A L B A N I A

Ditëve të fundit i jam kthyer revistës enciklopedike “Albania”, të cilën e drejtoi për 12 vite me radhë gjeniu i letrave shqipe Faik Konica. Jam kënaqur, natyrisht, sepse në faqet e saj njeriu mund të mësojë gjëra që nuk ka mundësi t’i lexojë në asnjë libër a revistë tjetër. Të paktën jo me të njëjtën gjuhë të thuktë të Konicës dhe bashkëpunëtorëve të tij që shkruanin e botonin në “Albaninë”  e respektuar edhe nga bota frankofone.

Siç e dini, “Albania” është botuar  në Bruksel e Londër  (1897 – 1909) me moton: “Mbron të drejtat e kombit shqiptar”. Sipas konicologëve të shquar, të cilët  kanë shkruar për të dhënat e mëposhtme, që nga “L’albanese d’Italia” e De Radës (1848) e gjer më sot “Albania” konsiderohet e përkohshmja më e mirë e traditës 180 vjeçera të gazetarisë sonë. Në faqet e saj botoheshin pothuajse të gjitha llojet e shkrimeve (ese, shkrime publicistike, reportazhe, kolumna, pamflete, fejtone, folklor, lirika e epika, satira e drama, balada e poema , tregime e novela, recensione e kritika letrare, bibliografi, tekste historike, përkthime, polemika, studime gjuhësore, studime mbi kavalerinë shqiptare në Francë, shkrime mbi lavditë e harruara…).

Në faqet e saj botuan krijuesit më të mëdhënj të periudhës së Rilindjes, si: Naim Frashëri (me pseudonimin/ inicialet: N.H.F.), Gjergj Fishta (me pseudonimet: Bibë Gjeta, Kastigat Ridendo, Rushman Sokoli, E popullit, Rushmani, Mar Pepa), Luigj Gurakuqi (Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri edhe Pali), Aleks Stavri Drenova (Al.St.Dr. dhe Asdreni), Filip Shiroka (Gegë Postripa), Hilë Mosi (Zog Sokoli, Zog Dushmani, Sokoli, Speci, Lirijasi), Gjeçovi (Lkeni i Hasit, Zana e Prezës), Fan Noli (Theofan Mavromati, Ali Baba Qyteza, Baba Ali Qyteza,  Rushit Bilbil Gramshi, Bajram Domosdova, Namik Namazi, Pesimisti), Aleksander Xhuvani (Dok Sula), Mit’hat Frasheri (Lumo Skendo) dhe disa emra të shquar krijuesish evropianë.

Albania” i kontribuoi shumë lëvrimit të shqipes, u përpoq për themelimin e një gjuhe letrare kombëtare dhe për njësimin e dy kryedialekteve tona. Për këto çështje ai kërkoi ndihmën e albanologëve evropianë…

Përdryshe, “Albania” u botua në kushte të vështira, u përgatit nga një njeri i vetëm, pa një redaksi, pa organizim administrativ, pa financa të garantuara, pa siguri shperndarjeje… Ajo botohej shkaku i energjive të pashterrshme të një njëzetenjëvjeçari.

Problemet ishin të mëdha, që nga mungesa e lexuesve që duheshin kultivuar, varfëria e gjuhës së pastërvitur, propaganda e huaj, mungesa e vetëdijes kombëtare.

Me revistën e tij Konca luftoi për Shqiperinë me kufijtë e saj të natyrshëm, duke iu përgjigjur një për një të gjitha shpifjeve greke, turke, serbe… Por, më shumë se me te tjeret Konica merrej me vetveten (me vetë shqiptaret). Me një rast ai shkroi: “Që të vejë edhe kombi ynë përpara, në udhë të bashkimit e të dashurisë, do-me-thënë në udhë të qyteterisë, është nevoja ta kuptojmë mirë një gjë: ftohtësitë, hidhërimet, armiqësitë, që mund të na largojnë nga njëri-tjetri, duhet të pushojnë, të harrohen, të shuhen…”.

*

Në vijim, nëpërmjet parafrazimeve, po sjell edhe për lexuesit e PortAlb-it ca copëza shkrimesh interesante që botoheshin në “Albania”:

GJUHA

Shohim me trishtim të madh mungesën e dashurisë së disa shqiptarëve për të ndërtuar e zbukuruar gjuhën e tyre. Është nevoja të mos e lëmë shqipen si ka qenë, se ashtu s’mund të quhet gjuhë…

KUVEND

Këto ditë një mik na shkruan për një këmbim fjalësh që kishte bërë me një Shqiptar:

  • A do të ta mësoj shqipen?
  • Jo or zotni, ç’më duhet ajo mua?
  • Po shqipja është gjuha jote, duhet të dijsh ta shkruash.
  • Unë nuk përzihem në të tilla punë.
  • Më në fund e shoh se nuk do. Po thuajma psenë e vërtetë të kësaj mosdashjeje.
  • E do të vërtetën, nuk del ulefeja me shqipen.

S’del ulefeja!, …aty është gjithë puna. Po të dilte ulefeja, gjithë ata Shqiptarë që sot e mohojnë gjuhën e tyre, do ta gjenin atë të mirë, të bukur e të shijshme…

Ç’është kjo e Shqiptarëve që, përveç ulefesë, s’duan gjë tjetër. Besoj se është përtacia. Shqiptarët s’e duan shumë punën, që nga bujqësia gjer në tregti të madhe, gjithë mjeshtëritë që duan pak a shumë punë dhe mundime. Se, ku ka më lehtë se të jetë njeriu meemur, zaptije, pasha…

KOMBËSIA

Sot për sot nuk ka Shqiptarë, ka vetëm “turq” dhe “kaurë”, pra Shqiptarë që turpërohen ta pranojnë se janë Shqiptarë. Por a ka qenë gjithnjë kështu? Nuk ka qenë në kohën kur edhe Shqiptarët e ndjenin me fund shpirti ç’është kombësia. Kur lordi Bajron ushëtoi nëpër Shqipëri i pyeti njerëzit e viseve të ndryshme të Turqisë ç’janë me përkatësi, të gjithë i thoshin “jemi turq”, “jemi të krishterë”, kurse vetëm në Shqipëri njerëzit i përgjitjeshin: “Jemi shqiptarë”. Sepse mendimi kombëtar ishte shumë i shkëlqyer në Shqipëri.

KAFENETË

Si kafenetë e Shqipërisë s’ka më të mira për të shkuar kohën. Nëse mbetesh pa gazeta, pa libra, e je mërzitur, çap në kafene, zë një fron e shiko. Të gjithë lozin, më së shumti me të holla dhe pothuajse kurdoherë lodra përfundon me të shara e me rrahje. Për fat të mirë, të sharat midis Toskëve janë si buka e përditshme, gëlltitet shpejt dhe harrohet të nesërmen.

TË REJA

Në kufi të Malit të Zi e të Serbisë, Shqiptarët bënë trazime. Zëvendësi i Serbisë në Stamboll u qa te Sulltani duke thënë se Shqiptarët therrin nat’ e ditë Serbë. E përkohshmja “Albania”  i dërgoi në emër të të gjithë Shqiptarëve një letër Lartmadhërisë së Tij Sulltanit si përgjigjë Serbisë. Në atë letër provuam se shkaktarët e trazirave janë Serbët, të cilët kanë kallur gjithë vendin tonë me shkolla, dhe i kanë dëbuar nga Vranja Shqiptarët, duke vjedhur tokën dhe gjënë e tyre…

DY FJALË VËLLEZËRVE TË MI

E shoh një çudi të madhe, sidomos në Shqipëri të sipërme, që nuk kam mundur ta marr me mend, e kjo çudi është gjumi të cilin jemi duke e fjetur disa qindra vjet, në një mënyrë që thua se kombi jonë fle, sepse sytë e tij nuk e durojnë dot dritën e diellit!

Mjafton me i çelë sadopak sytë, për ta parë menjëherë shtetin e mjerë dhe të lotuem t’kombit tonë, që e shkoi jetën në gjumin e padijes, po dhe shtetet e lulzuara të fqinjve tanë që u munduan të ecin në udhën e qytetërimit. Dhe vërtet këto shtete që janë rreth nesh janë si qytete të gjalla e të ndritshme, kurse vendi jonë që është ndërmjet tyre duket si qytet i vdekur. Shikoni Greqinë, Bullgarinë, Serbinë…, të gjithë vende të vebokta e të mjera, por të gjitha kanë hapur shkollat e veta, kënë bërë libra në gjuhët e veta dhe kanë gazetat e veta. Shikoni Malin e Zi, më të vobektin prej të gjithëve (i cili do të ngordhte urie po të mos ishte ndihma e Rusisë), ka shkolla e libra në gjuhën e vet dhe ka tri gazeta në gjuhën  e vet. Po ne Shqiptarët! Ç’kemi bërë ne për të ecur në udhën e qytetërimit?… Ne kemi fjet!…

Ç’KEMI BËRË, TË GJITHA KOT

Më 1844 krisi, për rrezik të zi, një luftë e madhe në mes të vëllezërve tanë muhamedanë dhe të krishterë, e Ymer pasha derdhi atëhere shumë gjak shqiptari në Kalhkandelen (Tetovë). Pas këtyre trazirave, osmanlinjtë kapnin e tretnin (asimilonin) kurdoherë nga disa Arnautë, të cilët qanin mbasandaj pa dobi vendin e tyre për së largu.

As lufta e 1848, as gjaku që u derdh më 1853, nuk na prunë ndonjë të mirë. Hatt-i-sherifi i Gjyl-Hanesë e të tjera lidhje rezultuan të kota për ne: ne mbetëm gjithmonë të shkretë, në llomin ku ishim. Kujtuam më 1856 se na erdhi koha edhe neve, si vendeve të tjera të Turqisë, të marrim pak frymë, por u gënjyem. Malazezët, që mbaheshin aq trima, nisën të kërkojnë të bëhen shtet më vete. Serbët nisën duke i shkulur Turqisë herë një copë vend, herë një tjetër. Bullgarët u ngritën dhe më në fund e çliruan vendin e tyre, sado që ata ishin më mirë se të tjerët. Vetëm ne Shqiptarët i ndejtëm në besë Stambollit, e derdhëm gjakun tonë duke lufruar me Moskovin, me Malazezin e me Grekun, e në fund ç’fituam? E pamë se ata që u liruan nga Turqia janë duke shkuar mirë dhe duke u rritur me copat tona, e ata që nuk kanë mundur kurrë ta qesin në krye me ne, shikojnë sot t’na e marrin Shqipërinë e tërë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button