Ambasadori holandez: Metodologjia e re ua lehtëson vendeve që vërtetë duan të integrohen në BE

Në një intervistë për Portalb.mk, ambasadori i Holandës në Maqedoninë e Veriut, Dirk Jan Kop thotë se metodologjia e re e Komisionit Evropian (KE) për zgjerim, duhet t’ua bëjë më të lehtë atyre vendeve që janë vërtetë të përkushtuara në procesin e reformës, dhe më të vështirë për ata që nuk janë. Ai gjithashtu thotë se RMV ka shënuar përparim në procesin e reformimit dhe se vendimi i Holandës për të filluar negociatat e aderimit BE-RMV do të varet nga përparimi i përgjithshëm i bërë në zbatimin e reformave, vlerësim ky pritet të vjen së shpejti nga KE-ja.

Intervistoi: Elida Zylbeari 

A ka përparuar Maqedonia e Veriut në reforma që nga tetori, veçanërisht në fushën e gjyqësorit? Çfarë mund të konsiderohet përparim dhe çfarë regres, sipas jush?

Përkushtimi në procesin e reformimit është inkurajues. Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë. Bëhet fjalë për zbatimin praktik të reformave dhe ndikimin e këtyre reformave në jetën e përditshme të qytetarëve. Reformat duhet të synojnë të sigurojnë përgjegjshmëri, t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të rivendosin besimin në sistem. Ne presim të lexojmë vlerësimin e ri të Komisionit Evropian për reformat e RMV-së nga maji i vitit të kaluar kur u botua dhe raporti i fundit i përparimit.

Çfarë ofron Metodologjia e re, a është e vërtetë që ajo u jep shteteve anëtare më shumë fuqi për të bllokuar procesin? A i ndryshon ajo “rregullat e lojës”?

Propozimi i Komisionit Evropian për një metodologji të re përmban një numër përmirësimesh. Holanda e mirëpret atë që theksi më i madh është vendosur në sundimin e ligjit, administratën publike dhe reformat ekonomike. Për më tepër, Holanda mirëpret një gjuhë të qartë të kushtëzuar: negociatat mund të pauzohen ose ndërpriten më lehtë kur një vend kandidat nuk i përmbush detyrimet e tij. Kjo është në përputhje me qasjen e rreptë dhe të drejtë të Holandës për zgjerimin. Metodologjia e re duhet t’ua bëjë më të lehtë atyre vendeve që janë vërtetë të përkushtuara në procesin e reformës, dhe më të vështirë për ata që nuk janë.

A mendoni se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për prill pengojnë reformën?

Edhe tani që parlamenti është shpërbërë, zbatimi i vërtetë i reformave në terren mund dhe duhet të vazhdojë. Fokus i rëndësishëm për momentin është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Kjo është një mundësi që vendi të demonstrojë pjekuri demokratike. Ne mbështesim monitorimin e këtyre zgjedhjeve përmes monitorimit ndërkombëtar ODIHR dhe monitorimit të brendshëm të MOST-it.

A mendoni se Maqedonia e Veriut meriton të merr datë bisedimesh, si një shtysë dhe motivim për reforma më të shpejta, por edhe për faktin që e ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë?

Është arritur përparim i rëndësishëm në procesin e reformimit. Për më tepër, Marrëveshja e Prespës është një arritje e madhe. Vendimi i Holandës për të filluar negociatat e aderimit do të varet nga përparimi i përgjithshëm i bërë në zbatimin e reformave. Komisioni Evropian do të raportojë për këtë së shpejti. Ne do të presim këto raporte.

Janë investuar shumë para për të mbështetur reformat tona, megjithatë ne ende jemi dëshmitarë të skandaleve të korrupsionit, administratës joefikase, shërbimeve të dobëta publike, arsimit të dobët dhe kështu me radhë. Sipas mendimit tuaj, çfarë duhet të bëhet ndryshe dhe kush duhet ta bëjë këtë në mënyrë që të ketë një ndryshim të qëndrueshëm pozitiv?

Reformat në një vend kërkojnë kohë dhe përpjekje të përbashkëta. Kjo mund të arrihet vetëm duke miratuar legjislacionin e nevojshëm dhe duke siguruar burimet e nevojshme, njerëzore dhe financiare. Ne kemi një thënie në Holandisht: “letra ka durim”, që do të thotë se vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme; bëhet fjalë për zbatimin e tyre të duhur. Të gjitha organet publike duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme për të ofruar shërbime te qytetarët. Ne ndihmojmë atje ku na kërkohet ta bëjmë. Si shembull, ne mbështesim Këshillin Gjyqësor në zhvillimin e një metodologjie për një procedurë transparente të bazuar në merita për vlerësimin cilësor të performancës së gjyqtarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button