Shkup, u mbajt forumi nacional për shëndetin e nënave dhe foshnjeve

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka organizuar Forumin e dytë nacional “Nëna të shëndosha, foshnja të shëndosha: Maqedonia e Veriut u përgjigjet sfidave”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në forum të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve shëndetësore në vend, përfaqësues të OBSH-së dhe të organizatave tjera ndërkombëtare. Me fjalim përshëndetës, forumin e hapën ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, dhe bashkëshortja e presidentit Stevo Pendarovski, zonja e parë, Elizabeta Gjorgievska.

Në deklaratë për mediat, ministri Filipçe theksoi se sa i përket shëndetit të nënave dhe foshnjeve, ka rezultate të mira nga angazhimi në vitet e fundit.

“Është investuar në mënyrë serioze dhe janë përmirësuar kapacitetet e të gjitha spitaleve më të mëdha të maternitetit në vendin tonë. Është investuar edhe në infrastrukturë, në pajisje, rekrutimin e stafit të ri, arsimimin e stafit”, tha Filipçe, duke shtuar se rastet e vdekjeve të foshnjeve të lindura para kohe janë përgjysmuar në dy vitet e fundit.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, në deklaratë për mediat tha se ka pasur rastin që të vizitojë një spital, me ç’rast është shprehur i kënaqur nga reformat që po zbatohen në sferën e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

“Reforma e kujdesit shëndetësor të nënave dhe fëmijëve bazuar në kujdesin e fuqishëm primar shëndetësor është një model që ne do ta përdorim për nën-rajonin e Ballkanit”, tha Kluge.

Ndërkohë, zonja e parë Gjorgievska në fjalimin e saj theksoi se fuqizimi i sistemit shëndetësor është një proces dinamik në të gjitha nivelet. Megjithatë, ajo tha se është e nevojshme t’i jepet një vëmendje e kujdesin shëndetësor primar, për të cilin theksoi se duhet të jetë shtylla kryesore për përmirësimin e të gjithë sistemit shëndetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button