Thaçi: Emërimi i Lajçakut për dialogun gabim strategjik i BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e quan gabim strategjik të BE-së emërimin e mundshëm të ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, për dialogun Kosovë – Serbi.

Në javët e fundit është raportuar se Miroslav Lajçak do të jetë emisar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, transmeton Koha.net.

“Nuk e mohoj rolin e BE-së, pasi kemi punuar për një dekadë. Sot, kemi të bëjmë me një Bashkim Evropian që ende pesë shtete të saj që nuk e kanë njohur Kosovën. Me gjasë do të kemi edhe të ngarkuarin special të saj, Miroslav Lajçak. E kam takuar atë në Munih dhe i kam thënë shumë qartë, miku im për ju ky është një vend shumë i mirë i punës, por rezultat nuk do të mund të arrish në Kosovë në raport me Serbinë, pikë. Pse? Për tërë këto vite ai ka qenë ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër i Sllovakisë dhe nuk e ka njohur Kosovën. Cili do të jetë pozicioni i tij në raport me Kosovën, pozicion neutral, jo faleminderit”, ka thënë Thaçi, në konferencë për media.

Thaçi thotë se Bashkimi Evropian është treguar e padrejtë dhe mashtruese në raport me Kosovën me rastin e liberalizimit të vizave.

“Vendimi i parë që duhet të marrë BE-ja është liberalizimi për të kthyer besimin e qytetarëve të Kosovës, pasi janë treguar të padrejtë, dhe mashtrues në raport me neve dhe ndëshkues padrejtësisht. Kush garanton që Lajçak vjen në Prishtinë dhe e mbështesin të gjitha vendet anëtare të BE-së, askush. Emërimi i një personaliteti të tillë që vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës është gabim strategjik. Emërimi i Lajçakut është një vendim i gabuar i BE-së. Por, pse nuk propozohet dikush nga një vend që e ka njohur Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, derisa thotë se ishte pikërisht Lajçak ai që kishte votuar kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Një nga votat vendimtare që i është premtuar Kosovës dhe në fund e ka mbyllur telefonin dhe ka votuar kundër është Miroslav Lajçak, ministër i Jashtëm i Sllovakisë, që ngarkohet tash për me u marrë me Kosovën e Serbinë”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button