Shqipëria i shtoi masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

Institucionet në Shqipëri vazhdojnë të marrin masa shtesë për parandalimin e depërtimit dhe kontrollit të koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa në vend vazhdon edhe testimi i rasteve të dyshuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në një konferencë për mediat foli në lidhje me masat që kanë hyrë në fuqi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, sidomos në institucionet shëndetësore.

Sipas ministres Manastirliu janë testuar deri tani 65 raste në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), dy prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv, ndërsa në proces testimi janë 14 raste që i përkasin kryesisht kontakteve të ngushta të rasteve të identifikuar pozitiv.

Duke folur për masat në institucionet e kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se “Në ambientet e shërbimeve të urgjencës mjekësore në institucionet e kujdesit shëndetësor do të ndalohet përkohësisht hyrja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve, me përjashtim të rasteve kur vjen një kërkesë nga drejtoria e spitalit apo shefi i shërbimit përkatës. Kjo do të jetë normë për gjitha spitalet duke filluar nga sot. Tashmë përkohësisht do të ketë kufizim të vizitave vetëm me përjashtim të rasteve të kërkuara nga drejtoritë spitalore”.

“Gjithashtu kemi nxjerrë sot një urdhër të ri i cili ka të bëjë me kufizimin dhe ndalimin e ndërhyrjeve operatore kirurgjikale të planifikuara, duke përjashtuar të gjithë ato ndërhyrje operatore të cilat kanë lidhje me patologjitë malinje. Nuk do të ketë asnjë ndalim për sa i përket shërbimeve kirurgjikale të urgjencave. Të gjithë këto masa që merren nuk cenojnë aspak shëndetin e qytetarëve, por përkundrazi vendosin rregulla për të forcuar masat”, u shpreh Manastirliu.

Ndërkohë duke filluar nga sot në të gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor për një periudhë dyjavore.

Kujtojmë se në Shqipëri janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirusin e ri (COVID-19), ndërsa është ngritur një Task-forcë për ndjekjen e masave për parandalimin e depërtimit dhe kontrollit të koronavirusit.

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), numri i përgjithshëm i vdekjeve është rreth 3.800 me mbi 110.000 raste të konfirmuara.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button