Qyteza ku banorët u ngritën dhe përzunë refugjatët

Qyteza e Vrasnas, në veri të Greqisë, u bë e njohur pak kohë më parë pasi banorët u organizuan vullnetarisht kundër emigrantëve dhe larguan me qindra prej tyre, të cilët do të rrinin në dhoma me qira, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Gazetarja e Euronews në Greqi, Symela Touchtidou, jep më nga afër një pasqyrë të situatës në zonë, e cila duket se ka përçarë banorët.

“Sigurisht që jam kundër mbajtjes së refugjatëve. Ka njeri që është pro?”, tha për Euronews Kosmas Athanasiadis, një banor vendas. “Sigurisht që kemi frikë. Dikur shkonim deri te vilat natën, pa problem. Tani nuk dalim dot as nga shtëpitë. Nuk shkojmë dot deri te kafeneja”.

Tri vite më parë, me mijëra refugjatë u vendosën në Vrasna. Banorët thonë se kjo solli rritje të krimeve dhe rënie të turizmit.

“Nisën të vjedhin mbulesa, këpucë, pantallona. Vidhnin edhe gjëra kozmetike për gratë, gjëra të tilla”, thotë Apostolos Sapunas, një tjetër banor.

“Keni dëgjuar për këto gjëra?”, pyetet ai nga gazetarja e Euronews, Symela Touchtidou.

“E kam parë me sytë e mi, te shtëpitë ku futeshin”, shton Apostolos Sapunas.

“Shkojnë në det dhe u krijojnë probleme turistëve”, tha një tjetër banor, Sofoklis Plomudis. “Shkojnë të gjithë bashkë në plazh dhe turistët largohen”.

Pronarët e shtëpive që do të jepeshin me qira, thonë se arsyeja e atyre reagimeve është racizmi. Për ta, strehimi i refugjatëve mund të jetë situatë pozitive.

“Menduam se mund t’i strehonim për 4 deri në 6 muaj.  Edhe për arsye financiare, edhe për të ndihmuar me situatën”, thotë Kristos Zaksopulos, pronar i një hoteli në Vrasna.

Por Vrasna ka edhe grupe të së djathtës ekstreme, të cilët kanë sulmuar pronarët e hoteleve që strehuan refugjatë.  Athanasia Dolma është një prej tyre.

“Nuk besoj se bëra diçka të gabuar. Përkundrazi. Ndihmuam njerëz që kishin vuajtur shumë, gra të abuzuara. Në disa raste ua morëm fëmijët për t’i vizituar te pediatri. Në një rast ndihmuam një grua që të lindë”, thotë ajo.

Rasti i Vrasnasë e ka vënë qeverinë greke në një situatë të vështirë, sipas gazetares së Euronews, Symela Touchtidou.

Me mijëra refugjatë të vendosur në kampe të mbipopulluara po presin të zhvendosen që nga ishujt për në Greqi. Por shumica e komuniteteve greke janë kundër idesë së strehimit të refugjatëve.

Shumë familje refugjatësh janë larguar nga Vrasna, pasi fëmijët e tyre nuk janë lejuar të shkojnë në shkollën e zonës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button