Rasti “Erazmus”: Gjykata i dënoi me burg profesorët që kanë kërkuar seks dhe para për nota

Profesorët Bobek Shuklev, Dragi Janev, Sllave Ristevski dhe Dragan Denkovski janë fajtorë, vendosi gjykata për rastin “Erazmus”, njofton Portalb.mk.

I akuzuari i parë Shuklev ka marrë dënim me burg prej dy vjet e gjysmë për marrje ryshfet. I akuzuari Dragi Janev për të cilin gjykata tha se njëjtë si Shuklev ka kërkuar nota në këmbim të seksit nga studentet, gjithashtu u dënua me dy vjet e gjysmë burg. Dënim me kusht i është shqiptuar demonstratorit të Fakultetit Ekonomik, Dragan Denkovski, i cili ka qenë ndërmjetësues mes studenteve dhe profesorëve.

Nga akuza është liruar profesori Stojan Debarliev, të cilin gjykata e shpalli të pafajshëm. Profesorët kanë marrë ndalesë për kryerjen e veprimtarisë në kohëzgjatje prej 10 vjetëve, ndërkaq Denkovski në kohëzgjatje prej 5 vjetëve.

“Profesorët nuk i kanë shkelur vetëm normat penale, por edhe morale dhe etike të procesit arsimor. Kjo gjykatë ka konstatuar se Bobek Shuklev ka ndërmarrë veprime të cilat i ngarkohen se, ka kërkuar 1.000 euro që të shkruajë dy nota, me qëllim që studentja t’i kalojë provimet. Ajo është konstatuar me prova materiale dhe masa të veçanta hetuese. Ai ka kërkuar që me studenten të ketë marrëdhënie seksuale , bashkë të qëndrojnë në restorante jashtë shtetit, me qëllim që t’i shkruajë notë. Kjo është konstatuar me video-materialin, por edhe me dëshminë e të dënuarit, Dejan Trajkoviq”, tha Gjykata.

“Dragi Janev ka intervenuar te kolegët e tij që të kryhen veprime të cilat nuk kanë guxuar t’i kryejnë. Ka ndërmarrë veprime për kalimin e provimit dhe ka kërkuar marrëdhënie seksuale nga studentja. Ai ka kërkuar nota te Sllave Risteski. Nga video-materialet mund të shihet marrëdhënia e këtij profesori ndaj studentëve. Profesori ka kërkuar ryshfet për Matematikën e Ekonomisë 600 euro, ndërkaq studenti ia ka dhënë 500 euro dëshmitarit Dejan Trajkoviq. Nëpërmjet të akuzuarit Dragan Denkovski ka kërkuar 800 euro për kalimin e një provimi tjetër. Gjykata konfirmoi se bëhet fjalë për plan të përpunuar mirë dhe skemë, të cilën e ka bërë profesori. Studentëve të përmendur u ka shkruar nota 6, edhe pse ato nuk kanë pasur njohur të mjaftueshme për të kaluar”, tha Gjykata.

“Dragan Denkovski ka qenë ndërmjetësues, nëpërmjet të cilëve profesorët kanë marrë dhurata, mjete në mara, që t’u shkruajnë nota studentëve të cilët nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme. Veprimet e kryera janë dëshmuar edhe nga dëshmia e Dejan Trajkovskit i cili qartë ka treguar se si i ka dorëzuar paratë”, tha Gjykata.

“Në lidhje me Stojan Debarliev, Gjykata nuk ka gjetur prova se ka kryer vepra penale, për të cilat ngarkohet.

Prokuroria i ka përndjekur profesorët Bobek Shuklev dhe Sllave Risteski se kanë kryer vepër penale – pranim të ryshfetit, personi Dragi Janev është akuzuar se ka kryer vepër penale – pranim ryshfet dhe pranim të dhuratës për ndikim të paligjshëm. I akuzuari Stoajn Debarliev është ngarkuar me vepër penale – keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, por u shpall i pafajshëm. Nga ana tjetër, personi Dragan Denkovski i cili ka qenë demonstrator është akuzuar se ka kryer tre vepra penale – dhënie ryshfet.

Lënda është hapur në qershor të vitit 2016-të. Profesorët dyshohet se kanë kërkuar ryshfet prej 500 deri në 1.000 euro që t’u shkruajnë nota për provimet të cilat nuk i kanë kaluar. Në këmbim të notës, profesorët kanë kërkuar edhe marrëdhënie seksuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button