Rreziku nga dezinformatat është pjesë e sfidës së raportimit në rajonin e Ballkanit

Në vlugun e përhapjes së dezinformatave, gazetarët në Kosovë pohojnë se sfidat për raportim për ngjarjet në rajon janë gjithnjë e më të mëdha, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Profesionistët në terren pohojnë se mediat që nuk kanë prani në terren në të gjithë Ballkanin duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë filtrimit të informacioneve që ata i publikojnë në formë të lajmeve, por gjithashtu të jenë të kujdesshëm me mediat nga të cilat i marrin lajmet.

Serbeze Haxhiaj
Serbeze Haxhiaj

Gazetarja investigative, fituese e shumë çmimeve, Serbeze Haxhiaj, e cila punon si redaktore në Shërbimin e radiodifuzerit publik të Kosovës, por edhe si raportuese për Rrjetin ballkanik të raportimit Investigativ (BIRN), thotë se ngjarjet në rajon janë me interes të madh për të.

Megjithatë, zyrat rajonale të BIRN, siç thotë ajo, janë të dobishme për të siguruar informacione dhe kontekste të sakta për lajme dhe kërkime, por sfidat ekzistojnë ende.

 “Të qenit nën një ombrellë  na ndihmon të komunikojmë dhe mbulojmë çështje të ndryshme për aq sa është e mundur. Por  kjo shpesh nuk mjafton për shkak të situatës së në përgjithësi të medieve  dhe vështirësive për të pasur informacionin e duhur në kohë. Gjithashtu mekanizmat që ndihmojnë sigurimin në kohë të informacionit siç është ligji për qaje në dokumente zyrtare, Avokati i Popullit apo Gjykata gjithashtu janë treguar jo efektive në përmirësimin e kësaj situate”, thotë ajo.

Haxhiaj e thekson rolin që e luajnë media të cilat i shërbejnë ndonjë “agjende” dhe luajnë në nisjen dhe përhapjen e propagandës.

“Burimi kryesor i lajmeve të rreme ose  rrjedhës së propagandës janë kryesisht mediet që janë të ndërlidhura me  grupet në pushtet por edhe ato në opozitë, një pjesë e tyre edhe nga grupet tjera të interest që dominojnë në përgjithësi skenën mediale. Gjithashtu në përgjithësi në Ballkan mediet janë njëri ndër bizneset më jo formale ku miliona euro qarkullojnë pa u kontrolluar përderisa paraja publike gjithashtu përdorët për të zbehur ose  shuar lajmet apo raportet kritike për qeveritë”, pohon ajo.

Gazetarja e kritikon mënyrën se si mediat funksionojnë në përgjithësi në Ballkan.

Ajo që mungon, sipas Haxhiaj, në sferën e mediave janë analiza serioze të ngjarjeve shoqërore, politike dhe sociale.

“Publikut po i ofrohen kryesisht lajme sipërfaqësore  dhe  të paverifikuara përderisa zhvillimi teknologjik dhe rritja enorme e numrit të mediave të internetit ka bërë që në përgjithësi mediat të tabloidizohen  por edhe të reduktojnë hulumtimin  mirëfilltë që të ofrojnë informacion të plotë”, konkludon Haxhiaj.

Për momentin, në Kosovë ende nuk dihet numri i saktë i mediave të regjistruara, veçanërisht portalet e lajmeve në internet.

“RTV 21” është një nga tre televizionet që shfrytëzojnë frekuencë kombëtare, duke përfshirë “KTV” dhe radiodifuzerin publik “RTK”, i cili ka një degë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Durim Nitaj
Durim Nitaj

Raportimi televiziv për çështje rajonale shton një shtresë tjetër të vështirësisë, mendon Durim Nitaj, korrespodent për RTV 21.

Ai thotë se RTV 21 në Republikën e Maqedonisë së Veriut paraqet ndihmë të jashtëzakonshme për e mbulim më të gjerë të Ballkanit për publikun e Kosovës.

“Kur ke të bësh me një lajm që vjen nga rajoni, e nuk ke reporter apo korrespodent nga terreni është shumë e vështirë. E edhe më e vështirë është kur nuk ke bashkëpunim me ndonjë medie të besueshme nga ai vend. Kjo të obligon që të përcjellësh sa më shumë media të atij vendi dhe të krahasosh lajmet që të kuptosh se cila është e vërteta”, thotë Nitaj.

Ai thekson se kjo i detyron gazetarët të bëjnë analiza krahasuese të raporteve të ndryshme nga media të ndryshme në rajon.

“Rreziku i lajmeve të rreme ekziston gjithmonë. Presioni për të qenë i pari ka bërë që shumë shpesh të shpërndahen “fake news” apo edhe lajme gjysmë të vërteta. Kjo ndodh kur bazohesh në media të dyshimta, apo edhe kur nuk e gjen lajmin të konfirmuar nga burime të sigurta, e po ashtu media të tilla. Kur nuk keni një degë, apo edhe ndonjë medie me të cilën bashkëpunoni, duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm për lajmet që raportoni apo mediat të cilave iu referoheni”, pohon ai.

Lufta profesionale kundër “lajmeve të rreme”

Përveç që shpesh përdoren nga politikanët, misioni i të cilëve ndonjëherë është të diskreditohen mediat, në terren kundër lajmeve të rreme luftojnë edhe ekspertë.

Faton Ismaili
Faton Ismaili

Faton Ismajli, asistent në Departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” e thekson rëndësinë e trajnimit të gazetarëve dhe redaktorëve se si të luftojnë kundër dezinformatave.

Ai thekson se rreziku i dezinformimit rritet kur raportohet për tema të ndjeshme në Ballkan.

Ismajli i këshillon mediat t’i trajnojnë punonjësit e tyre për të identifikuar informacionin e rremë.

“Mirëpo, për të eliminuar shpërndarjen e informacioneve të rreme duhet të edukohen dhe trajnohen edhe më shumë gazetarët në mënyrë që të mos bien pre e informacioneve të tilla. Përpos trajnimit të gazetarëve, mediat duhet të shtojnë kujdesin edhe te filtrat tjera, në rastin konkret te redaktorët, të cilët do të filtronin edhe më shumë informacionet dhe nuk do të lëshonin lajme që s’janë të verifikuara, s’janë të balancuara, që s’i kanë të gjitha burimet”, përfundon ai.

Mediat profesionale në Kosovë po përpiqen gjithashtu të dallohen nga portalet e lajmeve në internet, të cilat publikojnë lajme të paverifikuara dhe shpesh të rreme.

KALLXO.com, onlajn medium investigativ (i themeluar nga BIRN dhe InternewsKosova) ka hapur një pjesë për kontroll të fakteve të quajtur “KRYPOMETRI”, në të cilën, përveç deklaratave publike, “matet” edhe realiteti i raporteve të mediave.

Në artikujt e tyre, ata citojnë media që transmetojnë lajme për zjarre të rreme ose viktima të rreme, si dhe dezinformata për raste të ndryshme gjyqësore.

Autore: Doruntina Baliu, gazetare dhe redaktore e BIRN, Kosovë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button