Tetovë: Të shtunave dhe gjatë sezonit të dimrit, parkingu do të punojë me orar të shkurtuar

Pas lajmit të Portalb.mk në lidhje me faktin që në Komunën e Tetovës parkimi zonal ka kohëzgjatjen më të lartë se shumica e komunave tjera si Gostivari, Kumanova dhe Shkupi. Sot, në seancën e 29 të Këshillit të Komunës së Tetovës u ndryshua kjo, gjegjësisht u shkurtua kohëzgjatja e punës së parkingut për ditën e shtunë dhe sezonin dimëror. Për ndarjen e kohëzgjatjes me 2 sezone, pat reagime nga këshilltarët e ASH-së, shkruan Portalb.mk.

Sot u mbajt mbledhja e 29-të e Këshillit të Komunës së Tetovës, ku në mes të tjerash në rend të ditës ishte edhe ndryshimi  i rregullores për mënyrën dhe kushtet e parkimit, kohëzgjatjen e parkimit përkatësisht kufizimin e tij.

Përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit” thanë se nga ankesat e mediumeve dhe qytetarëve kanë sjellë këtë vendim, ata shpjeguan se si do të funksionoje parkimi zonal me ndryshimet e reja.

“Parkimi zonal do të organizohet sipas periudhës verore dhe dimërore, edhe atë nga periudha e një majit deri më 30 shtator orari i punës i parkingut do të jetë nga e hëna deri të premten nga ora 07:00 deri 23:00 kurse të shtunën nga ora 07:00 deri në 14:00. Kurse orari dimëror do të jetë nga 1 tetori deri më 30 prill do të jetë nga ora 07:00 deri në 21:00 kurse të shtunën nga ora 07:00 deri në 14:00 dhe në festat shtetërore do të jetë falas” thanë nga NP “Parkingu i Qytetit”.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Për këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët ndarjen e kohëzgjatjes së parkingut në dy sezone e cilësuan si akt të palogjikshëm.

Ata propozuan që gjatë gjithë vitit për qytetarët e Tetovës të lehtësohet parkingu zonal, jo vetëm gjatë sezonit dimëror, pasi siç tha Selami, krijohet përshtypja sikur dëshirojmë të thithim sa më shumë mjete financiare nga mërgimtarët.

“Këshilltari nga radhët e ASH-së ka propozuar që të mos ketë dallim kohëzgjatja e parkingut në bazë të dy sezoneve. Mirëpo, të ketë vetëm një kohëzgjatje edhe ajo të jetë nga ora 07:00 deri në 21:00 kurse ditën e shtunë nga ora 07:00 deri në 14:00. Sepse në këtë mënyrë siç është propozuar tani nuk ka logjik, në një far forme i bije që vetëm për shkak që në sezonin veror i kemi mërgimtarët, kohëzgjatja të jetë më e gjatë me qëllim që nga ata të thithim sa më shumë mjete financiare” tha Arif Selami, këshilltar i ASH-së.

I njëjti, për të arsyetuar propozimin që gjatë gjithë vitit të jetë parkingu deri në ora 21:00, përmendi praktikën e qytetit të Gostivarit, Kumanovës dhe Shkupit, kështu duke cituar lajmin e Portalb.mk në lidhje me këtë.

Ky propozim nuk arriti që të kalojë, pasi kishte mbështetjen vetëm të këshilltarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti.

Kryetari i Këshillit, Memeti, propozimin e këshilltarëve të ASH-së e quajti korekt. Mirëpo, ai shtoi se kjo nuk është në përputhje me interesat financiare të ndërmarrjes publike “Parkingu i Qytetit”.

“Do të kishim pasur dëshirë që në të ardhmen edhe ne të kemi parkimin zonal gjatë gjithë vitit deri në ora 21:00, mirëpo duke pasur parasysh komunat tjera siç është ajo e Manastirit, Strumnicës dhe komunave të Shkupit vendosëm që ta lëmë kështu. Këtu duhet të merret parasysh edhe aspekti financiar, nuk  duhet të dëmtohet ndërmarrja sepse ajo mbijeton pikërisht nga këto të ardhura”  tha Bekim Memeti.

Kaa disa vite që Tetova haset me problemin e mungesës së parkingjeve. Gjatë viteve të fundit numri i veturave në rajonin e Tetovës është rritur dukshëm ndërsa sipas të dhënave të qershorit 2019, ka vetëm 1000 vende parkimi.
Ndryshe, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi disa herë ka premtuar se do të zgjerohet parkimi zonal në qytet. Të njëjtën e ka deklaruar në një intervistë për Portalb në maj të vitit të kaluar. Ndërtimi i katër bulevardeve kryesore në qytet shihej gjithashtu si një zgjidhje e mundshme për lehtësimin e komunikacionit, megjithatë asnjëra prej tyre nuk është e ndërtuar tërësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button