KRrE: Mos të jepen leje për ndërtim nëse nuk përcaktohet se si do të nxehet objekti

Familjet duhet të kenë lëndë djegëse ekonomike, efikase dhe ekologjike për ngrohjen e shtëpisë, kurse operatorët e rrjetit shpërndarës duhet të dinë saktësisht se ku dhe në cilat zona duhet të forcojnë ciklet e investimeve në rrjet për të minimizuar prishjet e mundshme dhe për të shmangur humbjet në sistem, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ky është në thelb qëllimi i draftit që Komisioni rregullator për energjetikë dhe shërbime ujore, KRrE, ia ka dërguar Ministrisë së transportit dhe lidhjeve, e me të cilin kërkohen korrigjime në projektligjin për ndërtimin. Do të thotë që gjatë lëshim,it të lejeve për ndërtim, të jetë e detyrueshme të theksohet se me çka do të ngrohet objekti i ri që do të ndërtohet.

“Me këtë draft zgjidhje duhet të përdoren burimet më efikase dhe më ekonomike që janë në dispozicion të shtetit për të zgjidhur ngrohjen e qytetarëve. Kjo iniciativë është marrë nga kryeqytetet evropiane, model që nuk favorizon, por siguron parashikueshmëri, siguri dhe stabilitet në shpërndarjen e energjisë. Do të ketë zona të paracaktuara dhe do të dihet se ku dhe me çfarë karburanti do të ngrohen shtëpitë dhe objektet. Atje ku ekziston sistem i organizuar i ngrohjes, ndërtesat e reja do t’i bashkohen atij sistemi, por nëse investitori tregon se ekziston sistem më efikas për të zgjidhur problemin e ngrohjes, nuk mund të kontestohet që ta bëjë atë “, tha Marko Bislimovski, President i KRrE.

Ai shtoi se janë duke u bërë analiza të përbashkëta mes KRrE dhe BEG për instalim të kalorimetrave që do të matin energjinë e konsumuar në familjet që ngrohen me sistem qendror, me çka ata do të mund të bëjnë kursime të konsiderueshme. Kjo do të jetë e mundur vetëm te sistemet e ngrohjes horizontale, por jo edhe te ato vertikale. Përllogaritjet duhet të tregojnë se sa do të kushtojë blerja dhe instalimi i kalorimetrave, nëse ato kosto do të jenë të arsyeshme edhe për BEG edhe për banorët, dhe cila do të jetë mënyra e pagesës, nëse kjo do të bëhet përmes faturave për ngrohje dhe nëse do të ketë subvencione dhe ngjashëm.

“Ende nuk ka detyrim ligjor për të instaluar kalorimetra dhe supozimi është se mund të vendosen rreth 2,000 kalorimetra në vit në afro 25,000 ndërtesa ekzistuese me sistem horizontal të ngrohjes”, theksoi Bislimovski.

Sipas KRrE, konsumatori më i madh i gazit në vend është termocentrali i gazit TE-TO, pastaj impiantet për ngrohje, ndërmarrjet nga industria metalike, ushqimore dhe e përgjithshme. Në gaz natyror janë të lidhur edhe Qendra Klinike Nënë Tereza, Spitali 8 Shtatori, Ministria e mbrojtjes dhe nga ky sezon Kisha Ortodokse.

Viti i kaluar ishte vit rekord për konsum të gazit, me konsum të 296 milionë metra kub normal (m3), që është rritje prej 14 përqind nga viti 2018. ZZhTI vitin e kaluar kanë marrë mbi 5 milionë m3n, që është me 6 përqind më shumë se në vitin 2018, NP “Strumica Gas” ka shpërndarë 675.000 m3n ose 15 përqind më shumë, kurse 536.000 3nm ose 6 përqind më shumë se gjatë vitit 2018 ka shpërndarë “Kumanovo Gas”. Vitin e kaluar, në rrjetin e shpërndarjes janë lidhur 389 konsumatorë, prej të cilëve 286 janë familje.

“Intensiteti i lidhjes shtëpiake pritet të rritet, me ndërtimin e një tubacioni sekondar me gaz pas përfundimit të thirrjes publike për zgjedhjen e një distributori të gazit natyror që është duke u zhvilluar. Shpërndarësi i ri do të ketë detyrim të ndërtojë rrjete shpërndarëse në të gjitha qytetet në të gjithë vendin”, tha Bislimovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button