fbpx

Një mesazh universal në botën artificiale

Filmi dokumentar “Tokëmjalti”, i krijuar me përkushtim e profesionalizëm dhe i menduar në çdo detaj, pavarësisht se nuk e fitoi çmimin Oskar, do të mbetet shumë gjatë në kujtesën e shikuesit.

Hatixhes së dokumentarit nuk i kanë munguar ëndrrat rinore, por fati jetësor është treguar i kursyer me të. Ajo jeton në njëfarë kasolle, në katundin e harruar Beqirli, ku pothuajse nuk depërton drita e qytetërimit dhe e teknologjisë moderne. Përkujdeset për nënën e sëmurë dhe e siguron ekzistencën duke shitur mjaltë. Nga hualli merr gjysmën e sasisë së mjaltit dhe pjesën tjetër e lë për bletët, ndryshe prej Hysein Sam, që e prish ekuilibrin ndërmjet njeriut dhe natyrës.

Ka gjëra që nuk varen nga vullneti i saj, siç janë: ndryshimet klimatike, cenimi i biodiversitetit ose eksploatimi i pamëshirshëm i resurseve natyrore. Ajo nuk merr pjesë në këtë krim. Në këtë botë të pamëshirshme rron në paqe me natyrën, e lidhur me tokën e saj, e përkushtuar ndaj familjes, vlera që humben në botën e eksploatimit, konsumerizmit, reklamës, zhurmës, krimit, mungesës së humanizmit.

Hatixhja, nëpërmjet shembullit të saj, jep mesazhin për ruajtjen e paqes ndërmjet njeriut dhe natyrës, sepse konflikti do të jetë fatal pikërisht për njeriun. Ajo nuk e lëndon natyrën; nuk mendon sot për sot, por edhe për nesër. Ajo është e fisme, e ndershme, humane, që merr prej natyrës aq sa ka nevojë, sepse nuk ka shpirt makuti.

Pa këtë dokumentar pakkush do ta njihte Hatixhen, që ra në sy mijëra herë më shumë se sa vipat tanë, se sa shkëlqimi mashtrues, se sa “parajsat artificiale”. Ajo nuk ka qenë personazh mediesh që vuajnë nga mungesa e ideve dhe nga kompleksi i provincës. Me thjeshtësi e qartësi, pa komplikuar asgjë, i foli ndërgjegjes së njerëzimit.

Mediat tona flasin për kollitjet e politikanëve, për llafollogjinë e tyre të mjerë, për “vipat”, për një botë artificiale, për botën e luksit dhe krimit, për botën e një pakice, flasin për një botë inferiore, botë kompleksesh prej varfanjaku, botë teneqesh mendore dhe sikur duan të na bindin se artistin e bën luksi. Këta “artistë” nuk e njohin jetën asketike, nuk kanë tundime e brenga, nuk ndjejnë dhembje bote. Ata i lexojnë me kënaqësi menytë e restoranteve, prandaj flasin vetëm për kuzhinë. Ata i lexojnë ofertat turistike, prandaj flasin për shëtitje personale. Nga shëtitjet e tyre nuk lindin vepra arti. Janë kënaqësi personale dhe vetëm kaq. “Nuk ka artistë të dhjamur, të shëndetshëm, të kënaqur nga jeta”, thotë asketi Tolstoi. Arti nuk bëhet nga të kënaqurit, por nga kërkuesit e përhershëm. Arti lind nga tronditjet e përhershme, shkaktuar prej kushedi çfarë forcash demoniake. Artisti i vërtetë nuk mahnitet nga turma, nga “fansat”. Artisti i vërtetë rri larg reflektorëve të aktualitetit, s’e honeps turmën, këtë masë amorfe, të papërgjegjshme, e cila, sipas Gustav le Bonit, nuk udhëhiqet nga mendja, por nga pavetëdija. Arti është akt vetmitarësh e ëndërrimtarësh. Nuk është modë. Nuk është diçka sezonale.

Rrojmë nën diktaturën e kiçit, banalitetit, aktualitetit, uniformitetit. Ngulfatemi nga filozofia e provincës. Nëpër ekrane shkëlqen luksi i vipave, kurse “fansat” vuajnë urie.

Megjithatë, ka artistë që e shohin Hatixhenë, këtë grua të fisme që e ka plakur jeta. Nëpërmjet shembullit të saj e tronditin ndërgjegjen njerëzore për ta ruajtur natyrën edhe për brezat e ardhshëm. Ky dokumentar jep mesazhin e thellë, universal, kuptimplotë për njeriun, për njerëzimin, për brezin e sotëm dhe për brezin e ardhshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close