LDK dënoi sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Hoti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është sulmuar me vezë nga një qytetar të shtunën pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, siç shihet në një video të shpërndarë nga disa media vendore, shkruan REL.

Në video dëgjohet një person duke thënë “Taksën nuk bën me e heq”, duke iu referuar tarifës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë të cilën kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti tha se do ta zëvendësojnë me reciprocitet të plotë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media e ka quajtur sulmin “akt të ulët të papranueshëm dhe të dëmshëm për proceset vendimtare nëpër të cilat po kalon vendi”.

“Është i papranueshëm kthimi i shoqërisë sonë në sulme të këtilla, njësoj si në vitet 2015-2016, me qëllim stagnimin dhe bllokimin e proceseve shtet-formuese që i kemi ndërtuar në partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politik-bërje dhe udhëheqje të vendit”, thuhet në reagim.

Tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button