Tetovarët në demonstrata kundër regjimit komunist

(Përkujtesë në 30-vjetorin e demonstratave anti-komuniste të muajit shkurt 1990 në Tetovë) 

Milicia e atëhershme e Tetovës, e armatosur deri në dhëmbë, brenda një dite kishte arrestuar 107 të rinj shqiptarë nga Tetova dhe fshatrat përreth, me pretekstin se kishin marrë pjesë në “demonstrata armiqësore”, kishte bastisur Shtëpinë e Mallrave, dyqanet e  shqiptarëve, si dhe kishte hyrë në Tregun e qytetit, duke ushtruar dhunë të skajshme ndaj qytetarëve të pafajshëm.

Në periudhën prej vitit 1945 (pas Luftës së Dytë Botërore) e deri në vitin 1990, gjithë aktiviteti kombëtar e patriotik i shqiptarëve në Maqedoninë komuniste, në kuadër të ish-Jugosllavisë, zhvillohej para së gjithash në Tetovë, në qytetin më të madh të shqiptarëve në këtë njësi federale. Gjatë gjithë kësaj periudhe, trysnia mbi shqiptarët nga pushteti komunist ishte tepër e madhe, ndërsa format e saj ishin mjaft arrogante, me reperkusione nga më ekstremet: me rrahje, burgosje, vrasje dhe shpërngulje të dhunshme.

Intelektualët shqiptarë të asaj kohe, në numër të paktë, por të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në të cilën gjendej popullata, ishin prijatarë të rezistencës, nëpërmjet veprimit ilegal në mjediset ku jetonin, duke formuar grupe, organizata dhe lëvizje ilegale, për të zbutur dhe përballur shtypjen shtetërore komuniste mbi pjesën dërrmuese të popullatës shqiptare. Pjesëtarët e këtyre lëvizjeve ilegale, për shkak të tradhtisë, pas një kohe veprimi, zbuloheshin dhe arrestoheshin. Si rezultat i këtyre veprimeve atdhetare të intelektualëve shqiptarë, përgatiten dhe mbahen demonstratat e njohura shqiptare në Tetovë (pos atyre tashmë të njohura në vitin 1968), më 1 shkurt të vitit 1990, pikërisht tash e tridhjetë vjet më parë, që ishin shumë masive dhe të ashpra, me një sërë kërkesash politike dhe kombëtare. Mjerisht, ato përfunduan me shumë dhunë nga milicia e atëhershme, arrestime dhe burgosje të rinisë shqiptare.

NJË SHKURTI HISTORIK I VITIT 1990

Kryesia e Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë (KK i LKM) në Tetovë, vetëm një ditë pas demonstratave masive të rinisë shqiptare që u mbajtën më 1 shkurt të vitit 1990, doli me një informatë, në të cilën jepen detaje të shtrembëruara për rrjedhën e këtyre demonstratave. Këto ishin demonstratat më masive, pas atyre të vitit 1968. Këtu sjellim disa pjesë më të rëndësishme nga kjo informatë lidhur me këto demonstrata.

Në dokumentin e Kryesisë së KK të LKM të Tetovës, ndër të tjera, nënvizohej: “Më 1 shkurt 1990, e enjte (ditë tregu në Tetovë), në orën 11:20, në sheshin e Tetovës, u organizuan dhe u mbajtën demonstrata armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, thuhej në këtë dokument. “Demonstratat filluan sipas një plani mirë të organizuar. Demonstruesit, të cilët në fillim dolën në grupe, u grumbulluan në hapësirën ndërmjet Shtëpisë së Mallrave, restorantit “Sini kristal”, rruga “Beliçica” dhe hyrja e Tregut të gjelbër (tregu i vjetër), duke duartrokitur dhe brohoritur “Vllasi, Vllasi…!”(kërkohej lirimi i Azem Vllasit, kryetar i KK të LK të KSA të Kosovës, të cilin e kishte burgosur Millosheviqi v.j.), pastaj nxjerrin pankartat e përgatitura, me duart e ngritura lart dhe gishtat në formën V (viktoria), si dhe brohorisin: “Liri-demokraci!”. Turma u drejtua nga sheshi i qytetit, të cilës iu bashkëngjitën edhe shumë të tjerë nga të katër anët, që ishin kryesisht të moshës 20-30 vjeç. Organet e rendit ua tërhoqën vërejtjen grupeve të tubuara që të shpërndahen, por ato nuk i morën parasysh këto urdhra”.

Në vazhdim të këtij raporti të komunistëve thuhej: “Dalja e demonstruesve në sheshin e Tetovës u bë me një shpejtësi të madhe, që tregon për shkallën e organizimit të tyre. Demonstruesit kaluan nga ana lindore e sheshit, në rrugën kryesore para Shtëpisë së Kulturës, u drejtuan nga rruga “T.C. Merxhan”, për t’u tubuar në sheshin qendror. Në atë moment, organet e rendit, intervenuan me shpejtësi, duke arritur që menjëherë t’i shpërndajnë demonstruesit, të cilët u ndanë në tre grupe. Njëri grup u tërhoq kah rruga “Beliçica”, i dyti nga Shtëpia e Mallrave, ndërsa i treti në pjesën veriore të sheshit. Para se të shpërndaheshin, demonstruesit brohoritnin parulla të ngjashme me ato në KSA të Kosovës: “Heqje e masave të përkohshme në Kosovë”, “Lirimi i Azem Vllasit” dhe “Kosova Republikë”.

Më tej thuhej: “Gjatë shkapërderdhjes, demonstruesit u bërtitnin pjesëtarëve të organeve të rendit “Uaaa!” dhe sërish tentonin të grupohen në një vend. Atëherë pjesëtarët e milicisë së Tetovës intervenuan edhe njëherë, dhe demonstruesit u shkapërderdhën. Një grup prej dhjetë vetash, mjaft agresivë, tentonin të vazhdonin me demonstratën, por milicia përsëri intervenoi. Grupet u tërhoqën në pjesën e Çarshisë së Epërme, ku tentuan t’i tërheqin “pazarxhinjtë”, por edhe aty intervenoi milicia”.

Raporti i komunistëve të Tetovës përshkruan edhe atmosferën në qytet, para demonstratave: “Në ditën që u mbajtën demonstratat, në Tetovë janë parë shumë vetura me targa nga qytetet e tjera, si nga Murska-Sobota, Novo-Mesto, Lubjana, Pula, Spliti, Beogradi, Prizreni, Ohri (ku përfshihen edhe qytetet Kërçovë e Strugë), Gostivari, si dhe vetura nga jashtë, si Gjermani dhe Zvicër. Hetimet tregojnë se nga këto qytete kishin ardhur për demonstrata tetovarë, me punë të përkohshme jashtë vendlindjes. Në këto demonstrata ishin zënë nga pjesëtarët e milicisë së Tetovës dy persona, me përkatësi shqiptare, të cilët kishin ardhur nga Prishtina, ndërsa ishin anëtarë të lëvizjes alternative “Lidhja Demokratike e Kosovës” dhe “Lëvizja Popullore”, të cilët kishin kartë-vizite dhe kishin ardhur për të marrë pjesë në një mbledhje. Te këta të dy ishte gjetur material propagandues nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, një shumë valutash (marka gjermane) dhe armë të ftohtë”.

Për masat që i kishin ndërmarrë organet e rendit, thuhej: “Milicia e Tetovës, gjatë intervenimit dhe shpërndarjes së demonstratave, kishte arrestuar 107 veta nga Tetova, si dhe nga fshatrat Grupçin, Shemshovë, Sllatinë, Dobrosht, Poroj, Xhepçisht, Sellcë, Vijcë, Shipkovicë, Gajre, Reçicë, Pallçisht, Çellopek etj. Gjatë kontrollimit, tek disa demonstrues ishin gjetur armë. Në këto demonstrata nuk kishte të lënduar apo të vrarë. Demonstratat në Tetovë janë epilogu më ekstrem nga arsenali i veprimeve armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, theksohej në raportin e KK të LKM të Tetovës.

Natyrisht që kjo informatë ishte shkruar nga këndvështrimi i pushtetit komunist, kur bëhej fjalë për veprimet legjitime të shqiptarëve në shfaqjen e pakënaqësisë së tyre. Edhe pse ato u mbajtën në mënyrë dinjitoze, pa asnjë ekses, ato u vlerësuan si “armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Ajo çka mungonte në këtë raport ishte sjellja brutale e milicëve të armatosur deri në dhëmbë ndaj demonstruesve të rinj, të cilët u rrahën e u keqtrajtuan derisa u futën nëpër automjetet e milicisë dhe u dërguan në Stacionin e Milicisë në Tetovë. Po ashtu, këtu u fsheh veprimi jashtëligjor i milicisë, e cila, me pretekstin e kërkimit të demonstruesve, kishte hyrë në Shtëpinë e Mallrave, nëpër dyqane shqiptarësh dhe në Tregun e gjelbër, ku shqiptarët e hutuar u rrahën dhe u keqtrajtuan pa kurrfarë faji.

 

PARULLAT E DEMONSTRUESVE

 

Kryesia e KK të LKM të Tetovës, vlerësonte se demonstratat e 1 shkurtit kishin ndodhur si rezultat i paraqitjes së disa dukurive dhe ekseseve paraprake në disa vendbanime rurale dhe në vetë qytetin e Tetovës. Vlerësohej se hedhja e parullave “Kosova-Republikë” dhe “Rroftë Azem Vllasi”, kishin për qëllim bashkimin e këtyre trojeve të Maqedonisë veri-perëndimore me Kosovën, për të cilën kishte më shumë tentime që Kosova të fitojë statusin e republikës.

“Para se të ndodhnin demonstratat e 1 shkurtit në sheshin e Tetovës, ishin vërejtur parulla të shkruara në disa vendbanime rurale, si në Llërcë, Çiflik, Grupçin, Ozurmisht,  Zhelinë, Strimnicë, në rrugë mes Sellcës-Vijcës, Neproshten, Odër dhe në qytetin e Tetovës. Në një copë letre që është gjetur në rrugën Sellcë-Vijcë, ka shkruar se më 1 shkurt do të mbahen demonstrata në Tetovë”, theksohej në raportin e KK të LKM të Tetovës, për të shtuar se “tekstet e shkruara në vende publike kishin këtë përmbajtje: “Zgjohuni shqiptarë!”, “Poshtë terrori!”, “Kosova – Republikë!”, “Duam liri!”, “Poshtë tradhtia!”, “Poshtë Millosheviqi!”, “Mjaft me vdekje!”, “Thirren shqiptarët më 1 shkurt në Tetovë!”, “Ngrihuni vëllezër për liri dhe drejtësi!” e të tjera. Në afishet e gjetura në Strimnicë shkruante: “Nuk jemi nacionalistë, por shqiptarë!”, “Lavdi Enverit”, “Të gatshëm përherë!”, “Rroftë shqiptaria!”, “Rroftë Azemi!”, “S’ka Maqedoni!”, “Demonstrata më 1 shkurt 1990!”. Në ato fletë ka qenë e vizatuar shqiponja dykrenore, ndërsa në mes ka shkruar ALBAN. Në një afishe tjetër shkruante: “Kosova domosdo Republikë”, “Të lejohet përdorimi i flamurit shqiptar në Tetovë” etj.

“Zhvillimi i ngjarjeve në komunën e Tetovës, thuhej në raportin e KK të LKM të Tetovës, pa mëdyshje japin  vlerësimet se armiku nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar po vazhdon veprimtarinë e vet me forma të njohura, por edhe me ato të reja. Qëllimi kryesor i veprimit konsiston me synimin që territoret e Maqedonisë perëndimore  t’i bashkëngjiten Kosovës, për të cilën separatistët po tentojnë të marrin statusin e republikës, në mënyrë që të realizohet qëllimi i fundit për krijimin e kufijve të paramenduar të Shqipërisë së madhe, me çka rrezikohet integriteti territorial i Jugosllavisë”.

Në këtë raport të KK të LKM të Tetovës, me qëllim shtrembërohen faktet dhe fshihet presioni dhe dhuna që u ushtrua nga milicia e armatosur e Tetovës, jo vetëm ndaj demonstruesve, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë, të cilët u gjetën rastësisht aty ku ishin forcat për intervenim, me qëllim që të mbillej frika te popullata shqiptare, që krahas shtypjes së demonstratave, me rrahje dhe burgosje, të jepet leksion që ngjarje të këtilla mos të ndodhin në të ardhmen. S’ishte e vërtetë se demonstratat nuk u përkrahën nga masat e gjera shqiptare, siç pohonin komunistët, por ishte forca e regjimit anti-shqiptar ajo që ngufati këtë përkrahje.

 

DËNIMET ME BURG

 

Këto demonstratat të rinisë shqiptare në Tetovë, patën jehonë të madhe në opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm, edhe për shkak të kontekstit kohor në të cilin ndodhën në Maqedoni, në kuadër të ish-Jugosllavisë, ku situata ishte acaruar tej mase. Sipas instruksioneve të KQ të LKM, komunistët e Tetovës u treguan mjaft të ashpër lidhur me këto demonstrata shqiptare, që ishin në vigjilje të proceseve demokratike që po afroheshin edhe në ish-Jugosllavi, në këtë shtet në shpërbërje, ku prinin Sllovenia dhe Kroacia. Demonstratat në Tetovë u shuan me egërsi, kurse një numër i pjesëmarrësve të zënë nga forcat e rendit dhe organizatorët u futën në burg.

Komunistët e Tetovës sidomos u interesuan për ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj pjesëmarrësve në demonstrata. Si shtojcë e informatës së përgatitur, ishte futur një listë e personave të arrestuar si pjesëmarrës në demonstrata nga Tetova dhe 32 fshatra të kësaj komune, si dhe dy persona nga Kosova. Nga hetimet që ishin bërë, kishte dalë se demonstrues kishte nga Tetova dhe këto fshatra: Shipkovicë, Vijcë, Sllatinë, Dobrosht, Çellopek, Gajre, Shemshovë, Tearcë, Poroj, Dëbërcë, Sellcë, Llërcë, Odër, Debresh (Gostivar), Strellcë (Kërçovë), Ezerc (Ferizaj) dhe Gllavicë (Kaçanik).

Në raportin e Kryesisë së KK të LKM të Tetovës, në të cilin tentohet që të justifikohen masat kundër demonstruesve, vihet në dukje se shumë të rinj shqiptarë, pasi janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje, janë lëshuar në shtëpi, nëse për ta është konstatuar se janë mashtruar kur kanë vendosur të marrin pjesë në demonstrata. Ndërsa për ata që janë treguar më agresivë, nxitës dhe organizatorë, në procedurën e kundërvajtjes u janë shqiptuar dënime me nga 60 ditë burg.

 Me burg dënohen këta persona: 1. Izet Jusufi nga fshati Shipkovicë; 2. Abdulmutalip Ziberi (Shipkovicë); 3. Mumin Memeti nga fshati Vijcë; 4. Isak Abdurahmani (Vijcë); 5. Ismail Ismaili nga fshati Sllatinë; 6. Hazbi Shasivari (Sllatinë); 7. Nagib Mehmeti (Sllatinë); 8. Daut Iseni nga fshati Dobrosht; 9. Dalip Ganiu nga fshati Çellopek; 10. Selatin Dehari nga fshati Gajre; 11. Abdulqerim Ademi nga fshati Shemshovë; 12. Raim Selimi nga fshati Tearcë; 13. Nijazi Halili nga fshati Poroj; 14. Gani Nebiu nga fshati Dëbërcë; 15. Bedri Ceka, Tetovë; 16. Xhemail Rexhepi, Sellcë; 17. Ali Ramadani, Llërcë; 18. Ismail Selimi, Odër; 19. Isak Bajrami, Sellcë; 20. Isak Elmazi, Tetovë; 21. Besir Sulejmani nga fshati Debresh (Gostivar); 22. Neshat Vejseli nga fshati Strellcë (Kërçovë).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button