Rama: Banesat për të dëmtuarit nuk jepen në asnjë shtet tjetër falas

Prezantimi i projekteve për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti ka nisur në Thumanë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti  bëri me dije se do të ndërtohen  7981 banesa kolektive dhe 806 banesa individuale në këtë zonë, transmeton EuroNews.

“Do të jenë pjesë e projektit të madh dhe do të jenë e ndara në tri tipologji. Tipologjia 1+1, pra një dhomë gjumi dhe një dhomë dite, që do të jetë 60 m2 për familjet nga një deri në dy anëtarë. Banesat 2+1 do të jetë 78.2 m2 për familjet nga tre deri në katër anëtarë. Banesa 3+1 është banesa 93.8 m2 dhe është për familjet për më shumë se katër anëtarë”, theksoi ministrja e Kulturës.

Shtëpitë do të ndërtohen pranë njëra-tjetrës në mënyrë që i gjithë komuniteti të jetë i mbledhur në të njëjtën zonë. Ashtu si ministri i Ekonomisë Ahmetaj edhe kryeministri nënvizoi faktin se në asnjë shtet tjetër shtëpitë nuk jepen totalisht falas për banorët e dëmtuar, duke u krahasuar edhe me shtetin fqinj, Italinë.

“Ju do t’i merrni këto shtëpi, siç, dhe dëgjojeni më vëmendje këtë, siç nuk i merr askush. Në Itali për shembull pas tërmetit, kur rindërtohen shtëpitë, shtetit të jep një pjesë dhuratë dhe një pjesë të thotë e ke kredi të butë, por kredi është ajo dhe fillo paguaje. Jo, ju do të merrni çelësin, bashkë me hipotekën e truallit tjetër”, tha Rama.

Në këtë takim me banorët e Thumanës pati dhe një moment shkëmbimi batutash mes kryeministrit dhe një prej qytetarëve që ndodhej në sallë, i cili i konsideroi servilizëm duartrokitjet për kryetarin e Bashkisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button