fbpx

ESM kërkon që Kodra e Diellit të shitet ose të jepet në partneritet publiko privat, Qeveria vendos

ESM kërkon leje nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, shitjen të jepet në partneritet publiko privat qendra turistike Kodra e Diellit, mirëpo kjo fillimisht u zbulua nga një punëtor i kësaj kompanie. Memedi nga “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” tha se kjo nuk është ide e keqe, por nuk mund të ndodhë pa u konsultuar qytetarët, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Shoqatës “Elektranat e Maqedonisë” – ESM, Vasko Kovaçevski, sot më në fund e bëri publike kërkesën e shoqatës së tij e cila është pronare e kompanisë ELEM Turs, që menaxhon me Kodrën e Diellit. Ata kërkojnë nga Qeveria kjo qendër turistike duhet të shitet ose të jepet në partneritet publiko-privat, dhe këtë e kanë bazuar në rekomandimin e kompanisë PWC që ua ka kryer studimet.

“Një ndër kompanitë shumë kredibile e ka punuar studimin e fizibilitetit për Kodrën e Diellit, e cila kompani dha sugjerime. Kishim tre mundësi, njëra ishte mënyra tradicionale apo shitja e të njëjtës, tjetra ishte partneriteti publiko-privat dhe e fundit që ne si kompani të investojmë. Pasi që A.SH ESM është kompani që ka në fokus diçka tjetër, pikërisht për këtë arsye ne si bord drejtues dërguam sugjerime deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i shikojë mundësitë për shitjen e kësaj të fundit apo formimin e një partneriteti publiko-privat. Në ditët në vijim presim që të dalim me informatë se çfarë do të ndodhë më tej me këtë qendër turistike” tha drejtori i ESM, Vasko Kovaçevski.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, vazhdimisht kemi marrë përgjigjen e njejtë. Nga atje na informuan se shitja e hoteleve në Kodrën e Diellit ende nuk është në procedurë qeveritare, ngaqë e njëjta po shqyrtohet nga komisioni përkatës.

Procedurë e heshtur dhe jo-transparente


Portalb.mk me vite trajton çështjen e Kodrës së Diellit. Kjo qendër është lënë pas dore, dhe këtë e kemi cekur në dhjetëra shkrimet tona. Është temë me interes jashtëzakonisht të madh publik, prandaj transparencë për vendimet mbi të është kërkesë minimale që mund të ketë opinioni dhe redaksia jonë në emër të saj.

Që nga porositja e analizave të cilat e përcaktojnë fatin e saj deri më sot, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, A.Sh ESM dhe ELEM Turs na kanë dhënë informata të ndryshme për këtë proces. Të tri palët në mënyrë sistematike na kanë dhënë informata për analizat, që përmbanin frazat “e kemi dorëzuar” dhe “nuk e kemi marrë”, kur në fakt është dhënë dhe marrë propozim nga ESM-ja.
Më në fund, anëtari i partisë VMRO-DPMNE, Ivica Tomovski, i cili punon në ESM e ka zbuluar këtë vendim të ESM-së  dërguar Qeverisë. 

Vendimi i Bordit Drejtues të ESM

Megjithatë, Tomovski vendimin e tillë e quan përfundimtar, gjë që sipas drejtorit të ESM ende nuk ka ndodhur. Si pasojë e kësaj deklarate, u krijua një valë e dezinformatave nëpër portale të ndryshme maqedonase dhe shqiptare dhe në rrjetet sociale. Dhe arsyeja për këtë është fakti që as Qeveria dhe as ESM dhe ELEM TURS nuk janë transparente.

Sipas Menan Memedit, ish drejtorit të Kodrës së Diellit, shitja e kësaj qendre turistike nuk është ide e keqe por nuk mund të ndodhë pa konsultimin e tyre me qytetarët, ai thekson se ekskluzivitetin për të vendosur me këtë qendër turistike nuk mund ta ketë ELEM.

“Prej tre alternative që ceken te studimi i fizibilitetit, për mendimin tim njëra prej tyre siç është menaxhimi i kësaj qendre turistike nga ESM duhet të rrezohet poshtë që nga fillimi, për shkak se ata e patën këtë mundësi edhe dështuan. Edhe pse konsideroj që partneriteti publiko-privat do të ishte zgjidhja më e mire e këtij problemi, për shkak se në këtë mënyrë do të ju jepte mundësia edhe njerëzve tanë të punojnë për këtë qendër. Megjithatë, shitja e të njëjtës nuk është ide e keqe, mirëpo duhet të theksohet se një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa u diskutuar me qytetarët e Tetovës, ekskluzivitetin për fatin e Kodrës së Diellit ju takon qytetarëve, jo ELEM-it për shkak se një pjesë e konsiderueshme e pronës tokësore në këtë qendër ju takon banorëve të fshatrave përreth” tha Menan Memedi për Portalb.mk.

Ndryshe, shitjen e kësaj qendre turistike e kishte paralajmëruar edhe ish kryeministri Zoran Zaev ku sipas tij shteti ka dështuar me menaxhimin e kësaj qendre turistike, sepse siç u shpreh ai “shteti është menaxhues i dobët dhe nuk i din të gjitha aspektet e ofertës turistike”.

Studimi i Fizibilitetit për Kodrën e Diellit është realizuar nga kompania PWC, me porosi të Elem Turs. Kërkesa për realizimin e një studimi të tillë ka ardhur nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut me qëllim që të vendoset edhe fati i Kodrës së Diellit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close