Panik

Fëmijët e mi kanë një libër të preferuar që e lexojnë mbrëmjeve para gjumit. Është libri “Panik në autostradë” nga cikli “Një familje e paparë”. Si të vegjël që janë, më pyesin pyetje të thjeshta, si për shembull, çfarë është autostrada. Kjo është e lehtë për t’ua shpjeguar. Por kur pyesin se çfarë do të thotë fjala “panik”, sqarimi mund të jetë mjaft i gjerë dhe shumëdimensional. Së pari u sqaroj që panik është frikë e madhe nga një situate e krijuar. Në librin që e lexojmë së bashku me ata paniku krijohet nga fakti që vajza e vogë Lola mbetet e harruar nga prindët në supermarketin e pompës së benzinës. Paniku në atë libër përshkruan ndjenjën e tmerrit që krijohet tek vajza e vogël në njërën anë, por edhe tek prindët e saj, të cilët me vonesë e vërejnë mungesën e saj në automobil.

Dhe të nesërmen, pasi jemi sqaruar me fëmijët se çfarë është paniku e çfarë autostrada, ata vërejnë në lajme gjithnjë e më shumë shqetësime lidhur me virusin e ri që është paraqitur në botë. Ia njohin edhe emrin, kanë dëgjuar për këtë edhe në shkollë, qoftë nga shokët e shoqet, qoftë nga mësueset që u thonë vazhdimisht se duart duhet t’i lajnë mirë e mirë me sapun. Vetëm se në banjat e shkollës nuk ka sapun, dhe ky është problem i rradhës esencial që ministritë dhe institucionet duhet ta zgjidhin së bashku me shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohet arsimi në këtë vend.

Fjalën e kisha te paniku, sepse sqarimi kësaj fjale nuk mbaron me tregimin e mbrëmjes. Fëmijët poashtu e ndjejnë panikun që përhapet lidhur me virusin. Fëmijët janë detektorë shumë të saktë të panikut. Prandaj ajo që na takon të bëjmë është t’u ndihmojmë ta tejkalojnë atë ndjenjë frike, të mos krijojnë trauma, në këtë mjedis edhe ashtu traumatizues mediatik. Thonë në çdo të keqe ka një pikë të vogël të mire. Ndoshta e vetmja gjë e mirë nga kjo punë do të jetë shprehia e krijuar, apo e përforcuar që fëmijët, e pse jo edhe të rriturit, të mësohen t’i lajnë më shpesh duart dhe të kenë kujdes për higjienën. Sepse pikërisht është higjiena ajo që ndihmon në përballjen me këtë virus. Ajo që nuk ndihmon është paniku, zbrazja e rafteve të dyqaneve, blerja e të gjitha maskave nëpër barnatore. Diçka tjetër që fare nuk ndihmon në këtë drejtim është rritja e çmimeve për këto produkte. Por njerëzit janë qenie të çuditshme: frikohen nga vdekja, e megjithatë përfitojnë nga kriza që paraqitet, frikohen nga dënimi i Zotit, e megjithatë e keqpërdorin për shembull pozitën e migrantëve duke i rritur kështu çmimet për transport dhe shërbime ndaj tyre, bile edhe çmimin e bukës që ua shesin disafish më shumë se që e blejnë për vehte. Të çuditshëm janë njerëzit, sepse pikërisht nëpër luftëra dhe kriza përfitojnë më shumë, duke u thirrur në ideale.

Gjëja tjetër që fare nuk ndihmon në përballjen me virusin, është përhapja e paragjykimeve dhe stereotipeve të ndryshme të cilat më së shpeshti lidhen me teori të ndryshme konspiracioni. Janë gjithnjë kohërat e krizës, kur njerëzit ndihen më të thyeshëm, ato kohëra në të cilat përhapet urrejtja dhe paragjykimi. Janë këto kohërat kur mer hov racizmi, janë këto momentet kur njerëzit fillojnë të kërkojnë arsyet për atë që e quajnë dënim të Zotit, sikur ata të ishin në komunikim të vazhdueshëm ditor me vetë Zotin. Kështu ka qenë edhe në mesjetë, kur epidemi shumë më të rrezikshme se kjo e sotmja kanë shfarrosur popuj të tërë dhe kanë përgjysmuar numrin e banorëve të tokës. Ato sëmundje të cilat sot janë historike për shkak të zhvillimit shumë të avansuar të mjekësisë (të cilin zhvillim edhe sot ka njerëz që e mohojnë dhe për shembull nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre) dikur kanë qenë shkaktar i vërtetë paniku, por njëherit edhe shkaktar i mosdurimit mes njerëzve dhe krijimit të paragjykimeve të ndryshme që shpesh kanë qenë më të rrezikshme se vet sëmundjet. Sepse nuk ka semundje më të keqe për njerëzimin se sa instikti i tij vetëshkatërues që nxitet nga urrejtja.

Prandaj e mira e punës është të mos bëhemi mjekë kur nuk jemi, dhe t’i dëgjojmë ata të cilët dinë më shumë se ne për këtë situate. Ata thonë që virusi nuk duhet trajtuar me neglizhencë, por poashtu thonë që vend për panikë nuk ka. Prandaj të mos jetojmë në frikë. Fundja një ditë të gjithë do të vdesim, nëse jo nga Koronavirusi, nga pleqëria po se po. Por gjatë çdo dite tjetër do të jetojmë. Ta bëjmë atë jetë të vlejë më shumë se sa frika nga vdekja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button