U shënua 16-vjetori i vdekjes së ish-presidentit Boris Trajkovski

Një delegacion nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sot vendosi lule në varrin e ish- presidentit Boris Trajkovski në varrezat në Butel, me rastin e 16-vjetorit të vdekjes së tij tragjike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në delegacionin qeveritar ishin ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimovski.

Krahas delegacionit, lule vendosën edhe anëtarët e familjes së presidentit Trajkovski, bashkëshortja Villma dhe vajza Sara Trajkovska dhe shoqata të qytetarëve.

Ish-presidenti Trajkovski së bashku me një delegacion 8 anëtarësh që udhëtonte në Konferencën Ndërkombëtare në Mostar, humbi jetën në një aksident ajror më 26 shkurt të vitit 2004.

Në aksidentin ajror krahas ish-presidentit Trajkovski, jetën e humbën edhe zëdhënësja e presidentit, Dimka Ilkova Boshkoviq, këshilltarët e presidentit, Risto Bllazhevski dhe Anita Llozanovska, përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Krstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski si dhe piloti dhe bashkëpiloti i avionit Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button