kinë, ndërsa gjatë vitit të kaluar u paraqit për Middlesbrough.

Të martën është pezulluar kampionati i Rusisë dhe kështu Turqia ka mbetur thuajse i vetmi vend me futboll të zhvilluar që po e vazhdon kampionatin e futbollit. Ndeshjet në Turqi po luhen pa shikues në tribuna.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button